Nga Ben Andoni
Opozita në Kosovë është përballur ditët e fundit me një sfidë të vështirë që lidhej me performancën e saj para faktorit ndërkombëtar. Dhe, realisht javën e shkuar mu para zyrtarit më të lartë austriak, megjithë kundërshtitë gjetën idenë të shpalosin sërish slogane në parlament, por pa vazhduar me bojkot dhe tymhedhëset. Pak ditë më vonë firmosën edhe MSA-në duke mbetur realisht pa një kauzë reale për të vazhduar. Por, kjo s’ka të bëjë më shumë me argumentin tonë sesa reagimin e pakët qytetar në Kosovë. I lodhur, i drobitur, i keqpërdorur publiku kosovar, njësoj si ai në Shqipëri ka mbetur realisht pa busull. Por ndërsa në Kosovë, publiku pret në çdo moment hapat e mëtejshëm të MSA-së që do të përkthehen në liberalizimin e vizave dhe lehtësirat e tjera, në Shqipëri pret lehtësimin që do vi nga reformat. Të dyja duken larg mes spirales ngritëse të korrupsionit dhe gabimeve të qeverive respektive.
E ndërkohë ndërsa detyrat e MSA-së në Kosovë bëhen më të vështira me opozitën aktuale, që edhe mes vete ka probleme jo të vogla, në Shqipëri reformat po duken gati të pamundura. Kjo jo vetëm nuk po bën përshtypje në publik, por e ka zgjatur apatinë. Publiku realisht s’ka drejtim sepse edhe alternativat politike janë shumë afër atyre të qeverisjes.
Aqsa megjithë problemet e mëdha të qeverive respektive: në Kosovë me rastet e shpeshta të korrupsionit, kurse abuzimet e fundit në Shqipëri kapin gati 1 miliard Lekë, të gjitha këto as nuk mund t’i trandin njerëzit që janë kthyer thjesht në soditës të lodhur. Përveç protestës së pensioneve prej ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe romëve në Shqipëri me studentët, gjithçka duket e fashitur.
Një paralele tjetër e Prishtinës sa i përket reagimit hiqet me Tiranën, ku përgjatë të gjithë verës, njerëzit e opozitës premtuan për protesta masive. Kauzat i kishin gati dhe gjëndja ekonomike me borxhin e brendshëm dhe papunësinë e madhe në Shqipëri ua jepte të gjithë mundësinë e masivitetit. Por mos sinqeriteti që filloi nga Opozita prej mungesës së analizës së zgjedhjeve dhe kauzat pa forcë, flirtet indirekte me qeverinë e kanë bërë publikun këtej kufirit krejt indiferent. Njësoj në Kosovë, ku duket qartë lufta për pushtet. Dhe, testi që bëri PD-ja në fund të shtatorit me përkujtimin e heroit të demokracisë Hajdari qëlloi i tmerrshëm për zotësinë e strukturave sesa njerëz mund të mblidhnin. Për të nderuar të ndjerin nuk erdhën as edhe deputetët duke treguar se opozitat në Kosovë e Shqipëri i ka mbytur informaliteti i idesë.
Vetëm se nëse për Kosovën kauza është gjithnjë e ngritur pasi flitet shpesh kundër forcave të huaja që s’duan integritetin e vendit, për Shqipërinë protestat janë bërë një makth për energjinë e çuar njerëzore, pasojat dhe përdorimin, që i bëhet shqiptarit të thjeshtë. Këtë të fundit në mënyrën më të tmerrshme, pasi njerëzit e Gërdecit po riciklohen ngadalë, kurse ata për të cilët u bë 21 Janari janë në pushtet dhe sërish të fortë.
Ndaj qytetarëve shqiptarë tashmë do u duhet të gjejnë forma të tjera dhe duket se vezët e studentëve mbi Ramën ishin të parat, ashtu sa i përket Kosovës kur Haradinaj mori një shpullë publike nga Peja, ku kryekomunari e akuzoi atë direkt për forcën e padronit. Mbase ky është hapi i parë që pret të tjerat në vazhdim, e që ende nuk dihet se ku do mund të shkojnë. Të paktën të rinjtë që dolën dje nga policia e paralajmëruan këtë.