Videoja e saj mahniti rrjetin këtë verë! Me një hedhje spektakolare nga shkëmbi në lumin e Kirit, Roza Metushi, 90- vjeçarja nga Shkodra, i befasoi të gjithë. Ajo ka 8 fëmijë, 32 nipër e mbesa dhe është bërë stërgjyshe 21 herë.
Për të, aventura ka qenë gjithmonë pjesë e jetës. Edhe pse prej 24 vitesh jeton në Angli, kthimi në natyrën shqiptare është si kthimi tek vetvetja.
Përmes një interviste në programin “Rudina” në Tv Klan, ajo zbulon edhe sekretin e saj të jetëgjatësisë dhe shëndetit të mirë.
“Për të ngrënë e për të pirë, kam gatuar vetë gjithmonë. Gjëra të thjeshta, larg ëmbëlsirave, larg sheqerit, larg këtyre gjërave dhe ia kam deri sot me shëndet. As kam bërë gjilpëra kurrë, as më dhemb trupi. Ndihem krenare, si 19 vjeçe.”
Për programin, Roza bën edhe një hedhje tjetër duke dëshmuar se mosha është thjesht numër. Ajo ndan edhe një këshillë për të rinjtë.
“Të rinjve u jap një këshillë, kudo që ndodhen, të kenë dashuri, harmoni e larg punëve të këqija”, përmbylli Roza.











