E kishte premtuar në ditën e prezantimit të tij që do të rikthente titullin në Bombonera dhe e mbajti fjalën. Carlos Tevez është kampion i Argjentinës me Boca Juniorsin e tij. Pas tre viteve të vështira skuadra nga Buenos Aires, u ngjt sërish në majën e futbollit argjentinas duke lënë pas të gjithë rivalët për të fituar titullin e saj të 25-të në histori. Akti i fundit që coi Bocën drejt triumfit u zhvillua në Bombonera edhe pse ndaj Tigres luhej për javën e parafundit të kampionatit. Në një stadium ku mbizotronte bluja dhe ngjyra e arit, Boca Juniors mposhti me rezultatin 1-0 Tigren falë një goli të Monzon në minutën e 42-të duke bërë të lumtur më shumë se 55 mijë tifozë që kishin mbushur përtej kapacitet normal shkallët e Bomboneras.
Një gol që i mjaftoi Bocës për të ruajtur avantazhin prej 6 pikësh ndaj San Lorenzos në klasifikim, dhe për të festuar në fund titullin e 25-të kampion në histori. Një titull i fituar nën shenjën e Carlos Tevez. Edhe pse erdhi te Boca kur kishin kaluar 16 javë kampionat më shumë se gjysma, Apashi u kthye në një nga protagonistët kryesorë në triumfin e skuadrës së trajnerit Rodolpho Arruabarrena me 5 gola të shënuar dhe 2 asiste në 12 takime. Një lider i vërtetë si në fushë ashtu edhe në dhomat e zhveshjes. Kampionati i parë me 30 ekipe dhe titulli i parë për Boca Juniorsin që për meritë edhe të Carlos Tevez ka grumbulluar 64 pikë në 29 ndeshje, 6 më shumë se San Lorenzo dhe 8 më tepër se Rosario Central dhe Racing Club.
SUPERSPORT