Ditën e sotme, kryeministri i vendit, Edi Rama bëri një reagim publik për çështjen “Beleri” dhe vendimin e Gjykatës së Posaçme për të mos lejuar betimin e tij si kryebashkiak i Himarës.
Në reagimin e tij, Rama bënte të qartë se çështja e kryebashkiakut të zgjedhur i cili ndodhet në paraburgim, mbetet çështje e drejtësisë dhe nuk është aspak politike.
Megjithatë mediat greke e kanë parë reagimin e tij mesa duket në një tjetër këndvështrim.
“Një zhvillim shumë i rëndësishëm për perspektivën e zgjidhjes së çështjes Beleri shënohet sot, nisur nga vendimi i gjykatës shqiptare që e njeh zotin Beleri si kryetar të zgjedhur të Bashkisë së Himarës dhe nënvizon se i zgjedhuri i tij Edi Rama, Jorgo Goros nuk ka legjitimitet ushtrojnë detyrën”, shkruan Protothema.
“Gjëja më interesante është se kryeministri shqiptar ndërhyn për këtë çështje përmes “X”, në vazhdën e diskutimit të fundit që pati me Kyriakos Mitsotakis në margjinat e Këshillit Europian në Bruksel pak ditë më parë, ku Greqia shprehu kundërshtimet e saj, për vazhdimin e kursit europian të Shqipërisë ndërkohë që çështja Beleri përshkallëzohet.”, vijon gazeta greke.
Më konkretisht, në postimin e tij Rama përmend në pikën 3:
“Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës.”. nënvizon zoti Rama në postimin e tij.
Postimi në fjalë nuk ka kaluar pa u vënë re nga Athina, në vazhdën e bisedës së fundit mes dy liderëve.
“Pranimi i arsyetimit të vendimit nga kryeministri shqiptar është një hap i rëndësishëm në procesin e kalimit të pushtetit në Bashkinë Himarë deri në përfundimin e procesit gjyqësor në pritje”, nënvizojnë burime kompetente që e perceptojnë postimin publik të zotit Rama, si një hap para, në përpjekje për të zbutur krizën e frikshme diplomatike.
Në fund të postimit të tij, Rama thekson se kjo ka të bëjë me drejtësinë dhe jo politikën apo qeveritë, por shton se “arsyetimi i vendimit krijon një kusht pozitiv për përballimin e ngërçit”.











