Nga Andrea Bënja
Më 27 Janar, ambasadori i Shqipërisë në Pekin, nëpërmjet një mesazhi prekës në lidhje me situatën e rëndë që po kalonte Kina, i bënte thirrje shqiptarëve që jetonin atje të prisnin biletat e avionëve e të largoheshin. Asnjë i infektuar nuk kishte mes rreth 400 shqiptarëve që ndodheshin në shtetin kinez, prej të cilëve 60 studentë. “Kemi vetëm një studente në Wuhan për të cilën po bëjmë çdo përpjekje ta nxjerrim …”.
Lajmi më zgjoi shume kujtime, ato ndryshonin nga mesazhi prekës i ambasadorit për t’u larguar sa më shpejt nga Kina, prej situatës së krijuar nga koronavirusi. Kujtimet kishin filluar që prej tërmetit të fuqishëm të 26 Nëntorit në Shqipëri, pikërisht atëherë kur filloi virusi në Kinë dhe, më pas nga takimi me Ilirin, në ditët e fundvitit që sapo kaloi.
* * *
Katër studentë, të mbledhur në njërën nga dhomat e katit të dytë të godinës së studentëve të huaj, diskutonin me gjallëri pushimet e dimrit që i prisnin. Ishte 4 shkurt 1975. Pas provimeve të sezonit të parë në Universitet, kishin refuzuar aktivitete e ftesa, dhe kishin kërkuar që ato dy javë pushime ti kalonin pranë shoqërisë së tyre në Pekin. Miratimi ishte marrë nga personeli i ambasadës. Vitin e parë të studimeve e kishin kaluar në mësimin e gjuhës kineze në Pekin. Ju mungonte jeta e atjeshme, qyteti me zhurmë, ëndrrat, parqet, dhe miqësia e moshës. Mbërritën në Kinë në fundin e 1973, pikërisht në periudhën e goditjes që pësoi arti dhe kultura në Shqipëri, me ndryshime e dënime të pamerituara. Ishin me fat që u larguan në atë kohe. Muzika e arti i asaj periudhe ju kishte mbetur thellë në shpirt e ju tingëllonte akoma fuqishëm. Mbasditeve mblidheshin nëpër dhomat e konvikteve të Institutit të gjuhëve të huaja në Pekin e këndonin me kitarë atë muzikë “të ndaluar”. Shpesh këngët e muzikës së artë të atyre viteve që këndonin,duartrokiteshin nga studentet italiane, angleze apo studentë të tjerë të huaj,që uleshin në shkallët pas derës së tyre.
Viti i Ri Kinez ishte shumë pranë dhe studentët kinezë ishin larguar shpejt për të qenë pranë familjeve të tyre. Studentët e huaj gjithashtu nuk kishin pritur gjatë të fillonin pushimet. Ata katër studentë të huaj kishin mbetur aty të fundit. Njëri nga ta isha unë.
Papritmas biseda u ndërpre nga një zhurmë e madhe tërmeti, nga një tronditje e lëkundje që na hodhi përpjetë të gjithëve,duke vrapuar në drejtim të derës që nuk ishim në gjendje ta hapnim. Ndoshta në një moment drejtimi i lëvizjes paralelizoi derën me kanatin e saj dhe të gjithë fluturuam në korridorin e shkallët e gjëra. Në katin e parë, portieri i asaj mbrëmjeje ishte Lao Muja me fytyrën gjithnjë rozë e të qeshur, i cili i përkiste pakicave kombëtare ujgure dhe nuk dëgjonte mirë. Ai nuk kuptonte se çfarë po ndodhte. Disa ditë më parë Lao Muja kishte trokitur në derën e dhomës time duke sjellë një pako nga ime më, ku ishte një enë qelqi e mbushur me glikot e saj të mrekullueshme, që vetëm ajo dinte ti bënte, si dhe një letër. Ndërkohë që lexoja letrën, i drejtova Lao Musë enën e qelqit si dhe një lugë që ta provonte, po kur e ngrita kokën përsëri, ai më buzëqeshte me enën pothuajse të boshatisur, ishte një pakujdesi e vogël. Edhe atë mbrëmje me trupin e tij të stërmadh,ai nuk po kuptonte, por në fund diçka sikur kapi dhe lëvizi në drejtimin e derës, gjithnjë i çuditur,dhe me vështirësi mundi që ta hapte. Më në fund ishim siguruar,ishim përjashta në rrugë.
Një lumë i paparë njerëzish mbushte rrugën e zbardhur përballë ndërtesës sonë. Nuk ishin parë ndonjëherë aq shumë njerëz që lëviznin ngadalë në atë rrugë të njohur. Koha kur e shikonim atë rrugë mbushur me njerëz ndodhte vetëm mbas leksioneve dhe drekës, që hanim në restorantin e vogël përballë. Universitet ynë kishte mbi 2200 staf akademik që banonin me familjet e tyre në rrethinat pranë, kryesisht brenda murit rrethues. Nga këto familje kishte shumë gjimnazistë që kur ktheheshin nga shkolla për në shtëpitë e tyre, kalonin përpara ndërtesës sonë. Nuk e humbnim atë moment të bukur, nxitonim të uleshim në betonet përpara ndërtesës, në stola apo ku të mundeshim, veçanërisht në ditët me diell, për të ndjekur atë paradë rinore. Shqiptoheshin gjithë humor emra nga të dyja anët, si nga ne ashtu dhe nga ana kineze, që me fytyrën e qeshur vazhdonin të përditshmen. Rituali mbaronte vetëm kur boshatisej rruga, e më tej pasohej me një ndeshje pingpongu apo me një pushim të shkurtër.
