Agores së Teatrit iu bashkua mbrëmjen e djeshme edhe aktori i mirënjohur Guljelm Radoja, i cili tregoi se edhe pse jetonte në Durrës e s’mund të ishte gjithmonë i pranishëm, është gjithmonë në mbështetje të kauzës.
“E kam thënë dhe më parë, ky vend nuk është i yni, ky vend është i juaji. Nuk do të fitojnë ata, do të fitojë qytetaria. Do të fitojë ai spektator, ai qytetar që e do artin”. Aktori u shpreh se, edhe pse disa media po përpiqen të manipulojnë opinionin, duke e konsideruar atë që ndodh si turpin e qytetarëve, e vërteta është tjetër.
Për sa i përket natyrës së brishtë të artistëve, ndonjëherë edhe të manipulueshme, Radoja iu drejtua Ndrenikës për tërheqjen e tij të papritur nga kauza e Teatrit. “Një nga kolegët e mi i tha dikujt se ‘unë shkela mbi dinjitetin tim’. Pse shkele? A ka gjë më të madhe se dinjiteti? Secili prej nesh kur lan faqet në mëngjes shikon veten dhe thotë një fjalë: Ç’bëra dje?! Sa dinjtioz qeshë dje. Pse isha qesharak dje dhe lashë të shkelet mbi dinjitetin tim. Për çfarë? Përse u shite miku im?! Përse u shite kolegu im? Çfarë pakti bëre me djallin, që shkele mbi dinjitetin?”, tha aktori.
Radoja iu drejtua kolegut të tij, i cili qe një nga nismëtarët dhe figurat simbol të mbrojtjes së Teatrit deri në ditët e fundit të korrikut. Asokohe, së bashku me kolegë si Arben Derhemi apo Alfred Trebicka, që ranë dakord për ndërtimin e një teatri të ri, po në këtë hapësirë, me kushtin se nuk do të prekej asnjë centimetër tokë.
Reagimi i Ndrenikës
Në lidhje me deklaratën e kolegut të tij,“Panorama” ka kontaktuar mbrëmë aktorin Robert Ndrenika, i cili ka pohuar se është në një gjendje jo të mirë shëndetësore. Nga ana tjetër e telefonit dëgjohej kolla e aktorit, që herë pas here e pengonte të fliste.
“Të më falni, por nuk jam mirë me shëndet. Nuk jam mirë. Unë kam bërë disa deklarata më parë, ja merrni ato. Sot e kishin shkruar në një gazetë njërën”, thotë Ndrenika. Për fjalët e kolegut të tij, që në njëfarë mënyre e akuzon se u lejua të manipulohet nga politika, ai shprehet:
Mendon se jam shitur?! Epo mirë, le të mendojë ashtu. Por a mund të më thotë se me se jam shitur?! E pra, kam marrë para. I thoni që kam marrë nja 200 mijë euro”, thotë me ironi Ndrenika. Gjendjen e rënduar të aktorit e pohojnë edhe miq të tij.
Ndrenika që në fillim të protestave është shprehur për nevojën e ngutshme për një teatër të ri, duke këmbëngulur që asnjë pjesë të mos i kalojë privatit. Së njëjtës deklaratë i qëndron edhe sot, duke shpresuar për një teatër më të mirë për brezin e ri./ panorama
g.kosovari











