Myftiu i Shkodrës, Haxhi Muhamed Syrtari gjatë faljes së Xhumasë në xhaminë e Parrucës ka bërë thirrje që të gjithë të luten për Alepon.
Myftiu është shprehur se ajo që po ndodh në Alepo tregon rrënimin e vlerave të njerëzimit.
“Gjithë njerëzit e kanë një fund, por duhet ta kenë dinjitoz dhe jo nga bombardime e shkatërrime. Zhvillimet e ditëve të fundit në Alepo, që po shkatërrohet nga dora e të pabesëve, janë dëshmi e rënies së vlerave dhe të drejtave të njeriut. Këto bombardime janë akte terrori dhe ne distancohemi nga kushdo që shkatërron dhe mbjell të keqen”, ka thënë myftiu Syrtari.
Ai ka shtuar se, këto ngjarje tregojnë edhe dështimin e organizatave ndërkombëtare dhe politikës globale në Alepo.
“Marrja peng sot e 800 vullnetarëve dëshmon dekadencën e fikshme të njerëzimit, ndaj i bëj thirrje çdo besimtari që të lutet për Alepon dhe gjithë Sirinë”, ka thënë myftiu i Shkodrës./tch/a.k