Por ajo mbrëmje ishte krejt ndryshe. Lëvizja e ngadaltë e njerëzve në rrugë, përfshinte të gjitha moshat dhe shpeshherë ndalonte në biseda të zgjatura. Shikoje pedagogë të universitetit me familjet e tyre, fëmijë, pleq e gra me bebet në krahë, mjaft grupe të rinjsh, dhe ne të katërt që ishim të vetmit studentë, që ende nuk ishim larguar. Takuam profesorin simpatik të fizikës, që si gjithmonë qeshte duke lëvizur këmbë e duar dhe vinte dorën përpara gojës sikur donte të kontrollonte të qeshurën. Origjina e tij jugore, nga Guangzhou, nga ai qytet i bukur dhe niveli i thellë i njohurive të tij, e bënte gjithnjë interesant. Takuam pedagogët çift të Vizatimit Teknik e Mekanikës me vajzën e tyre të vogël, që i kishim miq të mirë. Ishin profesionistë të fotografisë dhe unë kisha mësuar shumë prej tyre. Atë mbrëmje na u desh kohë të kuptonim se çfarë kishte ndodhur. Mbas pak kohe, ne ndjemë të ftohtin tek këmbët, ishim akoma me çarape në rrugën e mbuluar me dëborë. Mësuam shumë në atë xhiro, ndoshta si dikur në shëtitjen e njohur të bulevardit të Tiranës.
Mësuam se tërmeti kishte qenë shumë i fuqishëm, me magnitudë 7.4Mw me qendër në Haicheng të provincës së Liaoninit, në distancë rreth 140 km nga Sheniani ynë, qyteti ku studionim. Cilësohej si një nga tërmetet më të fuqishëm dhe i vetmi që ishte parashikuar me sukses në historinë e Kinës, duke përdorur si aparaturat e hershme tradicionale kineze ashtu dhe ato më të fundit. Kishte pasur rreth 2041 viktima, kryesisht njerëz të moshave të vjetra që nuk kishin dëgjuar të dilnin nga shtëpitë, apo banorë pranë Shenianit që ashtu si edhe ne nuk kishin arritur të njoftoheshin, ndoshta nuk i kishte ardhur radha të lajmëroheshin atyre distancave nga epiqendra. Lumi i njerëzve vazhdoi gjatë e ndihej shumë krenar për parashikimin e tërmetit në atë popullatë të dendur. Ata kishin të drejtë, ishin shpëtuar shumë jetë njerëzish.
Më tej sistemi i lajmërimit funksiononte mirë. Njoftimet bëheshin nëpër ndërtesa apo tabela, në radio, televizor apo radio-lëvizëse, ku përfshiheshin oraret dhe fuqia e lëkundjeve, shenjat dalluese, lëvizjet e kafshëve, peshqve, nivelet e ujit etj zhurmat apo dritat, që shoqëronin tërmetet, veprimet që duheshin apo nuk duheshin të kryheshin etj. Xhiroja u përsërit shumë herë, dhe për të qenë më afër rrugës ne u zhvendosëm në dhomat e katit të parë, ku flinim të veshur duke e mbajtur dritaren e pambyllur për të kërcyer sa më shpejt në rast tërmeti, në atë Vit të Ri të ftohtë kinez.
Atë mbrëmje vonë, kur nuk pati më parashikim lëkundjesh e të gjithë u futën nëpër shtëpia, ne të katërt njoftuam ambasadën për çfarë kishte ndodhur dhe për udhëtimin tonë të nesërmen në mëngjes për në Pekin. Tashmë studentët e tjerë të huaj, prej tërmetit ishin larguar edhe më në jug se Pekini, për të qenë më të sigurt prej lëkundjeve. Personi përgjegjës që na mbulonte,i cili flitej se ishte një profesionist i mirë i përpunimit të drurit, u shpreh se ishte dakord me ne, por duhet të fliste më parë me ambasadorin për gjendjen e krijuar. Përgjigja negative nuk vonoi, ne nuk duhet të largoheshim nga universiteti, biles duhet të shkonim e të ndihmonim në zonat e dëmtuara prej tërmetit. Vendim ky që çuditi edhe personelin e pakët që kishte mbetur në universitet pa u larguar akoma. Universiteti u përgjigj se nuk ishte e mundur të dërgoheshin studentë për të ndihmuar në zonat e dëmtuara,dhe aq më shumë të huaj. Për më tepër,çdo aktivitet publik ishte i mbyllur, kështu që mbetej ti kalonim pushimet e dimrit me dritaren e hapur,në katin e parë të godinës tonë, dhe aktiviteti i vetëm për ato pushime dimri do të ishte xhiroja e rrugës në dëborë, gjatë lëkundjeve që përsëriteshin vazhdimisht. Dhe ashtu bëmë, siç vendosi ambasadori…
Pushimet e mëparshme i kishim kaluar mjaft mirë në Shanghai, Nanjing, Wuxi e Hangzhou dhe të mëvonshmet ishin akoma më mbresëlënëse, pasi në verën që pasoi u kthyem me pushime në Shqipëri,të vetmen herë gjatë viteve të universitetit.
