• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, February 7, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Terrori i kotësisë

by Ben Andoni
16/09/2025 10:12
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Ben Andoni

Çfarë po e lodh më së shumti qytetarin shqiptar të viteve e dekadave të fundit është kotësia me të cilin rrethohet krejt jeta e tij! Kjo kotësi është e tillë saqë e ka zbrazur nga gjithçka: Shpresa, normaliteti i përditmërisë dhe ëndrrat. Në literaturë: Zbrazëtia si një gjendje njerëzore përshkruan një ndjenjë mërzie të përgjithësuar, alienimi shoqëror, nihilizmi dhe apatie. Bashkimi i gjithë këtyre elementëve sot shoqëron çdo aspekt të jetës tonë. Shqiptari i thjesht e përball si pasojë gjendjen nga produkti televiziv; nga arroganca e politikës dhe mospërfillja e saj ndaj qytetarit (fill pasi merr votën); e has në deklarime publike të ofiqarëve dhe në fund shqiptarit të thjeshtë i vjen në mungesën e vlerave dhe në padrejtësinë që tashmë ka qytetari të plotë. Për një shoqëri si jona me ulje-ngritje të vazhdueshme, batërdi burokratësh, kaotizmin dhe befasitë e panumërta ka edhe një sens që lidhet me rrotacionet e shpeshta (jo në politikë por në punësimin) dhe mungesën e respektit të karrierës dhe traditës. Dikur mund të kesh qenë një person i nevojshëm dhe të tjerë më të paaftë të referoheshin, tashmë janë ata që ekzistojnë në punët më të paguara dhe të vlerësuar në shoqëri, kurse ti je e mbetesh këtej e tutje me të gjithë bagazhin tënd profesional një numëror demografik. Ka pasur vlera ose objektiva që u je kushtuar por tashmë ato janë të shumëzuara me Asgjënë. Ç’është më e keqja askujt nuk i bën kjo përshtypje!? Mënyrat e reja që do të gjesh për mbijetesë nuk shfaqen ose ndonjë shpresë e vakët do gjendet në fund të tuneleve gati pa dritë. Shumë profesionistë shqiptarë e kanë zgjidhur dhe do ta realizojnë duke ikur nga vendi, një nga alternativat më të mundshme. Të tjerë që nuk munden do të gjejnë zgjidhje të tjera. Një pjesë do jenë gjithë sy e vesh nga arritjet dhe nga politika, e cila mbush dhe e sakaton jetën tonë. Kryeministri është detyruar thjesht ta theksojë këtë, kuptohet duke ua lënë barrën vartësve. A mund ta mbushim jetën duke i dalë ndesh kësaj zbrazëtie? Ka një lloj perceptimi në shoqëritë moderne se zbrazëtia e individit lidhet edhe me ideologjitë politike, kur e kupton qartë se angazhimi yt ose shpresa në njërin prej tyre syresh del fiasko (historia e jonë e përcjell nga zhgënjimi i shumë personaliteteve pas tre regjimeve ekonomiko-shoqërore). Në Shqipëri, zbrazëtinë e vërtetë e kupton pas akumulimit të një përvoje dhe dëshirën për ta adresuar, por të cilës i mbyllen dyert nga njerëz pa identitet që Qeverisjet Rama i kanë prodhuar pa fund duke nënkuptuar se i gjithë kontributi i aksh njeriu ka qenë një kotësi. Dhe, kotësitë që mbeten të ngulitura në nënvetëdijen e shqiptarit janë të shumta. Kuptohet kur e gjykon nga njerëzit dhe rrethanat që të kanë penguar.

Sociologët dhe terapistët e lidhin gjendjen me historitë e mbajtura fshehur të përvojave njerëzore me çrregullimin e hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes, problemet e personalitetit e deri në probleme sezonale, shkruan në një artikull Moya Sarner, një specialiste tek “The Guardian”. Për fatin e keq nuk shikohet se është e përditshmja, ajo që bën qoftë edhe një i pandërgjegjshëm, më së shumti i paditur për të shkatërruar jetën e shqiptarit të thjeshtë. Dhe, kjo gjendje në shoqërinë shqiptare është kthyer në terrorin e boshllëkut, ku një pjesë jona nuk përqendrohet dhe nuk i jepet mundësi të angazhohet apo të punojë në punë me interes afatgjatë. Nuk flasim më për shkarkimet, humbjet e punëve, apo për mënyrën sesi po e zbehin jetën e individit shqiptar në çdo aspekt.

