Ish-deputeti Ralf Gjoni ka komentuar përplasjen në distancë mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, lidhur me debatin për mandatin e fituar nga koalicioni “Nisma Thurje – Shqipëria Bëhet”.
I ftuar në emisionin “NOW me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, Gjoni deklaroi se, me zhvillimet e fundit, mandati nuk i takon më asnjërit prej tyre.
Sipas tij, mënyra e menaxhimit publik të kësaj situate ka dëmtuar rëndë besueshmërinë e të dy figurave, ndërsa sugjeroi një formë të mundshme rehabilitimi.
Megjithatë, ai u bëri thirrje të reflektojnë, të tërheqin deklaratat, të lënë mënjanë përplasjet personale dhe të bashkohen për të shpëtuar, qoftë pjesërisht, të ardhmen e tyre politike.
Ai i kritikoi të dy për mungesën e dialogut të drejtpërdrejtë, duke theksuar se përplasja po zhvillohet përmes palëve të treta dhe rrjeteve sociale, në vend që Lapaj dhe Shabani të përballen së bashku në publik.
“Prandaj, i bëj thirrje të dyve: Adriatik, thirri mendjes. Endri, nëse po dëgjon – thirri mendjes, se është turp. Latë nam. Bëhuni bashkë, flisni me njëri-tjetrin, bëni një mea culpa. Tërhiqni deklaratat që keni bërë në rrjetet sociale si fëmijë të vegjël. Kërkoni falje, dhe ndoshta do të keni një shans që një përfaqësues i vetëm të mbajë ato 64 mijë vota – dhe pas katër vitesh të mund të garoni sërish. Por me këtë që keni bërë, nuk keni më asnjë shans për të marrë as edhe një votë të vetme”, tha Gjoni.
Sipas Gjonit, të dy protagonistët e përplasjes kanë humbur çdo shans për të fituar mbështetje elektorale në të ardhmen ndërsa theksoi se krisja në koalicion është serioze dhe se çfarëdo vendimi që të merret për mandatin, ai nuk do të ketë më peshë morale për të përfaqësuar votuesit.
“Kemi një krisje serioze të këtij koalicioni. Kushdo që ta marrë këtë mandat, nuk ka më mandat moral për të përfaqësuar 64 mijë votat. Me këtë që ka ndodhur, le të shkojnë nesër në zgjedhje – nuk marrin dot as 6 mijë e 400 vota. Për mendimin tim, mandati i takon emrit të parë në listën e kandidatëve”, u shpreh Gjoni.
Sipas ish-deputetit, Lapaj dhe Shabani e kanë hedhur poshtë mandatin me sjellet që kanë shfaqur mes njëri tjetrit, dhe shton se kushdo që mund ta marrë këtë mandat, do mbetej diçka e kotë.
Gjoni tregon se për “Nismën Thurje” ka qenë gjithmonë një mbështetje, ndaj sot shpreh kritika të ashpra ndaj Lapajt dhe Shabanit.
“E gjithë kjo ka një dimension moral dhe ligjor mes këtyre të dyve. Sa i përket moralit, po vloj nga brenda dhe po përmbahem sepse kam qenë një nga mbështetësit e parë të “Nismës Thurje”, me shpirt dhe zemër.
I kam parë ata djem dhe vajza të rinj që mblidheshin. Kur kam qenë deputet në Parlament, në vend që të depozitoja projektligjin tim për hapjen e listave që ishte një nga tezat që i mshoja më fort, përqafova atë të “Nismës Thurje” hartuar nga vetë Nisma, të mbështetur nga 50 mijë firma përmes një peticioni i cili u firmos përmes një turi kombëtar qytet më qytet, e kemi mbështetur “Nismën Thurje”.
Por nga ana tjetër, këta dy djem kanë nevojë të kuptojnë se përfaqësimi për t’u zgjedhur në Kuvend dhe më pas marrja e një mandati dhe vajtja në Parlament për të ushtruar të drejtën e përfaqësimit të atyre që të kanë zgjedhur, do një përgjegjësi shumë të madhe dhe një faqe morale.
Të dy ngjajnë shumë me njëri-tjetrin në çdo aspekt. Pavarësisht shpalljes ose jo të mandatit të Tiranës, moralisht ky mandat ka rënë.
Të dy e hodhën poshtë, e kanë shkelur mandatin. Kushdo që të bëhet deputet/e nga kjo listë, është i/e mbaruar”, u shpreh Ralf Gjoni.











