Marrë nga Lexo.al
Makina e propagandës ruse, rrjeti televiziv i financuar direkt nga Kremlini, “Russia Today”, shprehet në sintoni të plotë me qëndrimet e Partisë Demokratike në një artikull të publikuar ditën e sotme.
Në artikullin në fjalë, “RT” denoncon grupet e krimit të organizuar shqiptar që veprojnë në Britaninë e Madhe, të cilët i konsideron si grupimi më i rrezikshëm i krimit të organizuar në Europë.
Ky artikull propagandistik, jehon retorikën e përditshme të Partisë Demokratike, e cila vetëm një javë më parë, menjëherë pas inskenimit të audiopërgjimit të vëllait të Ministrit të Brendshëm, denoncoi këtë problem përmes një letre dërguar të gjithë Kancelarive dhe ambasadave europiane në vendin tonë.
Denoncimet e Partisë Demokratike kanë gjetur gjatë javëve të fundit rrjete mediatike anti-shqiptare, gjithmonë e më të gatshme për të publikuar informacione të tilla.
Me afrimin e datës në të cilën vendet anëtare do të votojnë për hapjen e mundshme të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, sulme të tilla mediatike përbëjnë gjithmonë e më shumë fakte për një fushatë të orkestruar, me qëllim të vetëm bllokimin e kandidaturës së vendit tonë.
Vetëm një javë më parë, “The Indipendent”, një prej tabloidëve me autoritarë në Britaninë e Madhe, publikoi një analizë të gjatë, në të cilën analizonte interesat gjeostrategjikë të Rusisë në Ballkan.
Midis të tjerave, artikulli theksonte se Kremlini ka kthyer sytë nga Shqipëria, me qëllim që ta shndërrojë vendin tonë në një bazë nga ku të promovojë destabilitet në të gjithë rajonin.
Artikulli i sotëm në “Russia Today”, është një provë e mëtejshme, e këtyre synimeve të qarta që ka Rusia ndaj vendit tonë, e që për fat të keq, janë duke u nxitur edhe nga elementë të brendshëm të politikës shqiptare.
Artikulli i plotë i “Russia Today”
Bandat e krimit të organizuar, si ato të mafias shqiptare, “janë duke ushqyer një rritje të vazhdueshme të krimit të dhunshëm në Britaninë e Madhe”. Importimi më i madh i drogave të kategorisë A (heroinë, kokainë, LSD dhe kërpudha) po nxit gjithmonë e më shumë beteja territoriale në rrugët e Britanisë, thotë për “Russia Today” një zyrtar i lartë në Policinë Britanike.
John Coles, kreu i operacioneve special në Agjensinë Kombëtare të Krimit, i ngarkuar me ndjekjen e bandave të drogës, thekson se ka një përqindje më të madhe gangterësh që qarkullojnë me armë zjarri dhe me thika, çka sipas tij është duke rritur krimet e dhunshme në rrugët e Londrës.
Coles tha për “Evening Standard”: “Deri përpara disa vitesh, pazaret zgjidheshin ballë për ballë. Sot, një pjesë e problemit është që kërcënimet postohen në rrjetet sociale dhe kushdo mund t’i shohë. Këta individë nuk kanë asnjë shqetësim apo skrupuj, mund të qëllojnë lehtësisht këdo, bëhet fjalë për individë jashtëzakonisht të dhunshëm dhe të rrezikshëm”.
Ai shton se janë krijuar konditat e përshtatshme për shpërthimin e një lufte të vërtetë midis bandave të drogës, për shkak të sasive të mëdha, që bandat e krimit të organizuar janë duke sjellë në Londër, prej nga ku malli shpërndahet në rajonet e tjera të vendit nga elementë të tjerë kriminalë të lidhur me këto grupime.
Coles citoi një njësi të posaçme të Policisë Metropolitane, e cila ka sekuestruar 450 kilogramë drogë të kategorisë A nga bandat e krimit të organizuar gjatë gjashtë muajve të fundit. Gjatë këtyre operacioneve janë sekuestruar edhe 90 armë zjarri, që ishin të destinuar për t’u futur në Londër gjatë vitit të shkuar.
Ai bëri gjithashtu me dije se njësia në fjalë është duke shënjestruar përveç individëve të caktuar, edhe grupime të posaçme të krimit të organizuar, si mafien shqiptare. “Jemi duke u përpjekur që t’i godasim sa herë që ata vihen në lëvizje. Jemi duke arrestuar anëtarë të këtyre grupimeve pothuajse çdo javë. Shpresojmë që kjo do të ketë një impakt, në të paktën disa prej këtyre bandave që ushqejnë dhunë në rrugët e Londrës”.
Të dhënat e publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave për 2017-n tregojnë se rastet e krimive të dhunshme janë shtuar. Policia ka regjistruar 39 598 raste që përfshijnë sulme me thikë ose mjete të tjera të mprehta, një rritje prej 22% krahasuar me vitin e mëparshëm (32 468 raste). Kjo është shifra më e lartë, që kur kjo e dhënë filloi të mbahej në vitin 2010.
Mafia shqiptarë përbën një prej grupeve më të mëdha të krimit të organizuar në Britaninë e Madhe. Ata kanë interesa në tregtimin e heroinës, në trafikun e qënieve njerëzore dhe janë gjithashtu të specializuar në grabitje të armatosura.
Gangsterë të lindur në Shqipëri ishin ata që organizuan grabitjen e 53 milionë paundve nga “Securitas” në vitin 2006, grabitje që vazhdon të mbetet më e madhja në historinë e Britanisë së Madhe.
Artikulli origjinal në “RT” – https://www.rt.com/uk/427540-gangs-crime-drugs-london-albanian