Irani ka lëshuar raketa në shenjë hakmarrjeje në të gjithë Lindjen e Mesme pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael, ndërsa mes objektivave të goditura ishin edhe zona në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Pas një “incidenti” në Dubai International Airport, autoritetet kanë konfirmuar një tjetër ngjarje në një aeroport të madh, këtë herë në Zayed International Airport në Abu Dhabi.
“Abu Dhabi Airports konfirmon se një incident ka ndodhur në Zayed International Airport dhe ka rezultuar në një viktimë, një shtetas aziatik si dhe shtatë të plagosur”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Më pas një zjarr shpërtheu në portin e Dubait pas një sulmi me raketa të ndërmarrë nga Irani. Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet e emiratit.
“Njësitë e mbrojtjes civile të Dubait ndërhynë menjëherë dhe po vazhdojnë përpjekjet për ta shuar plotësisht zjarrin. Nuk janë raportuar të plagosur,” thuhet në një deklaratë të publikuar në platformën X.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi dëmet materiale apo mbi shkaqet e sakta të shpërthimit të zjarrit.
Gjithashtu autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin përhapjen e thashethemeve dhe të mbështeten vetëm në burime zyrtare për informacion. Sipas njoftimit, përditësime të tjera do të jepen në vijim.











