Nga Denis Dyrnjaja
Jeta e një djali 14 vjeçar u ndal në mënyrë tragjike nga një bashkmoshatar i cili e goditi me thikë në zemër pas një zënke për shkaqe krejt banale mes adoleshentësh në Shkollën Fan Noli në Tiranë. Kjo ngjarje e rëndë “ulëret” për degradimin shoqëror ku kemi shkuar dhe ku po zhytemi gjithnjë e më shumë por edhe më shpejt. Ngjarja raportohet si të ishte diçka rutinë, si një kronikë e zakonshme lajmesh, si një sherr aksidental i rëndomtë. Dhe ky reagim i ftohtë dhe tërësisht mekanik publik në fakt e bën situatën alarmante. Pra fakti që ka një mpirje shoqërore dhe një reagim si të ishte diçka krejt e natyrshme, e bën këtë ngjarje më shumë tronditëse se vetë akti i humbjes së jetës së një adoleshenti.
Vetëm zemra e nënës e shpirti i babait të tij e dinë trazinë që u ka shkaktuar, ikja e parakohshme, por më shumë e pakuptimtë e birit të tyre. Çfarë mund të justifikojë marrjen e jetës në këtë mënyrë kaq të lehtë, por dhe kaq të tmerrshme, ku thika shënjon zemrën e një 14 vjeçari në mes të Tiranës?! Nuk ka fjalë ngushëllyese e, nuk ka drejtësi shpaguese për ta. Se të birin nuk ua kthen dot askush, as falja, as pendesa e as dënimi maksimal i ndëshkimit penal. Pra e gjitha është dëshpëruese deri në pikëllim. Por a është kjo një ngjarje një tragjedi e izoluar? Përgjigjja është e prerë, jo. Një tjetër ngjarje do të vijë po kaq ose edhe më tronditëse se kjo sepse janë kushtet shoqërore e kulturore që e paralajmëroinë atë.
Pesë bashkëmoshatarë u përfshinë në një sherr, ku dy prej tyre mbeten viktima të dhunës e cila kishte nisur në rrjetet sociale dhe më pas u zhvendos në jetën reale. Pra bilanci është tragjik në të gjitha anët. Një të riu iu ndal jeta në të 14-tat e tij, e shoku i vet i shpëtoi errësirës së përhershme të varrit, fatmirësisht me plagë që nuk i morën jetën, nga një gjaknxehtësi moshe, që merr frymëzim në ferrin e dhunshëm që ka pushuar çdo hapësirë publike në rrjetet sociale e mediatike. Pra një 14 vjeçar shkoi pa kthim për të lënë familjen e tij në pikëllim, ndërsa autorët me gjasë do të duhet të mbyllen për disa vite pas hekurave të një qelie, vetëm se një çast egoja e moshës, nevoja për famë a për bujë dhe ndoshta për ndonjë arsye dhe më banale i çoi drejt një perleshjeje fatale për të gjithë.
Një djalë vetëm 14 vjeç shkoi në varr nëntokë e të tjerët në një varr të pakallur mbi tokë. Të gjithë të humbur në këtë histori marrëzie, e cila është nga ato histori që e ka skenarin të parashkruar. Ambienti ku sot të rinjtë shqiptarë po rriten është tërësisht histerik, agresiv, depresiv për rrjedhojë shpesh edhe fatal. Mjafton të shohësh në oborret e shkollave fillore dhe të mesme komunikimin formal dhe sjelljen fizike mes nxënësve e adoleshentëve dhe kupton se aty ka një habitat të pasur për dhunë. Ka bullizëm të dukshëm dhe ekstrem, ka mosrespekt, ka një klimë ku individi i matur, i edukuar dhe i kulturuar ngjan si gjethe e pastër në llucën e vulgaritetit. Trupa arsimore duket thuajse e dorëzuar dhe e falimentuar, në një betejë me familjarët e nxënësve se kush ka përgjegjësinë për edukimin e fëmijëve dhe adoleshentëve.
Nga ana tjetër rrjetet sociale por edhe media në një garë të ethshme për audiencë, prodhojnë e promovojnë pa ndalim modelet e gabuara të suksesit dhe famës. Pasurimi i shpejtë, protagonizëm i pakuptimtë se më i forti, abuzuesi dhe intrigant, janë modele suksesi duke nisur nga lagja, rruga, shkolla apo çdo ambient publik. Llastimi dhe mbyllja e syve herë nga vaniteti familjar e herë nga injoranca i shtyjnë të rinjtë të jenë të motivuar për protagonizëm që shpesh përkthehet në dhunë. Dhunë ka brenda llojit, djem me djem, por nuk mbetet pas as dhuna mes vajzave me vajza por edhe mes djemsh e vajzash. I forti është më i bukuri, i forti është më i suksesshmi, i forti është më i privilegjuari, i forti është i duhuri.
Një shoqëri që ftohet në mënyrë të vazhdueshme të përputhet me mendësinë e të fortit, të përputhet me injorancën, të përputhet me materializimin, një shoqëri që përputhet me dembelizmin dhe oportunizmin është e destinuar të prodhojë e të ketë viktimat e saj në çdo kohë. Ndërkohë një media që merret me makijazhin e shoqërisë dhe jo me plagët sociale të saj, thjeshtë bëhet me ose pa dashje, jo vetëm bashkudhëtare por edhe bashkëpunëtore a kontributore në krimin social/shoqëror që në fakt nuk është gjë tjetër veç se “krahu virtual” që në dorën e tij mban thikën që u ngul në trupin e atij adoleshenti që humbi jetën fatalisht në Tiranë e të çdo adoleshenti që do të humbë jetën pa kuptim në marrëzinë që vetë ndërtojmë dhe ushqejmë çdo ditë me tolerancën dhe indiferencën tonë shoqërore.
Për të parandaluar këto tragjedi duhet një bashkëveprim i madh dhe i gjerë shoqëror, mes familjes, shkollës, shoqërisë në tërësi dhe medias në veçanti. Deri sot ky kuartet është tërësisht i ç’akorduar dhe muzika që dëgjojmë në formën e një lajmi të zi, është ajo funebër që përcjell jetë në botën tjetër!