Nga Ben Andoni
Margaret Atwood e ka përcaktuar gjininë e librit të saj se i përket gjinisë së romanit distopik apo fikshënit spekulativ. Një përpjekje në kërkimin e teorive të reja të formës me të cilën mund të merren më shumë njerëzit e teorisë së letërsisë, por autorja gjithnjë ka qenë e bindur për këtë. Siç ndodh në Shqipëri, me botimet e mira, libri është relativisht i vonuar. Është botuar në vitin 1985 dhe tregon përmes karaktereve fikshën, ku elementi kohë, po ashtu trajtohet në sensin e fikshënit, një rrëfenjë të jashtëzakonshme simbolike.
Në fakt libri është shumë bashkëkohor dhe merita e “PEGI”-t në këtë rast është në sjelljen e një vepre që vërtet të grish të mësosh jo vetëm në teknikë, por edhe mënyrën sesi forma me përmbajtjen ndikojnë në mesazhet politike të autorëve.
Ngjarja është e vendosur në një shtet totalitar, që të zbulohet dora-dorës nga personazhi ynë, e cila në vepër është e gjinisë femërore dhe një lloj gruaje-shtëpie, që përkthyesja e njohur Shqarri e ka cilësuar si shërbëtore. Zgjidhja e autores ka qenë që ta zbulojë fabulën përmes një ndërthurje të totalitarizmit e veprimit represiv, ku gjithçka lidhet me idenë e presionit së ngjizjes, ku femrat e rekrutuara duhet të japin pasardhës për një subjekt epror, që etiketohet si “Komandanti”. Tejet e guximshme, autorja na jep një paralelizëm dhe një vështrim shumë kritik, me atë që mund të tregohet si vetë ajo që po ndodh me SHBA-të. Fabula është disi “e çuditshme”. Një sulm terrorist ka bërë që një lëvizje vendase ta nxjerrë krejt jashtë ligji kushtetutën e vendit. Një kastë që ka ardhur në fuqi dhe që autorja i cilëson me kategori kanë hequr të gjithë të drejtat e femrës dhe gjithçka është e regjistruar. Është një roman, që ai i cili nuk e ndjek me kujdes dhe nuk arrin ta kuptojë që në fillim autoren, mund ta marrë si një roman të lehtë. Është një krijesë hibride mes asaj që aludohet shpesh për Korenë e Veriut miksuar me një vend perëndimor.
Regjimi që vendoset, mundohet të krijojë rregullat e reja dhe këto na zbulohen përmes personazhit tonë Efreditit, që falë aftësisë së saj për të bërë fëmijë është një produkt i çmuar për vetë subjektin e këtij romani. Por njësoj si ajo është edhe një komunitet i tërë që gjykohen thjesht për këtë aftësi. Dhe si në vagullimë, asaj dhe të tjerave u vinë ndërmend jeta e mëparshme, personazhi ynë kujton shpesh se ku është shtëpia e saj, me fëmijën e vet të çmuar jetën e qetë dhe shumë të drejta, një aludim i qartë me atë që dëshiron qytetërimi i sotëm…
Gjithçka bëhet të kënaqë “Komandantin”, që e takon personazhin Efreditin vetëm gjatë “Ceremonisë” ose thënë më shkoqur, që do të thotë kontaktit seksual dhe që përbën një ritual të përgatitur mirë, që të kujton një harem modern. Por ashtu si edhe ndodh në vendet totalitare, edhe vetë kastat kanë shoqëritë e tyre të fshehta, në një formë që të sjell ndërmend romanin e Arthur Schnitzler “Ëndrra”. Në evoluimin e aksionit na tregohet se edhe në totalitarizëm ka ishuj të tjerë lirie të kastave dhe është momenti, ku “Komandanti” fillon marrëdhëniet ilegale me femrën-shërbëtore, që duhet t’i japë pasardhës. Por marrëdhëniet e kësaj gruaje janë dyfishe sepse ajo ruan njëkohësisht marrëdhënie lesbizmi me të shoqen “e Komandantit”, e cila nga ana e vet, e shtyn të ketë kontakte seksi me Nikun shoferin që të kenë fëmijë, kuptohet në këmbim të lajmeve të së bijës. Tragjizmi dhe paradoksi ndodh kur gruaja “e Komandantit” kupton lidhjen e vërtetë jashtë këtij rrethi të detyrueshëm vicioz të së dashurës së saj me të shoqin, që mbajnë gjëra moderne: buzëkuq etj.!!! Nuk ka më kohë për të: Ajo merret nga autoritetet, ashtu si merren të gjithë “kundravajtëset” e tjera, nga ata që në libër njihen si “Sytë”.