Por historia e tërmeteve do të rikthehej përsëri një vit më vonë, në pushimet e verës tjetër, në28 korrik 1976,kur kishim shkuar më në verilindje të Kinës, në Harbin, Changchun dhe Daqing (Taching) të provincës Heilongjiang. Pushimet ishin te bukura, dy të fundit ishin të njohura për industrinë e automobilave dhe të naftës, kurse Harbini ishte qytet mjaft i bukur. Një qytet i populluar në vite edhe me emigrantë rusë, i zbukuruar me racën e kryqëzuar kinezo-ruse,me ndërtesat tipike me kupola, që lyheshin çdo vit me ngjyra të forta e që mbaheshin mjaft më mirë se qytetet tjera. Harbini na la shumë mbresa. Hoteli ku qëndruam ishte në qendër të Harbinit, i cili pa periferinë kishte mbi 5 milion banorë. Dhomat ku ndenjëm shikonin nga lartësia qendrën, stacionin e trenit, katedralen dhe monumentet e heronjve. Ndjeheshe në një botë tjetër, në një qytet ndryshe dhe të largët, sikur gjendeshe në kufirin e largët aziatik midis dy “superfuqive”.Më kujtohet se diku në dyqanet e bukura kineze të kinkalerive, bleva një çift-kukull që komandohej nga një sistem sustash apo llastiqesh që krijonte pozicione të ndryshme qëndrimi të femrës e mashkullit, të vendosur përballë njëri tjetrit. I afroja përpara se të dilja nga dhoma, por i gjeja në ndarë kur kthehesha. Një punonjëse simpatike hoteli ishte konspiratorja. Me të u miqësuam, dhe kur ikëm na përcolli deri në stacionin e trenit.
Dhe pikërisht në ato ditë të bukura vere, një tjetër tërmeti fuqishëm goditi Kinën. Tërmeti i Tangshanit, në provincën e Hebeit, që me magnitudën 7.5 Mw rrafshoi qytetin e minatorëve me 1 milion banorë. Ishte një nga tërmetet më vrasëse të Kinës ku u raportuan vetëm 242,419 të vdekur, por që flitej për shumë më tepër, tre-katër herë më shumë. Nuk kuptoja përse nuk tregohej e vërteta! Duke qenë se tërmeti ishte më pranë kryeqytetit, studentët shqiptarë në Pekin e ndjenë shume më tepër. Ne e kaluam gjithë verën dhe fillimin e vjeshtës nëpër çadra, kujton Iliri, kur edhe ai ishte me pushime në veri-lindje në atë kohë.
Nga ballkoni i hotelit që dominonte nga sipër, shikonim trenat që mbërrinin plot, të organizuar mirë e të mbushur me të plagosur, shoqëruar nga personeli mjekësor. Për të përballuar ngarkesën e stërmadhe dhe për të shmangur përhapjen e epidemive, të plagosurit ishin shpërndarë në të gjithë Kinën. Ndoshta shpërndaheshin edhe viktima për tu djegur në mbarë vendin. Kryqi i kuq e shumë shtete e organizata të ndryshme të botës kishin afruar ndihma, por Kina nuk kishte pranuar,ja doli mbanë vetëm!
Në vitet që pasuan qyteti i Tangshanit u ngrit përsëri, u rindërtua me ndërtesa të larta, dhe pikërisht përpara tij ruhet një pjesë e gërmadhave të qytetit të vjetër, si relike për atë që ndodhi. Atje në park, pranë gërmadhave u ndërtua edhe Memoriali e Muzeumi i tërmetit të Tangshanit, ku janë gdhendur emra të viktimave, ndoshta si një simbol i dëmeve shkatërruese të tërmetit dhe si një kujtesë për qeveritë, njerëzit dhe shkencën në të ardhmen.
Në historinë e saj Kina kishte pasur edhe tërmete të tjera shkatërruese. Njihej që herët tërmeti në Shanxi, më vonë ai i Sichuanit e shumë të tjerë, por parashikimet kishin munguar. Nëse vazhdohen studimet intensive me kërkues profesionistë dhe financohen nga qeveritë kur ju dhimbset njeriu,siç ndodhi në rastin e mësipërm të Haichengut, tërmetet do të mund të parashikohen dhe do të shpëtohen jetë njerëzish.
Edhe në Shqipëri historia e tërmeteve është e hershme. Në korrik 1267 tërmeti që ndodhi në Durrës zgjati shumë, ndërtesat u rrafshuan duke zënë njerëzit brenda. Asnjë ndërtesë nuk mbeti në këmbë me përjashtim të akropolit të Durrësit të asaj kohe,që qëndroi si kështjellë. Gjashtë vjet më vonë, në 1273,përsëri në korrik, Durrësi i rindërtuar me rrethinat përqark u godit përsëri nga një tërmet tjetër që vazhdoi për disa ditë. Njerëzit që shpëtuan i braktisën gërmadhat e qytetit. Do te kenë qënë cunamet shoqëruese që kanë mbuluar pjesë të qytetit të vjetër nën ujë. Dhe qyteti u rindërtua përsëri,përmbi Durrësin e vjetër. Tërmeti i 26 Nëntorit 2019 në Shqipëri ishte i fuqishëm,6.4 Më dhe përsëri jo shumë larg Durrësit. Ai pati viktima e dëme të shumta, që vazhdojnë akoma. Ndoshta një nga ato ndërtesa të ndërtuara keq, të shtrembëruara si “Kulla e Pizës”,mund të ruhet si kujtesë për të mos u përsëritur,si simbol i korrupsionit të periudhës së tranzicionit në Shqipëri.
