Tërmeti i 26 Nëntorit vrau 51 njerëz dhe shkatërroi pallate dhe banesa të tëra. Këtyre dëmtimeve nuk i ka shpëtuar as banesa e Gjergj Daçit në fshatin Baz të Burrelit.
Në një denoncim në redaksinë e tvklan.al, familjarët shprehen se shtëpia është shkatërruar dhe gjatë gjithë kohës ekziston frika e shembjes.
Sipas tyre, tërmeti i 26 Nëntorit është ndjerë disa herë edhe në atë zonë, por deri më tani nuk është paraqitur asnjë teknik për të vlerësuar situatën.
“Shtëpia ndodhet pranë rrugës nacionale Tiranë-Burrel. Ka shumë dëmtime, kjo si pasojë edhe e tërmetit pasi është ndjerë disa herë edhe këtu. S’ka ardhur asnjë teknik për të vlerësuar nëse kjo shtëpi ka siguri apo jo. Kjo shtëpi është shumë e vjetër brenda saj jetojnë 8 persona. Shtëpia është e shkatërruar dhe ekziston frika e shembjes çdo sekondë. Familja ka nevoje për ndihmë dhe ju lutem publikojeni që dhe këtej të vijë ndonjë teknik ta shqyrtojë situatën. Shiko çfarë gjendje është shtëpia. S’dinë as ku të drejtohen sepse të gjithë janë përqendruar në Durrës dhe Thumanë ama ka plot vende të tjera që shtëpitë janë në gjendje të rëndë”.
Sipas denoncuesve shtëpia është e vjetër, pa kolona dhe nuk ka asgjë që ta mbrojë. Ata shprehen se edhe në atë zonë ndihen shumë lëkundjet. /e.s/