Policia Rrugore në aksin Milot – Morinë ka arrestuar një 28-vjeçar nga Kosova, pasi tentoi të korruptonte efektivët për t’iu shmangur gjobës.
Konkretisht në Fushë Milot, punonjësit e Policisë Rrugore kanë konstatuar një parakalim të gabuar nga një drejtues automjeti duke rrezikuar përfshirjen në aksident rrugor.
Gjatë momentit që punonjësit e Policisë po i kontrollonin dokumentacionin dhe po i komunikonin shkeljen dhe masën administrative drejtuesit të mjetit “Audi”, shtetasit Gj. T., 28 vjeç, banues në Kosovë, ky shtetas ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore duke iu dhënë një kartëmonedhë 20 euro.
Punonjësit e Policisë kanë bërë shoqërimin e këtij shtetasi në DVP Lezhë dhe në përfundim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar kanë bërë arrestimin 28-vjeçarit, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Njësia e Policisë Rrugore për Autostradën Milot-Morinë, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë patrullimit në autostradën Milot-Morinë, ka konstatuar dhe ndëshkuar 38 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, të cilat janë burim për përfshirje në ngjarje rrugore.
g.kosovari