A ka ndonjë lidhje midis tërmeteve e viruseve, apo është thjesht një rastësi? Tërmeti i Haitit në 2010 la miliona njerëz të sëmurë apo të vdekur, por shkaktoi edhe kolerën që vëndi nuk e kishte parë për mëse një shekull. Pak ditë më parë një tërmet shkatërrues ra në Kroaci, e tundi mirë Zagrebin, magnituda 5.3Mw, më i fuqishmi në 140 vitet e fundit. Nga të ruhen kroatët e shkretë me parë, nga virusi apo tërmeti?
* * *
Sot në mëngjesin e mes Prillit filloi të binte bore. Lulet e para të pranverës varën kokën, u gjunjëzuan përpara të ftohtit, përpara trilleve të kohës, siç vazhdon të gjunjëzohet njerëzimi nga tërmetet, apo viruset, gjë që nuk duhej të ndodhte…
Në pushimet e dimrit të Shkurtit 1976 udhëtuam për në qytetin më jugor të Kinës, për në Guangzhou. Temperaturat në atë kohë janë akoma shumë të ulëta në Shenian, shkojnë -15°C, kështu që u nisëm me veshje dimërore, xhupa, kokore e këpucë me shtresë pambuku, siç visheshim në atë kohë atje, në verilindje. Që ditën e parë kur vajtëm në Kinë, veshja jonë personale dimërore nuk ishte e mjaftueshme, kinezët na pritën me pallto që kur mbërritëm në aeroport. Dikush që u mundua ta zëvendësonte me veshjen e tij,e pësoi me paralizë parciale që ditët e para të të ftohtit. E dinim që në pikën më jugore ku do të shkonim me pushime do të ishte ngrohtë, por nuk mund të sakrifikonim veshjen gjatë atij udhëtimi, veçanërisht gjatë lëvizjes me tren. E prisnim që do të përfundonim me rrobe banje, apo “vegla banje” siç u ngatërrua një herë përkthyesi kinez në ato fillime. Dhe vërtet ashtu ndodhi, filluam të lehtësoheshim nga rrobat një nga një nëpër vende të ndryshme gjatë udhëtimit, njëlloj si ai i munduri në “strip card games” apo në lojën e hershme të pokerit ku i munduri ç’vishej deri në përfundimin e lojës. E kundërta do të ndodhte gjatë kthimit për në veri, kështu që çantat që kishim marrë të mëdha.
Si gjithmonë edhe në atë udhëtim u nisëm vonë në mbrëmje. Zakonisht kur udhëtonim për në Pekin, niseshim vonë, e mbërrinim atje herët në mëngjes. Sheshi Tiananmen ishte i përgjumur akoma, duke vazhduar shpërndarjen e vesës së natës e duke shpalosur gjithë madhështinë e tij. Mëngjese të bukura, të qeta, të fjetura ashtu si mbas një gjumi të rehatshëm, ku akoma nuk dëshiron të hapësh sytë. Rrezet e para rozë të diellit fillojnë ditën e re, përpara se të fillojë lumi i bicikletave apo automjeteve. Kujtime që mbeten ashtu në mëndje gjithë jetën, sikur dëgjon Skylar Grey me këngën“Stand by me”. Edhe atë mëngjes, treni me monotonin e tij të përgjumur mbriti herët në Pekinin e ftohtë dimëror, dhe më pas vazhdoi për më tej, në jug, në udhëtimin tonë 36 orësh drejt Guangzhout.
Grupi i ynë i udhëtimit ishte i përbërë vetëm me studentë të huaj të Universitetit tonë të Kinës Verilindore. Kishim një shoqëri të mirë, i kishim filluar studimet njëkohësisht, të gjithë sëbashku, njiheshim mirë e ndjeheshim rehat me njëri tjetrin.
Në udhëtimet e mëparshme me tren, kishte pasur edhe organizime me studentë të universiteteve të tjera të qytetit, ku grupi ishte i madh e përfshinte studentë që nuk i njihnim. Më kujtohet një student gjerman në një udhëtim të ngjashëm i cili që në prezantimin e parë dukej se mburrej që i ati kishte qënë pilot gjatë luftës së dytë botërore. Pyetjet e tij për sistemin kundërajror që kishte fabrika gjatë vizitave bënin përshtypje. Dikur më pyeti dhe mua nëse Shqipëria kishte Mig-25. Një pyetje e vështirë që nuk dije si ti përgjigjeshe, veçanërisht kur ishe i papërgatitur e do të ndiheshe keq sidoqë të përgjigjeshe. Përgjigja “nuk e di” më bëri të ndjehem mirë. Në të vërtetë dija diçka për aviacionin, kisha njeriun tim të afërt inxhinjer në Rinas, lexoja shumë, veçanërisht revistat plot informacione për aviacionin,që dilnin atë kohë në Kinë. Kisha lexuar mjaft libra për betejat e famshme ajrore të luftërave botërore. Më vonë takova në jetë, njerëz me hobin e eksplorimit dhe udhëtimit nëpër të gjitha vendet ku zbulohej ndonjë avion i rrëzuar në kohën e luftës,kudo qoftë në botë dhe në thellësitë ujore! Për më tepër në Shtatorin e 76 kishte bërë bujë fluturimi me Mig-25 i qoftë një piloti inxhinier rus nga një bazë ushtarake e Bashkimit Sovjetik për në Japoni, ku piloti kishte kërkuar status refugjati për në USA. Ishte ndjerë keq kur japonezët e kishin kthyer mbrapsht avionin më të mirë luftarak rus të asaj kohe. Ndoshta kishin pasur marrëveshje.
