Mediat gjermane shkruajnë sot lidhur me parandalimin e “plaçkitjes së shekullit” që ka ndodhur të hënën (dje) në Koblenz. Plaçkitja ishte planifikuar të bëhej me armë automatike (kallashnikovë) ndërsa shënjestër e saj ishte një transport parash në landin Rheinland-Pfalz të Gjermanisë.
Protagonist i aktit të dyshuar është një shtetas shqiptar me banim në Itali, transmeton albinfo.ch. Ai është arrestuar të hënën në një kontroll të kryer në regjionin Neuwied. Kontrolli ishte bërë me një fletëarrest të Europolit.
I dyshuari aktualisht po mbahet në arrest në nga burgjet e landit dhe pas kësaj e pret ekstradimi në Itali, ka njoftuar Prokuroria e Përgjithshme e Koblenzit agjencinë gjermane te lajmeve DPA. Veç shqiptarit, i dyshuari tjetër është një shtetas italian me qëndrim në Gjermani, i cili, pas marrjes në pyetje është lënë i lirë.
Sipas mediave italiane, plaçkitësit donin të sulmonin me armë makinën e blinduar i cili transporton disa milionë euro.
Në aksionet tjera që ka ndërmarrë policia në Gjermani dhe në Itali, janë arrestuar 15 persona. Banda, pjesë e të cilëve besohet të jenë dy të dyshuarit, ka plaçkitur disa herë makinat që transportojnë paratë në Itali./a.m.