Kaosi në transferimin e ruajtjes të kampit Al Hol në Siri prej forcave kurde tek ato qeveritare siriane, u shfrytëzua prej shumë grave dhe fëmijëve për t’u larguar. Të njëjtën gjë bëri edhe 20-vjeçarja shqiptare Eva Dumani.
Pas 6 vite në ferrin Al Hol, Eva ia doli të kaloj gardhin rrethues të kampit, paraditen e datës 1 Shkurt.
Tre ditë më pas me ndihmën edhe të një zyrtari të inteligjencës siriane, me këtë makinë të bardhë Renault udhëtoi gjatës natës drejt pikës kufitare siriano-turke të Hatait.
Atje e priste daja i saj Xhetan Ndregjoni moment i fiksuar në këtë video.
Ditët e para në liri Eva Dumani, i kaloi në rajonin Adana në shtëpinë e Erven Kaya kryetar i shoqatës të shqiptarëve në këtë qytet.
Erven ekskluzivisht për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, rrëfeu bisedat me Evën tashmë e lirë pas plot 12 vite vuajte në Siri.
Eva i ka treguar se babai i saj, Shkëlzeni, i cili u vra disa javë pasi kishte mbërritur në Siri në vitin 2014, i kishte thënë asaj se bashku me vëllain Endrin do të shkonin për shëtitje, pa e ditur se ku po shkonin.
Në shtëpinë e tij thotë Erven, Eva pjesën më të madhe të kohës e kalonte me nënën e tij e merakosur se çfarë do të vendosnin autoritetet turke.
Erven Kaya: “Eva 8 ditë ka qëndruar tek ne. Eva kur erdhi ishte e çliruar se ndodhej mes shqiptarëve. Por prapë dukej se ishte disi nervoze pasi kishte 12 vite që nuk kishte parë nënën dhe familjen. Në atë kamp kishte shumë shqiptarë. Këtë kam marrë vesh prej saj”.
Erven tregon se vëllai i tij përktheu bisedën e Evës me zyrtarët e inteligjencës turke pasi ata u vunë në dijeni nga inteligjenca shqiptare pasi ajo kishte hyrë në territorin turk.
Erven Kaya: “Autoritetet turke kanë patur një lloj shqetësimi për Evën sa i përket terrorizmit pasi Siria vijon të ketë shumë probleme”.
Dhe pak momente përpara udhëtimit të Evës drejt Shqipërisë të shtunën e shkuar disa foto me Xhetan Ndregjonin i cili mbylli një kapitull 12 vjeçar të mundimshëm me shumë udhëtime drejt Turqisë dhe Irakut për te sjellë mbesën në shtëpi siç ia kishte premtuar të motrës, Mides.











