Fundi i vitit 2016 është koha kur Kosovës do t’i hapen dyert dhe do të liberalizohen vizat. Kështu është shprehur zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media të hënën pas ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Thaçi ka thënë se ky është një moment i veçantë historik i rrugëtimit të shtetit të Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Sipas Thaçit, ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje është mesazhi më i mirë i orientimit të politikës, institucioneve dhe qytetarëve kosovarë. “Ky hap sot i ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian është edhe mesazhi i qartë se e ardhmja për liberalizimin e vizave është shumë më e afërt, është e prekshme, që do të ndodhë në të ardhmen shumë të afërt.