Në fillim orientimi i ambasadës sonë kishte qenë të afroheni me miqtë kinezë, nuk ju duhen shumë studentët e tjerë të huaj, thuhej, por përpara Korrikut 1977 kur ndodhi ftohja me kinezët, orientimi ndryshoi, dhe atëherë nuk duhet të rrinim të veçuar, duhet të afroheshim me të huajt, pra nuk do të na duheshin shumë kinezët! Sigurisht ishte një orientim, e studentët vazhdonin jetën dhe studimet e tyre. Dhe që në fillim, pati studente perëndimore që binin në dashuri me gjuhën shqipe, duke ju vënë mbrapashtesa shqip fjalëve të gjuhës se tyre, dhe pretendonin se “flisnin shqip”, kishin mësuar nga marrëdhëniet e ngushta që kishin me studentë shqiptarë. Kishte raste që ndonjë nga studentët tanë që nuk fliste dhe aq bukur shqip, tingëllonte ndryshe tek të huajt, si ndodhi me një studente bukuroshe japoneze, që nuk ja hidhte sytë kërkujt, por që sytë e saj drejtoheshin vetëm tek shqipja “jo dhe aq e bukur”. Dhe kështu historia vazhdoi më tej edhe me miqësinë kineze, orientimet nuk munguan e studimet vazhduan.
Gjate udhëtimit me tren stacionet ishin larg njëri tjetrit dhe ne zbrisnim në çdo ndalesë, duke bërë lëvizje e zhurmë për tu çmpirë, për humor e për të kaluar sa më bukur, mezi prisnim të shikonim Guangzhoun. Rrugës ndaluam në Changsha, në kryeqendrën e provincës së Kinës qendrore Hunan, një qytet i madh me histori që daton (1046-256 BC) ku ishte zbuluar një koleksion i rrallë i vareve të dinastisë Han, të njohura si Mawangdui. Vizituam edhe shtëpinë e Mao Ce Dunit, ku studioi dhe jetoi në 1920, përpara se të bashkohej me komunistët. Vizituam lumin Xiangjiang që shtrihej në zemër të qytetit dhe që e ndante atë në mes, me ishullin Juzi në mes. Pamë dhe shumë tempuj të hershëm të qytetit.
Më i informuari i grupit tonë ishte Raxha, një student dy metrosh Sirilankez, me flokë të gjatë dhe me një buzëqeshje të përhershme në fytyrë. Kishte kaluar shumë këndshëm pushimet më parë në Guangzhou, Hongkong e Singapor me një shoqe studente. Shumë familje kineze ishin ndarë midis qyteteve, dhe zanafilla niste që nga “Lufta e Opiumit”. Përshtypje i kishte bërë veçanërisht Hongkongu, matane kufirit kinez, rregulli nëpër rrugë, studentët me uniformat e tyre, tregtarët e seksit nëpër qoshet e rrugëve me propozime të çuditshme. Kinezët nuk njiheshin në histori vetëm për Mao Ce Dunin, krijuesin e Republikes Popullore Kineze, apo LuHsunin,figurën kryesore të letërsisë moderne kineze, por edhe për teoricienëte seksit. Raxha fliste për restorantet e veçanta e tënjohura të qyteteve pranë,ku gatuhej shumëllojshmëri ushqimi, që nga gjarpërinjtë e deri tek truri i majmunit.
Në Guangzhou koha ishte e ngrohtë, bënin përshtypje veshjet e lehta shumë ngjyrëshe të njerëzve. Të vinte një dëshirë të notoje e të kridheshe në ato kaltërsi. Autobusi nga stacioni i trenit udhëtoi për rreth 30 kilometra më në jug të Guangzhout që të mbërrinte në hotelin ku do të qëndronim. Lëviznin grupe të shumta turistësh nga Hongkongu e Makao, qytete shtete që ndodheshin aq pranë. Hoteli ndodhej pranë liqenit pasqyrë Shizi dhe në distancë dallohej parku kombëtar Lotus Hill.
Në hotel ishte qetësi e madhe, nuk shikoje turistë apo vizitorë si gjithandej në Guangdong, për më shumë ajo mbasdite s’kishte asnjë program. Përveç pamjes të liqenit përballë dhe natyrës qiellore të zonës, mungonin aktivitetet. Studentët filluan të ankoheshin për zgjedhjen e hotelit aq larg qendrës, shumë prej tyre ishin përgatitur të takonin e të kalonin kohë me miqtë e tyre studentë brenda në qytet. Lao Gao shumë autoritar, shef i studentëve të huaj në universitet,ishte treguar konservator. Ai kishte qenë përhera në atë pozicion, që përpara revolucionit kulturor kinez kur ishin edhe studentët e parë shqiptarë, që sot janë figura të njohura të shkencës dhe të industrisë sonë. Ai nuk e kishte parashikuar një reagim të tillë shpërthyes, ndaj kërkoi menjëherë takim. Studentët e huaj e shprehën menjëherë pakënaqësinë e tyre, kurse ne shqiptarët ulëm kokat duke shpresuar që të plotësohej kërkesa, gjë që studentët e tjerë e dinin mirë. Lao Gao për të kapërcyer situatën e krijuar na përdori si shembull pozitiv, por edhe studentët e huaj nuk u tërhoqën nga e vetja. U vendos që të nesërmen të vizitonim Lotus Hill, dhe në vazhdim programi do të ishte i lire në Guangzhou. Zgjidhja ishte e mirë.
