Shoqata e të verbërve të Elbasanit ka reaguar sot për mungesën e fletëve të përshtatshme të votimit për personat me aftësi të kufizuara në shikim. Në qarkun e Elbasanit janë gjithsej 1600 persona të verbër me të drejtë vote, të cilët shprehen për mungesë të standardeve.
“Kemi vënë re një problem shumë shqetësues për personat me aftësi të kufizuar, specifikisht të verbër, për faktin se pas këtyre qendrave të votimit nuk gjenden shabllonet që shërbejnë për votim. Këto shabllone janë ato që të verbrit marrin dhe votojnë në mënyrë të pavarur. Përndryshe u nevojitet të marrin person të tjerë t’i shoqërojnë dhe të votojë përmes këtyre personave të besueshëm. Si koordinator i qarkut Elbasan kam konstatuar se ky problem është evidentuar në gjithë qarkun. Kemi konstatuar që ky lloj problemi është hasur dhe në qarqe të tjera. Edhe aty ku ndodhen shabllonet ka një problem që është shumë shqetësues,sepse dhe në rastet kur fletët futen në shabllon, atëherë vota është e identifikueshme për faktin se gjurma e stilolapsit mbetet dhe tek shablloni”, tha Arjan Hysa, kryetar i shoqatës së të verbërve.