Nga Alfred Peza
Rrallë ndodh me mediat e ndonjë vendi tjetër të botës, që të ketë një disporporcion si tek ne, mes mbulimit të një lajmi nga gazetarët vendas, në raport me hapësirën që i japin të njëjtit lajm për Shqipërinë, mediat ndërkombëtare. Që do të thotë se, për një ngjarje që prek qytetarët shqiptarë, nuk mund të flitet më shumë në mediat e huaja, sesa këtu.
I tillë është lajmi për dëbimin nga ana e qeverisë shqiptare, pak ditë më parë, të ambasadorit të Iranit dhe një diplomati tjetër. Motivacioni nuk kishte lidhje me diçka dosido, por për shkak se dy diplomatët, “kishin planifikuar akte terroriste” në vendin tonë. E kur e mendon se terrorizmi mbetet një nga sfidat më të mëdha globale dhe se kur godet ai nuk zgjedh, atëherë propabilisht, gjithkush prej nesh është i ekspozuar përpara rrezikut. Për rrjedhojë ngjarja duhet të ketë një interes të shtuar në raport me shumë të tjera.
Aq i rëndësishëm ishte ky lajm, sa si rrallëherë në këto 28 vjet, kemi një letër të Presidentit Amerikan Donald Trump për Kryeministrin Edi Rama, por edhe mesazhe nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bold dhe sekretari i Shtetit, Mike Pompeo. Por as lajmi se kishim të bënim me dëbimin e një ambasadori dhe diplomati të një shteti tjetër, as lajmi se ishte identifikuar dhe shmangur një sulm tërrorist brenda territorit të Shqipërisë dhe as fakti se tre përfaqësuesit më të lartë politikë dhe të sigurisë së SHBA i shkruan kreut të qeverisë në Tiranë, nuk i është dukur ndonjë farë lajmi mediave tona.
Një qëndrim ky kryekëput i ndryshëm ky fjala vjen, i mbajtur jo vetëm për mbledhjen e radhës së Kryesisë së PS prej afër 6 orësh ndërkohë që ajo po zhvillohej dhe më pas. Por kjo, edhe në raport me lajme e zhvillime të tjera, më pak të rëndësishme. Për mbledhjen e kupolës socialiste, megjithëse as nuk kishte e as nuk u fol asnjë ndryshim në qeveri e për ndonjë temë tjetër të preferuar, lajmet, komentet, analizat, emisionet, debatet, postimet në rrejtet sociale dhe shumëçka tjetër do të vazhdojnë të meren me të.
Ndërkohë që për lajmin tjetër, atë për dëbimin e dy diplomatëve të lartë që planifikonin sulme terroriste në shtëpinë tonë, nuk ka asnjë kronikë, asnjë investigim, asnjë analizë, asnjë koment, asnjë emision dhe asgjë tjetër. A thua se e gjitha për çfarë flitet, nuk ka lidhje asfare as me Shqipërinë e as me mundësinë që target i saj nesër, të mund të jetë kushdo i njohuri ynë i pafajshëm.
Ky qëndrim të bën të reflektosh, nëse rikujtojmë se jo më larg sesa në mars të po këtij viti që po lemë pas, u eleminua në momentin e fundit, një tjetër tentativë për një tjetër akt terrorist që vinte nga i njëjti drejtim. Pasojat e tij mund të ishin fatale dhe kishin si target anëtarët e lëvizjes kryesore opozitare të Iranit, “Muhaxhedinët e Popullit Iranian”, të cilët ishin mbledhur në Tiranë, për të festuar Vitin e Ri Iranian, ose siç njihet ndryshe edhe tek ne, si Festa e Novruzit.
Përveç kësaj, Shqipëria fatmirësisht deri më sot ia ka dalë në bashkëpunim me shërbimet sekrete të vendeve partnere perendimore, që ti shmangë sulmet terroriste. Ato kanë kërcënuar sigurinë tonë kombëtare, edhe shumë vite më parë, kur filloi pastrami i celulave të terrorizmit islamik nga vendi ynë.
Në shënjestër të organizatave terroriste atëherë kanë qenë edhe objektiva të përfaqësive perendimore në Tiranë. Çka do të thotë, se nuk kemi të bëjmë me një lajm rreth një zhvillimi aksidental, por me një rrezik eminent, që përcëritet në kohë, rrethana e me aktorë të ndryshëm në Shqipëri.
Pyetja që shtrohet është, se çfarë fokusi do të kishte në mediat e tyre profesionale, ky lajm që u injorua këto ditë në Shqipëri, nëse do të kishte ndodhur në një vend le të themi perendimor? Me siguri, tjetër peshë dhe hapësirë, pasi edhe rreziku që vjen nga terrorizmi, ka qenë, është e do të mbetet një nga lajmet më të rëndësishme që mësohet në çdo manual për raportimin dhe shkrimin e lajmit.
Gjithësesi, më e rëndësishme se kjo dhe më i rëndësishëm se çdo diskutim tjetër rreth kësaj teme, është fakti se tentative e Iranit për një sulm kundër objektivave të saj në Shqipëri, dështoi. Le tia vemë “fajin” mbledhjes 6 orëshe të PS këtë radhë, që për ngjarjet si kjo për të cilat ne heshtim, mediat e botës vazhdojnë që ti bëjnë jehonë në Shqipëri.
a.ç