Përballë kësaj kemi vanitetin, koncept i cili në kuptimin më të përgjithshëm klasik përshkruhet si mendjemadhësi dhe që në shoqërinë tonë e nënkupton realisht zbrazëtinë tonë. Kjo e keqe tashmë është kthyer në një banalitet. Për hir të së vërtetës, vaniteti është duke e shkatërruar shoqërinë shqiptare. Është një listë e tërë ish-ministrash, drejtorësh, drejtuesish që vanitetin e tyre e kanë përcjellë me një vulgaritet të pakufi me pasoja mbi pronësitë në pasuritë e vendit dhe në prishjen e fatit të kushedi sa njerëzve. Një studim që mund të bëhet në të ardhmen, lidhur me këtë temë, parashohim të jetë me gjetje deri tragjike. Rastet e shumta që përcjell media me ish dhe sërish deputetë, me ish dhe sërish ministra është shqetësuese, me drejtorë të paskrupullt është gati vrasëse për tjetërsimin dhe hajninë, por edhe për fatin e individit shqiptar dhe hierarkinë e vlerave tek ne. Ky vanitet tashmë po e shkatërron vendin dhe shpresën, ky po e ushqen paq zbrazëtinë. Një sociolog i sprovuar si Weber këtë ndjesi ia atribuoi politikës së një shekulli të shkuar, kur jetoi. “Çdo ditë dhe çdo orë, politikani duhet të kapërcejë brenda vetes një armik mjaft të parëndësishëm dhe tepër njerëzor: një vanitet (kotësi) mjaft vulgar”, shkruan Max Weber tek “Politika si profesion”. Mendimtari Weber e shtjellon pastaj idenë se: Kotësia e kohëve të tij ishte një gjendje mjaft e përhapur, mbase askush nuk mund të ishte krejtësisht i lirë prej saj. Dhe në shembullin e tij krahasimi i parë i këtij koncepti përcillej me qarqet akademike dhe shkencore, madje e konsideronte mes tyre si një lloj sëmundje profesionale. Në fakt, burimi i kotësisë tek ne lidhet me politikën dhe mënyrën sesi luftohet për t’u bërë politikan.

Në këtë sens, kotësinë dhe vanitetin që e ka përcjellë turpshëm politika dhe fytyrat që e drejtojnë vendin prej dekadash, të bëjnë të kuptosh se në përpjekjen e tyre për pushtet nuk e kanë parë dhe nuk u bën përshtypje mbjellja e gjendjeve të tilla kaq shkatërrimtare nga ana psikologjike për jetën e shqiptarit të thjeshtë. E po të futemi në realitetin e shifrave, atëherë gjendja do ishte e frikshme. Të kujtosh nivelin e varfërisë dhe shqiptarët e ikur trandesh. Ndaj Rama shikohet si makth sot, kurse Berisha në masë nuk merret më seriozisht, veç kur mendon se ku ka mbetur opozita shqiptare. Ndërsa i pari lidhet me humbjen e shpresës së shqiptarit; i dyti shikohet si njeriu që i vuri vulën ëndrrave për ndryshim të njerëzve. Për Weber-in ishte e qartë por në sensin kanonik për politikanët: “Instinkti për pushtet” bën pjesë në kualitetet e tij normale, theksonte. Dhe, këtu merrte fund moraliteti i pushteti politik, sepse ai mendonte për kënaqësinë e vet, në vend të vihej në shërbim të ‘çështjes’. “Sepse përfundimisht ka dy lloje të mëkateve vdekatarë në fushën e politikës: njëanshmëria dhe-shpesh, por jo gjithmonë, e ngjashme me këtë përgjegjësi: papërgjegjshmëria. Po kotësia: nevoja për të rënë sa më shumë në sy, e fut në ngasje politikanin, për ta bërë njërën nga të dyja, ose të dyja bashkë”. Dhe politikani i sotëm aktron, kurse falë mënyrës sesi është ndërtuar politika tek ne dhe rrjeteve sociale dhe algoritmeve të ndryshme është një aktor që mendon më shumë për audiencën, e cila me votat e saj i ushqen mbijetesën dhe këtë vanitet torturues për publikun. Në këtë aspekt dhe duke bërë një krahasim të vakët me gati një shekull të shkuar kur jetoi Weber kemi kuptuar zbrazëtinë dhe vanitetin (kotësinë) e politikës, por edhe fatin e trishtë që i përcillet individit shqiptar. Humanizmit që mbart vlerat më të mëdha (tashmë të munguara) po i vihet përballë veprimtaria politike, banale me një terror vaniteti (kotësie) që po na e bën zbrazëtinë tonë gjendje të përhershme. (Homo Albanicus)