Atë mbasdite duke ardhur vërdallë për të shtyrë kohën, këmbët më çuan tek tarraca mbi kuzhinën e hotelit. Në një tel, ku dikur mund të ishin tharë rrobat e lara, ishin varur dy minj arash të rrjepur e të pastruar gati për tu gatuar. Ishim përgatitur të shikonim diçka të tillë në Guangzhou, por rasti e shpejtoi. Mëndja më fluturoi tek darka që do të hanim pak me vonë, por ata dy minj nuk do të ishin të mjaftueshëm për të gjithë studentët!Ndoshta ishin përgatitur për ndonjë mik të shquar apo për vetë kuzhinierët. Gjatë rrugës me tren kishim parë guva të shumta pranë ujit, ku banonin vendas. Flitej qenë ato guva kishte furnizim me energji elektrike dhe ujë, ndoshta banorët banonin aty prej shumëkohësh, por sidoqoftë banorët e hershëm të atyre guvave, lakuriqët e natës, ishin shpërngulur. Atë darkë nuk munda të vija mish në gojë.
E nesërmja i takonte parkut kombëtar Lotus Hill. Emri vinte nga legjenda e dragoit të egër të detit të jugut, i cili i fryu erërat dhe dallgët duke përmbytur gjithë tokat dhe anijet. Nënë Buda shumë e zëmëruar nga sjellja e dragoit, hodhi e mbolli qindra lloje lotusesh në ujë, të cilat më vonë u shtuan dhe disa u kthyen në kodrat si kulla, që kontrolluan e qetësuan dallgët si dhe dragoin e egërsuar. Lotus Hill dallohej për gdhendjet nëpër shkëmbinjtë e pjerrët e kthesat, që datojnë periudhën e Dinastisë Perëndimore Han dhe më vonë u shtuan shkallët që shkonin deri në majat e tyre ku bëmë fotografi. Hymë me varka në guvat brenda kodrave shkëmbinj ku pamjet ishin të mrekullueshme. Këto bukuri dallohen edhe në veri të Vietnamit, në kufirin me Kinën. Rrugës shkëmbeheshim me grupe turistësh nga vendet fqinje, me anglezë, portugezë apo kinezë me tipare të kryqëzuara apo tradicionale, ku midis tyre gjeje edhe hongkongas-kinezë, miq të shqiptarëve. Bënte përshtypje nje çift të rinjsh nga Hongkongu, një kineze bukuroshe dhe një anglez, i cili e ndiqte si manar vajzën kudo që shkonte, kurse ajo vazhdimisht mundohej ti shkëputej. Gjatë asaj ndjekje ata mbrritën më në fund në një tunel pa dritë, kur ndërkohë ne kishim hyrë në atë errësire. Kur doli drita në fund të tunelit, vajza ishte e para, kurse anglezi i fundit. Ndoshta edhe grupi ynë e kishte ndihmuar apo nxituar atë bukuroshe të dilte në krye.
Guangzhou, qyteti gjigant, ishte zemra e zonës më të populluar urbane të Kinës që shtrihej deri në qytetet pranë: Foshan, Donguan, Zhongshan dhe që më vonë përfshiu edhe Shenzhen, duke krijuar aglomeratin më të madh urban të rruzullit tokësor. Ishte e pamundur për ne që përkohën që na mbeti, të orientoheshim në atë qytet gjigant. Në një nga universitet e Guangzhout takuam studentë të huaj nga shtete të ndryshme të botës, të veshur bukur e të lumtur me jetën e tyre në qytet. Dikush nuk kujtohej më të kthehej në vendin nga kishte ardhur. Ndoshta kësaj influence i trembej edhe Lao Gao, shefi i ynë.
Kërkuam restorantet e famshme ku gatuheshin kafshët e egra, por nuk i gjetëm. Kur ftoheshim në festat tradicionale kineze, si për 1 Tetorin, na bënte përshtypje shumëllojshmëria e ushqimeve, veçanërisht e mishrave të gatuar aq shijshëm, ku pjata nuk rrinte në tavolinë më shumë se pak minuta duke u zëvendësuar me shumë të tjera. Ndonjëherë bënim edhe shaka për llojin e ngjyrën e mishit kur ishte e vështirë ta kuptoje se çfarë ishte.
Provinca Guangdong ishte e njohur për gatimin e kafshëve të egra si minj, gjarpërinj, mace, dhelpra, majmunë e duke përfshirë një varietet të gjerë kafshësh lokale. Ato gatuheshin në restorante të veçanta ku i ekspozonin kafshët të gjalla nëpër kafaze përpara lokalit, e që më pas përgatiteshin, pasi klienti bënte kërkesën. Kjo shtrihej më tej edhe me kafshët e mëdha, kur një gjë e tillë mund të ishte e rrezikshme. Shkohej deri atje sa thuhej se çdo gjë që ecën, noton apo fluturon, pa kufizim, hahet. Por kjo nuk ndodhte me të gjithë, ndodhte vetëm me klientë të zgjedhur, specialë apo të pasur, për ata për të cilët ishte e normale të mendonin se ç’shije mund të kishte një kafshë, shpend apo peshk që mund të kapte syri i tyre. Midis tyre kishte dhe nga ata që mendonin se konsumi i njëlloj kafshe apo gjitari mund të shëronte njëlloj sëmundjeje të caktuar.
