Një 40-vjeçar është vënë në pranga nga Policia në Maliq, pasi kishte qëlluar me armë zjarri duke terrorizuar banorët. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Orman.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Orman, një shtetas po qëllonte me armë zjarri, duke terrorizuar banorët dhe rrezikuar jetën e tyre, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’, shërbimet e Policisë lokalizuan, neutralizuan dhe vunë në pranga shtetasin K. A., 40 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq, i dënuar më parë për vjedhje dhe për prodhim e shitje të narkotikëve.”, ka bërë me dije Policia.
Në vendngjarje u sekuestruan arma e zjarrit tip kallashnikov dhe municion luftarak. Po ashtu, bëhet me dije se gjatë kontrollit në banesën e 40-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Në pranga ra edhe një shtetas grek, D. P., 48 vjeç, që ishte bashkë me 40-vjeçarin në momentin kur ai qëllonte me armë zjarri.
Shtetasi grek kishte ardhur në banesën e 40-vjeçarit për të kërkuar flori me anë të aparatit metalkërkues, i cili dyshohet se ishte sjellë prej tij nga Greqia.










