Këshilltarët e opozitës e cilësuan si shkelje kushtetuese vendimin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Ata braktisën mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak ku i pranishëm ishte edhe kryebashkiaku Veliaj.
“Do mbaheni mend si njerëzit që i shembët teatrin qytetit. Po shkelni Kushtetutën me vendimin e marrë”, u shpreh ndër të tjera anëtari i PD në këshillin e Bashkisë së Tiranës, Kreshnik Çollaku para se anëtarët e opozitës të largoheshin nga salla e mbledhjes.
Ndërkohë që në fjalën e tij, kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj reagoi ndaj qëndrimit të PD, duke këmbëngulur se Teatri i ri do të bëhet ashtu siç u bë edhe Këndi i Lojërave tek Liqeni dhe Sheshi Skënderbej.
Më tej Veliaj, u shpreh se kur PD kishte mundësinë që të punonte për Tiranën, ‘zaptoi’ SHQUP-in me VKM.
“Kjo opozitë mërzitet sepse kryeqyteti po ecën mirë. Mos u çudisni që këta të hyjnë sërish në çadra”, u shpreh Veliaj./a.m.