Dikur më parë, kisha vizituar një fermë të rosave me ushqim të detyruar në Kinë, që mund të përdoreshin për fast-foodin kinez, siç mund të ishte restoranti i njohur “Rosa e Pekinit”. Zogjtë rosa apo pata, që 8-10 javorëshe ushqeheshin me 1-2 kilogram drithëra apo yndyrna në ditë nëpërmjet një zorre detyruese gojore, që në pak javë i transformonte ata zogj në shpendë gjigandë. E ndërkohe më vjen ndërmend një incident “i pafajshëm”në parkun tonë, kur dikush akuzoi dikë tjetër që po i hidhte ushqim rosave të egra. Akuzuesi thoshte se rosat nuk do të jenë më në gjëndje të emigrojnë bashkë me zogjtë e tjerë, nga mbipesha që do të shtonin prej ushqimit jo-natyral! Dhe ashtu ndodhi vërtet, ato rosa mbetën aty, kaluan dimrin e ftohtë kanadez në pellgun e ngrirë.
Deri në ato vite kinezët kishin pasur një eksperiencë apo traditë popullore në përgatitjen dhe në konsumimin e mishit të kafshëve, duke përfshirë edhe kafshët e egra. Por Kina ndryshoi. Tigri i fjetur kinez, që dikur mblidhte haraçet e mjaft fqinjëve përpara luftës së opiumit apo kryengritjes së boksierëve, që më pas duroi shqetësimin britanik dhe të fuqive të tjera si të Francës, Italisë, Portugalisë, Spanjës, Amerikës, Hollandës, e të Rusisë, të cilat e zgjuan Kinën nga gjumi letargjik perandorak,që pasi morri investimet që i duheshin në kohë të ndryshme dhe përfitoi sa mundi, kërkoi rrugën e shpejtë të zhvillimit. Nuk kishte rëndësi se ç’ngjyrë kishte macja, të bardhë apo të zezë, rëndësi kishte të kapte miun, ajo ishte macja që i duhej Kinës, pra nuk kishte rëndësi çfarë emri kishte shoqëria, rëndësi kishte të zhvillohej shpejt edhe aq. I njëjti popull kinez dilte rrugëve duke mbështetur, hedhur poshtë apo duke ngritur përsëri në fuqi Ten Hsiao Pinin e internuar. Situata ndryshoi kur Mao u largua nga skena politike. U aplikuan katër modernizmet e futurizmi të tjera pa kufizim. Bota filloi të mësonte gjuhën kineze. Regjimi në fuqi, që zotëronte të gjitha kapitalet e prodhimit dhe vazhdonte me praktikat e moderuara, po dështonte të mbante me bukë gjithë atë popull. Duke parë gjendjen e vështirë ekonomike në vitin 1978, shteti i lejoi fshatarët të krijonin ferma private. Shumë fshatarë mbarështuan edhe kafshët e egra si breshkat, gjarpërinjtë, lakuriqët e natës etj. Gjendja filloi të ndryshojë e fshatarët e varfër filluan të krijonin të ardhura. Më vonë, qeveria kineze duke pare rritjen e biznesit, e ndryshoi vendimin dhe në vitin 1988 kafshët e egra u konsideruan burim natyror dhe u quajtën pronë e shtetit. Kështu nisi një industri më vehte, një tregti e madhe. Fermat e vogla u transformuan në të mëdha me mbarështrim të shumëllojshëm kafshësh të egra. Thuhet se filluan të trafikohen drejt Kinës edhe kafshë të shpallura në zhdukje si tigra, rinocerontë apo edhe pangolinë. Siç komentohet sot, kafazet stoqe të vendosura në kate, në tregun e kafshëve të gjalla në Wuhan, krijuan ndotje, infeksione e kombinime virusesh midis kafshëve të ndryshme. Në vitin 2003 shpërtheu epidemia e koronavirusit të njohur si SARS dhe si burim u cilësua një treg i njomë në qytetin e Foshanit, pikërisht atje pranë Guangzhout që e vizituam. U tha se u zbuluan gjurmët e virusit. Autoritetet kineze mbyllën tregun dhe ndaluan mbarështimin e kafshëve të egra, por disa muaj pas qetësimit të situatës epidemike të SARS-it, vendimi u hoq përsëri.
Këto ditë qeveria në Shenzhen, pranë Guangzhout u bë e para që ndali përdorimin si ushqim të kafshëve të egra, duke përfshire edhe macet e qentë privatë të banorëve. Por deri sa të bëhet ndalimi i përhershëm në Kinë e kudo qoftë në botë i këtyre tregjeve, nuk ka garanci se epidemi të tjera nuk do të shpërthejnë sërish.
