TIRANE- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ironizuar këshilltarët e opozitës që braktisën sot mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Kryebashkiaku deklaroi se Teatri i ri do të ndërtohet, pasi mbështetet nga 83% e qytetarëve të Tiranës. Veliaj ironizoi PD për vettingun në politikë. Veliaj deklaroi se tashmë nuk ka asnjë aktor që proteston për teatrin, vetëm dy regjisorë të dënuar për vjedhje.
“Këta tani duan të bëjnë veting. Hajde të bëjmë njëherë veting për protestuesit e teatrit. Sondazhi i fundit thotë 83% e qytetarëve të Tiranës do teatër të ri, është vetëm çështje kohe derisa të shkojë në fund. Meqë po flasim për veting, hajde ta bëjmë vetingun. Kush ka ngelur që proteston për teatrin. Vetingu i parë do thoni ka aktorë?! Zero aktorë. Vetingu i dytë, dy regjisorët, ish- drejtorë të PD janë të dënuar me vendim gjykate për vjedhje. Pra këta që duan të bëjnë veting nuk gjejnë dot protestues të padënuar. Ai tjetri i shoqërisë civile njëherë e kam heq unë nga puna për vjedhje aparati fotografi, njëherë e ka heq LSI për vjedhje nafte. Pra nëse bëjnë këta veting, këtyre nuk u ngelet asnjë protestues, i ka të gjithë protestuesit të dënuar. Të dënuar, morën lekë për film dhe filmi nuk u bë kurrë. Këta thonë janë aktorët, kush janë aktorët?! Dy ish-drejtorë të PD që vodhën lekët dhe nuk bënë filmin. Filloni vetingun, bëjeni vetingun. Por po të bëjnë këta veting, nuk u ngelët më jo protestues, por as votues. Kjo është arsye pse u larguan sot”, tha Veliaj.
Gjatë fjalës së tij Veliaj tha se opozita ka nisur ekskursionet në disa rrethe të vendit.
“Opozita tha që ligji i teatrit nuk kalon veçse mbi trupat tanë, ama kur ka seancë në Kuvend ku diskutohet ligji i teatrit, shkojnë për eskursione në Durrës, Vlorë, Shkodër… Trupat e tyre kanë nevojë për peshk të mirë, prandaj hanë dreka nëpër qytete turistike”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku deklaroi se PS do fitojë bindshëm zgjedhjet vendore dhe do jetë shumicë në këshillin bashkiak të Tiranës.
“Qytetarët do na japin mbështetje për të fituar shumicën dërrmuese të këshillit. Puna në Tiranë nuk do të ndalet“, tha kryebashkiaku Veliaj
Javanews/a.ç










