Hungaria ka paralajmëruar ndërprerjen graduale të furnizimit me gaz natyror për Ukrainën, nëse Kievi nuk rikthen rrjedhën e naftës ruse përmes tubacionit “Druzhba”.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, përmes një videoje të publikuar në Facebook, deklaroi se Ukraina ka bllokuar funksionimin e këtij tubacioni të epokës sovjetike prej rreth 30 ditësh.
“Për sa kohë që Ukraina nuk furnizon naftë, ajo nuk do të marrë gaz nga Hungaria”, u shpreh Orban.
Ai bëri të ditur se sasia e gazit e destinuar për Ukrainën do të ruhet në depozitat hungareze, duke e cilësuar këtë si një masë të domosdoshme për të mbrojtur interesat energjetike të vendit.
Sipas tij, Ukraina po cenon gjithashtu sigurinë e furnizimit me gaz të Hungarisë, duke iu referuar edhe kërcënimeve ndaj rrugës së gazit “TurkStream”, që transporton gaz rus drejt Hungarisë përmes Turqisë dhe Ballkanit.
Orban theksoi se prioritet i qeverisë së tij mbetet garantimi i sigurisë energjetike dhe mbajtja nën kontroll e çmimeve të karburanteve dhe gazit për qytetarët hungarezë.
Ai shtoi se, sipas tij, Hungaria ka arritur deri më tani të përballojë “presionin ukrainas”, duke theksuar se vendi ofron ndër çmimet më të ulëta të karburantit në Evropë.











