Irani do të rikuperojë 32 miliardë dollarë të të ardhurave të tij të bllokuara në bankat ndërkombëtare me përfundimin e sanksioneve ekonomike dhe financiare, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes bërthamore, deklaroi presidenti i Bankës Qendrore iraniane. “Me heqjen e sanksioneve dhe hyrjen në fuqi të marrëveshjes bërthamore, 32 miliardë dollarë të ardhura të bllokuara do të lirohen”, deklaroi Valiollah Seif, i cituar nga televizioni shtetëror. Marrëveshja bërthamore historike e arritur në muajin korrik mes Iranit dhe fuqive të mëdha hyri në fuqi më datë 16 janar duke sjellë dhe heqjen e sanksioneve ekonomike që kanë goditur prej disa vitesh këtë fuqi rajonale me shumë burime nafte dhe gazi.