Romani të fut në mendime për këtë shikim të ri të totalitarizmit, por edhe të mban në peshën e ankthit të zgjidhjes së fatit të personazhit tonë. Përgjigja merret me epilogun, ku në një Simpozium për Studimet Xhilediane (Ky është qyteti fikshën ku zhvillohen ngjarjet), një organizim që bëhet në vitin e largët 2195, dy profesorë ofrojnë historinë e shërbëtores tonë përmes regjistrimeve të gjetura dhe të gjithë rrëfimit i japin një përcaktim që shkon me titullin e librit “Rrëfenja e Shërbëtores”. Në një farë mënyre epilogu tregon sesi shkatërrohet kjo Republikë, e quajtur Xhileadiane nga vetë subjektet e saj dhe si rivendoset e drejta e plotë e grave dhe gjithçka tjetër.
Personazhi ynë është subjekti kryesor, kurse Komandanti dora-dorëz do na shfaqet si një nga arkitektet e kësaj strukture tmerri…Është një lojë-rrëfimi Oruellian dhe për këtë kjo autore meriton respektin më të madh, që kuptohet se është e tepërt kur e themi ne sepse deri më tani ajo ka marrë shumë nga nderimet prestigjioze…
Struktura e librit është pak e ndërlikuar, por kjo e bën më të dallueshme punën e saj, që duhet thënë se është bash e vështirë, e që nuk mund ta zbërtheje ndryshe. Kjo republikë hipotetike tregon dështimin e çdo segmenti të shoqërisë të kapur nga totalitarizmi, ku shumë duan vetëm të arratisen prej saj. Është një lloj aludimi i hapur për të gjitha shoqëritë totalitare, që autorja i jep edhe një drejtim fare të hapur për SHBA-në, ku drita, sipas saj, mbetet Kanadaja e saj.
Po të futesh më thellë lexon se në kronikat e kohës thuhet se vetë Atwood “ka qenë në avangardën e anti-amerikanizmit kanadez në vitet ’60-70” dhe këtu e kupton angazhimin real të saj. Romani mund të lexohet në fakt me kujdes dhe ndoshta ka nevojë për një parathënie, që do t’ia këshillonim PEGI-t, por që tani është vonë. Ajo do të shërbente më mirë për të shpjeguar arkitekturën e librit dhe personifikimit, kurse vetë lexuesit do t’i jepte një ndihmë që të notonte pastaj mes rrëfimit. Autorja në fakt ka bishtnuar pak, kur ka thënë se bën fikshën spekulativ, me sa duket t’i shpëtojë pikërisht aludimeve të rrezikshme.
Një punë e mirë është bërë nga përkthyesja e njohur Ëngjëllushe Shqarri, që duhet thënë se me kujdes dhe përmes thjeshtësisë si e ka zbërthyer dhe ka kaluar detyrat e përkthimit, e bën librin më të thjeshtë në lexim dhe ta bën shpesh përsiatjen më të afërt.
“Mirë atëherë,-i them unë. Punët kanë ndryshuar. Tani jam unë që kam epërsi ndaj tij. Epërsia që kam ndaj tij është mundësia e një forme të re vdekje. Epërsia që kam ndaj tij është faji i tij. Më në fund!”…Çfarë gjetje! Sa libër i punuar mirë!
Libris
Titulli: Rrëfenja e Shërbëtores
Autore: Margaret Atwood
Gjinia: Roman
Botimet: PEGI
Përktheu: Ëngjëllushe Shqarri
Faqe: 391
Çmimi: 1.000Lek










