Nga Mero Baze/
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka pasur sot një nga bisedat më të rëndësishme për politikën shqiptare dhe rajonin, me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA, Xhon Bolton, i cili është personi kyç i anagzhuar në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Biseda telefonike mes tyre, nuk është as ndonjë urim i rëndomtë dhe as ndonjë protokoll i sponsorizuar nga lobistë, por një nga ato ngjarje që peshojnë rënd në zhvillimet e Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe rajonit Ballkanit. Pamvarësisht gjuhës së drunjtë me të cilën përshkruhet biseda, ajo duhet të ishte sot tema e debatit në parlamentin e Shqipërisë pse jo dhe të Kosovës.
Por ndodhi e kundërta. Përpara telefonatës, Kryeministri Rama ka pasur një përleshje të pistë, me ish Kryeministrin Berisha, i cili bëri sa mundi ta zhbalancoj debatin dhe ta vulgarizoj atë. Vet Rama nuk ngeli pas dhe përdori aftësitë e tij denigruese ndaj Berishës, dhe arriti ta kthej vet në sekondare vemëndjen e shtypit, ndaj ngjarjes reale për shoqërinë shqiptare në Ballkan.
Këtu natyirsht ka përgjegjësi, pasi mund ta kishte shmangur përbaltjen me një plak të lig, i cili më shumë se kushdo tjetër në atë sallë, ndjente makthe dhe nga ajo telefonatë.
Por në një vështrim më të gjerë, parlamenti i Shqipërisë, mund të debatonte qoftë dhe ashpër rreth asaj që Shqipëria duhet të bëj, para një sfide madhore që ka Kosova në dialogun me Serbinë. Sfida është që Kosova dhe Shqipëria të diskutojnë pa doreza rreth një historie, e cila mund të na kushtoj të gjithëve, nëse bëjmë sikur nuk e dimë përse flitet.
Në Kosovë parlamenti vazhdon debaton më shumë për mbijetesën e qeverisë, se sa për të ardhmen e Kosovës, ndërsa në Shqipëri duket se ka më shumë rëndësi përroi psiqik i Berishës, se sa vemendja amerikane ndaj një vendimi të mundshëm historik për kombin shqiptar.
Kjo është vërtet një situatë e rënd. Në sytë e politikës amerikane, apo evropiane, dy parlamente karagjozësh që merren me gjithçka banale përveç asaj që është fondamentale për kombin shqiptar, jo vetëm që nuk meritojnë të dëgjohen, por meritojnë tu imponohet çdo vendim që ata e mendojnë të drejt dhe të merituar për ne.
Të gjithë ata që hiqen si patriotë dhe pasi shajnë me nënë e motër në Kuvend, betohen dhe për trojet shqiptare, në të vërtet janë duke i dhënë të drejtën e zotit gjithkujt në perëndim, që të bëhet më shumë se ne, kujdestar i fatit tonë.
Boll të përkthesh seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë sot dhe t’ia çosh Boltonit, Mogherinit apo Merkelit, për të thënë “hajt ta vendosim vet çdo bëjmë me ta, se këta qenkan çmendur”. Përfytroni se çfarë është diskutuar sot në Shtëpi të Bardhë, në Bruksel apo në Berlin për Shqipërinë dhe çfarë është diskutuar në Tiranë, për të kuptuar se çfarë meritojmë.
Dhe e gjithë kjo vjen, pse një plak i degraduar në fund të jetës së tij fizike, ndjehet i frikësuar për atë që ka bërë dhe që mendon se e gjithë kjo, është një konspiracion i SHBA kundër tij, duke filluar nga Reforma në Drejtësi, e duke përfunduar tek ajo që po ndodh me Kosovën.
Po aq përgjegjësi ka kryeministri Rama, i cili në këto kohë, është interlokutor i Shtëpisë së Bardhë dhe jo i Shtëpisë së Verdhë në Burrel. Ai duhet të shmang rrethana të tilla banale në Kuvend, për ti dhënë vemendje dhe seriozitet pikërisht proceseve historike që po ndodhin. Ai bën mirë që nuk e kthen në Pi-aR të vetin një telefonatë të tillë kaq të rëndësishme, për të deinkurajuar përpëlitjet e opozitës për çregullime, por nga ana tjetër, e ka detyrë të krijoj një sfond serioziteti për ngjarje me rëndësi si kjo.
Është aq joserioze situate, sa dhe dy raorte të shëkputura të Zërit t Amerikës, kritike me qeverinë, nuk gjykohen si punë e një redaksie profesionale në Uashington, me standartet e tyre, por sikur të ishte ndonjë lajm i Sandrit, Irfanit apo Vjollcës, që duhet pyetur deomos ku e kanë qëllimin.
Nuk është se në Shtëpi të Bardhë, mendohet ditë e natë për Shqipërinë dhe kanë kohë dhe durim të presin qetësimin e kënetës sonë politike. Atje mendohet shumë pak, shumë shpejt, por për fat ende me një ndjenjë kujdestarie për ne. Sot është një nga ato ditë, për të cilën më shumë e ka pas mendjen SHBA për hallet në Shqipëri, se sa Shqipëria për atë që po ndodh për ne, në SHBA.
Dhe është fiks rasti, kur miku troket në derën e një shtëpie, ku të gjithë janë lakuriq dhe ai kërkon të flasësh me të zotin, për ti treguar hallet e tij. Por i zoti është duke u përlarë me të vetët. Dhe pastaj dalin i kërkojnë llogari SHBA, pse s’na i zgjidh mirë hallet që kemi me Serbinë.