Next Post
“Do t’ju mbështesim”, Marta Kos: Shqipëria duhet të japë rezultate me reformat!

“Do t’ju mbështesim”, Marta Kos: Shqipëria duhet të japë rezultate me reformat!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Vendimi 4-4 në Kushtetuese për Ballukun, cilët gjyqtarë votuan pro dhe kundër

Vendimi 4-4 në Kushtetuese për Ballukun, cilët gjyqtarë votuan pro dhe kundër

February 6, 2026
Qeveria ankimoi pezullimin nga detyra të Ballukut/ Kushtetuesja kalon çështjen për shqyrtim me 5 vota pro

Vendimmarrja e çështjes Balluku, çfarë thuhet në njoftimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese

February 6, 2026
Dosja Epstein trondit edhe Hollywood-in, dalin emrat e Jay Z, Leonardo DiCaprio, George Clooney dhe “vajzat interesante të Kopenhagenit”

Dosja Epstein trondit edhe Hollywood-in, dalin emrat e Jay Z, Leonardo DiCaprio, George Clooney dhe “vajzat interesante të Kopenhagenit”

February 6, 2026
VIDEO/ E mendonin të vdekur, ushtari ukrainas telefonon nënën nga fronti i luftës

VIDEO/ E mendonin të vdekur, ushtari ukrainas telefonon nënën nga fronti i luftës

February 6, 2026
Zbulohet audio ku prokurori Ols Dado ankohet për lobimin e kryebashkiakut Veliajt në SHBA

Zbulohet audio ku prokurori Ols Dado ankohet për lobimin e kryebashkiakut Veliajt në SHBA

February 6, 2026
Analiza: Nga Orban te Trump, autokratët e rinj po shkatërrojnë arritjet e vitit 1968

Kryeministri hungarez Orbán hedh sytë në Kili

February 6, 2026
Vrasja e 26-vjeçarit shqiptar në Angli, dënohen me burg përjetë dy autorët

Vrasja e 26-vjeçarit shqiptar në Angli, dënohen me burg përjetë dy autorët

February 6, 2026
Balluku: Qeveria dhe partnerët e OKB-së vijojnë punën për një Shqipëri më moderne. Jemi më të fortë e më afër BE

Kërkesa për pezullim/ Kushtetuesja del barazim për Ballukun, rrëzohet kërkesa e qeverisë

February 6, 2026
Shqipëria në Milano-Cortina 2026, Rama uron ekipin olimpik: Flamuri kuqezi valëvitet në “San Siro”!

Shqipëria në Milano-Cortina 2026, Rama uron ekipin olimpik: Flamuri kuqezi valëvitet në “San Siro”!

February 6, 2026
“Po rritet trysnia ndaj gjyqtarëve”, KLGJ: Qëndrime të tilla cenojnë figurën dhe dinjitetin e tyre!

“Po rritet trysnia ndaj gjyqtarëve”, KLGJ: Qëndrime të tilla cenojnë figurën dhe dinjitetin e tyre!

February 6, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In