Në Shqipëri pandemi ka qenë gripi spanjoll dhe koronovarusi. Pandemia e gripit spanjoll një shekull më parë,ishte katastrofë e tmerrshme në gjithë globin, por në Shqipëri ishte shumë më keq, sepse u kombinua me situatën e rëndë politike që kalonte shteti Shqiptar në atë kohë. Ka patur edhe disa epidemi virale si ajo e Poliomelitit, epidemia jo virale e kolerës në ’94, epidemia e H3N2me virusin A,gripi i Hong Kongut i viteve ’68-69 që u fut nga specialistë kinezë dhe që në pak kohë krijoi shume viktima, kryesisht në Tiranë. Gripi i Hongut ishte si një pandemi pasi u përhap e vrau shumë njerëz në botë.
Akademiku Stephen William Hawking në 2001 deklaronte se kërcënimi më i madh i mbijetesës së racës njerëzore i vjen nga biologjia, nga krijimi i një virusi që do ta shkatërronte atë. E njëjta gjë u theksua në Dhjetorin që shkoi në një takim të inxhinierëve profesionalë këtu në Ontario, ku merrja pjesë. Aty u theksua se rreziqet e ndërtimit të reaktorëve nukleare, janë shumë larg atyre që mund të krijojë biologjia e virusi.
Në pamje të parë, asgjë nuk duket e çuditshme, por saktësia me të cilën ndodhin këto ngjarje,duket e frikshme. Nëse i vendosim në radhë pandemitë e përhapura me kalimin e kohës, duke përfshirë mortajën, kolerën, gripin spanjoll dhe koronavirusin që shkatërrojnë botën çdo shekull,duket sikur ato ndjekin një model të çuditshëm,të ngjashëm e që mund të konsiderohet si ciklik.
Nuk ka rëndësi sesi u shkaktua koronavirusi, nga tregu i njomë në Wuhan apo nga shkaqe të tjera. Më e rëndësishme është se njerëzit janë të frikësuar, janë të futur në karantinë, si një zgjidhje e vjetër e primitive. Ekonomitë kanë rënë dhe nuk i dihet sesi e sa do të zgjasë një situatë e tillë.
Shoqëritë njerëzore ndryshojnë e avancojnë shkaktuar nga probleme serioze, tensione e konflikte të fuqishme. Ndryshimet shoqërore shkaktohen gjithashtu nga ndryshimet e ekosistemit apo marrëdhëniet që shkaktojnë përhapjen e sëmundjeve apo pandemive botërore, sic ndodh sot me koronavirusin. Duhet ndalur vrapi i pakontrolluar i diktaturave,i superpushtetit të individëve të çmëndur, i industrisë së pakontrolluar, i garës së armatimit e dominimit botëror, i pasurimit të një grupi të vogël njerëzish. Eshtë koha të shpenzohet për mbrojtjen e ambientit e shoqërisë, të përmirësimit të jetës dhe ndoshta të ndryshimit të shoqërisë njerëzore.
Në 27 Janar ambasadori i Shqipërisë në Pekin, nëpërmjet mesazheve prekëse në lidhje me situatën e rëndë që po kalonte Kina,e shpëtoi grupin e shqiptarëve atje, përfshirë edhe studenten e Wuhan-it, por ç’mund të bëhet sot që virusi ka përfshirë gjithë botën? Si mund të shpëtohen ata të shpëtuarit e Kinës?Si mund të shpëtohet njerëzimi nga virusi?! Kjo është sfida sot! (Javanews)
15 Prill 2020
Shume interesante. Faleminderit. Eshte mire te lexojme e informohemi nga ata/ju qe i keni perjetuar keto situata.
Nje “verejtje ose sqarim” eshte Mig 25??? apo Mig 15 (kam frike eshte 15…).
Uncle you will be always my good example to follow. Love you.
Renato kjo ndodhi në 6 shtator 1976, kur Viktor Belenko fluturoi me MiG-25 “Foxbat” për në Hakodate, Japoni. Kjo ishte hera e parë që ekspertët perëndimorë ishin në gjendje të shikonin nga afër avionin, shumë sekrete dhe surpriza. Studenti gjerman më pyeti për MiG-25. Në Shqipëri ndoshta ishte MiG-19 më i avancuari. Faleminderit
Piloti sovjetik Viktor Belenko – qe citohet ne artikull – zbriti ne Japoni, duke kerkuar azil politik, ne vitin 1976, me avionin e tij MiG-25 (i panjohur teknikisht deri atehere nga Perendimi).
Shume interesant shkrimi nga pikpamja historike por dhe nga pikpamja letrate! Eshte kenaqesi te lexosh shkrime te tilla! Faleminderit.
Faleminderit Donika, eshte kenaqsia ime per komentin tuaj. Faleminderit
Shume interesant dhe informativ eshte shkrimi yt Andrea, po akoma me interesante eshte qe historia e pandemise perseritet edhe pse maskohet me nje emer te ri. Kombinime virusesh apo kush dreqin e di se c jane …
Historia e pandemive perseritet me valen e pare e te dyten me te rende, me ndryshimet e rrethanat perkatse. Ndoshta origjina e vertete mund te mbetet perseri ne mjegull. Shoqeria do te pesoje ndryshime, me gjithe zbulimet ne shkence e mjekesi. Dikur permendeshin ndotja e ngjeshja e ushtarve ne llogoret e luftes, apo ndertimi i hekurudhes .. sot tregjet e njoma me stoqet e kafsheve, etj etj shkaqe te mundshme… virusi eshte me i komplikuar, por bashke me termetin sjellin viktima ne mase dhe shkurtojne jeten e njerezve! Hodha ne leter disa kujtime perpara se te humbnin ne vite.
Ina, te faleminderit per komentin.