Nga Iva Tiço
Plot njëzet vjet më parë, kur nisa të punoja gazetare në një gazetë të përditshme, më caktuan në rubrikën e Kulturës dhe një prej institucioneve që duhej të ndiqja qe Teatri Kombëtar. Ndryshe nga sa përfytyroja se do shkruaja për shfaqjet apo do të intervistoja aktorë e regjisorë, për rreth dy vitet që pasuan kam bërë shumë e shumë shkrime që flisnin për godinën, polemika për shembje ose jo, ligjin e teatrit, shpërblimin e artistëve, masat kundër zjarrit, deri edhe për perdet e rënda që u pastruan për të parën herë në ‘99-ën, rrezik që nga koha e ndërtimit. Ishte kohë tjetër, vetëm për shfaqje që nuk ia ndjente askujt.
Pak përpara se të nisja punën, (pra dhe shkrimet dhe të mësoja gjithë problematikën) Edi Rama, që asokohe nuk kishte shumë që ishte zgjedhur ministër Kulture, kishte acaruar në kulm marrëdhënien me artistët që kundërshtronin ligjin e ri të teatrit, por kundërshtonin dhe idenë e shembjes së godinës, e cila u mbyll përkohësosht me një vendim të “zjarrëfikëseve” (nuk e mbaj mend emrin e institucionit që përcaktonte që një objekt i caktuar kishte rrezikshmëri të lartë). Por armiqësia me ministrin e ri nuk kishte aspak natyrë artistike e parimore: një nga vendimet e tij të para qe heqja e shpërblimit prej 90 për qind të shitjes së biletave, që pushteti i parë i Berishës ua kishte dhënë aktorëve e regjisorëve, si një lloj privatizimi, ndonëse nuk quhej me këtë emër, kurse vendimi i dytë, që erdhi pak më vonë e që i ndezi gjakrat me keq, qe mbyllja e një bingoje aty ku sot ndodhet Teatri Eksperimental, nga kontrata e qirasë të së cilës të gjithë punonjësit, të rinj e të vjetër, merrnin nga 50 a 60 euro në muaj.
Ky lloj “privatizimi” kishte bërë që për vite me radhë në skenë të ngjiteshin komedi nga më bajatet, që aktorët e mirë privatisht pohonin se ju vinte ndoht t’i ngjisnin në skenë, por që e sillnin publikun me turma në teatër, ç‘ka ju sillte atyre përfitime nga shitja e biletave. Rama ua preu këto burime, duke e “shtetëzuar” sërish teatrin e duke i trembur më tej: me ligjin e ri do të krijonte një kompani teatrore dhe të gjithë do të punësoheshin me kontrata. Shkurt muhabeti, aktorët që punonin, do shpërbleheshin. Ata që jetonin me krenarinë e dikurshme dhe lavdinë e batutave të filmave të Kinostudios, duhej teknikisht të shkonin në shtëpi.
Reagimi qe shumë më i fortë se ky i sotmi, edhe pse buja ndoshta më e vogël, për shkak të mungesës së portaleve. Por fryma është e njëjta që është sot: aktorë të mirënjohur dhe jodheaq, sindikata, fjalime në emër të artistëve, protesta në bulevard, kërcënime me grevë urie… Dhe bashkë me to edhe rreshtimet pro dhe kundër artistëve, jo vetëm në oborrin e teatrit por edhe në media. Kishte gazeta me Ramën, kishte edhe me artistët. Për shembull, një nga shefat e mi (si e re, fruthe që isha, kisha shumë të tillë) më këshillloi/urdhëroi që të mos futja shumë argumente të zyrtarëve në artikujt e mi, por të merrja më shumë prononcime të artistëve, sepse ata i donte populli dhe se populli do na lexonte e do na blinte gazetën. “Ky Rama mund të jetë komplet gjeni, mi Iva”, më tha, “po nuk e njeh populli. Populli do që të lexojë ata, artistët e filmave, ata jepi. Ja, për shembull, shko e merri një intervistë këtij Vangjush Mios, boll me Ramën dhe të vetët”.
E kishte fjalën për Vangush Furxhiun, ndjesë pastë, që në atë kohë ishte ndër zërat më të spikatur kundër ligjit të teatrit. Në të njëjtën mënyrë si dhe gazetarët sot, që Mirush Kabashit i thonë Mitrush Kuteli, ish-shefi im e kishte bërë zgjedhjen: ne jemi me popullin. Populli i do artistët, sepse ka parë filmat e Kinostudios dhe mban mend batutat e tyre, populli lexon, klikon dhe komenton portalet dhe ja ku jemi: në një Teatër Popullor. Të njëjtët artistë, që njëzetë vjet të shkuara merrnin fitimet nga metrat katrorë të godinës së Teatrit, sot janë vigjilentë se mos ndonjë i zgjuar tjetër i merr ato metra. Të njëjtët artistë që dje ishin deputetë apo zyrtarë të “Berishës 1”, teksa degradonte Kinostudioja dhe shkatërrohej gjithë rekuizita e filmave që mund të bëhej ekspozitë, ku e ku më e mirë sesa “teatri muze”, sot janë sërish në qendër të debatit. Ata që kanë heshtur për shkatërrimin dhe rrjepjen e Piramidës në mes të ditës, madje kanë qenë zyrtarë shtetërore edhe kur “Berisha 2” jepte fonde të tjera për ta kthyer Piramidën në teatër, sot nuk ndjehen dhe as nuk pyesin “ore mirë teatri nuk u bë, po ato lekët dhe mermerin që u rrop, kush i mori?!”
Të gjithë janë specialistë ndërtimi në këtë vend, të gjithë janë arkitektë, të gjithë njohës monumentesh. Mund të tirret edhe nja njëzet vjet të tjerë kjo punë, argumentet nuk shterojnë. Dikush prej artistëve mund të jetë kundër PPV-ve, sepse e ka pësuar kur ka dhënë shtëpinë e vet. Unë mund të jem pro, sepse jam shumë e kënaqur me ekperiencën me ndërtuesin që mori truallin e shtëpisë sime… Dikush nuk ka asnjë kundërshtim që të bëhet teatër i ri, por thotë pse “Fusha”. Unë them po e bëtë, aman jepjani “Fushës”, sepse në më pak se një vit bëri gjithë atë shesh dhe mos ia jepni firmës “Curri”, për shembull, se ka gjashtë muaj që nuk po mbaron dot një rrugicë të qelbur në lagjen time…
Por ja që këto punë nuk bëhen kështu. Nuk bëhen dot me diskutime popullore. Jemi vend kaq i vogël sa për çdo njeri që flet, e gjejmë vegjen: ky ka marrë rrogë me PD-në, ky me PS-në, këtij i kanë futur vajzën në punë, atij i kanë hequr nusen… Përtej populizmave, të gjithë e dinë që Shqipërisë i duhet një Teatër Kombëtar dinjitoz, siç nuk e ka pasur kurrë. Pastaj i duhen mbi të gjitha shfaqje të mira, në gjuhën shqipe, në të vetmen gjë që na bën “kombëtarë”. “Teatrin e bëjnë njerëzit, jo godina”, ishte ndoshta shprehja më e goditur që tha sot Erion Veliaj. Le të nisim të sillemi pra të gjithë si kombëtarë, mjaft e mbajtëm teatrin si popullor.(Tiranapost)