Janë gjashtëmbëdhjetë punonjës me kontratë në vepër në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila udhëhiqet nga Hashim Thaçi, që po i marrin pagat me para në dorë. Ndonëse për këtë çështje po heshtin Ministria e Jashtme edhe ajo e Financave, gazeta “Zëri” një gjë të tilla e ka konfirmuar në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike në Kuvendin e Kosovës.
Zëvendëskryetari i parë i këtij Komisioni, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ali Sadriu, ka konfirmuar se tashmë në Komision është dërguar një raport, ku ndër të tjera ceket edhe kjo çështje.
“Ka mbërritur vërejtja si e tillë. Raportin e kemi marrë. Do ta shqyrtojmë dhe ajo do të jetë publike”, ka thënë shkurtimisht për “Zërin” Sadriu, pa u lëshuar në detaje tjera.
Por siç ka mësuar “Zëri” nga burimet e saja brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, që udhëhiqet nga Hashim Thaçi, tashmë në këtë Ministri ka arritur një vërejtje lidhur me këto pagesa nga Departamenti i Thesarit.