Nga Bajram Peçi
Me tam-tame, pasi kompania “Shell” njoftoi praninë e naftës në Shpirag, televizione e gazeta ia dhanë sihariqin popullit. Në mediat online, pothuajse në të gjitha, pas kësaj shpërtheu një zemërim e reagim tërësisht negativ ndaj lajmit. Kësaj here dukej haptazi se të majtë e të djathtë ishin të një mendje që lajmi, jo vetëm nuk duhet të gëzojë kënd nga “dora” jonë, por, për më tepër, është një mënxyrë që do rëndojë mbi popullatën e zonës ku u zbulua nafta. Do jenë shumë ata që, kur të lexojnë këtë “mënxyrën” do thonë se “…këta kanë rrëshkitur”. Po sikur të mos nxitohen, ja prisni!
Na ishte njëherë një lajm i gëzueshëm, kur zbulohej e vihej në shfrytëzim një vëndburim i ri nafte ose mineralmbajtëse. Me nxjerrjen dhe përpunimin e tyre shteti mbante të ngritur një industri, zinte njerëzit me punë dhe fitimet, që ishin jo pak, shkonin në dobi të popullatës, arsimit, kulturës, sportit. Kush të dojë ta politizojë, duke pështyrë mbi atë periudhë (me te drejtë e pa të drejtë) është i lirë, por që pasuritë kombëtare ishin e mbeteshin përpos se pasuri të vëndit, nuk e mohon dot.
E çuditëshme se si ndryshojnë gjërat. Nga lajm i mirë, e njëjta gjë tani merret si lajm i keq. Po-po, lajm mëse i keq! Kohërat ndryshuan. Kur u kujton njerëzve minierat e kromit, mendja u shkon te vdekjet rutinore të minatorëve. Kjo “industri” zeza që erdhi, përfshinte nismën e çdo kujt që hapte një vrimë në mal, atje ku dallohej një damar minerali, dhe ngrinte galeri primitive me travesa druri falas, që ishin veçse pyjet “mall pa zot”, nga Malësia e Krujës e deri në Has. As më shumë e as më pak se ç’ndodhte në Perëndimin e Largët amerikan në shek. 19. Popullata e zonës mineralmbajtëse është edhe më e varfër nga çka qenë. Shrytëzuesit asnjëherë s’ndodhi të ishin vendas. Të ardhurit thjesht i kanë shfrytëzuar nën tokë e mbi tokë, ku u kanë prerë pyjet, u kanë ndotur hapësirën, u kanë dëmtuar burimet, u kanë prishur rrugët.
Sa i përket zonave të shfrytëzimit të naftës, s’ke ku ta kapësh e ku ta zësh më parë! Nafta si vendburim e si industri, tragjikisht, në mungesë të shtetit ra në dorë të gabuara. Disa thonë në duar gangsterësh, por unë s’mund të them gjë sepse dhe informacionin e kam të kufiziuar. Është njëri që nuk i pagoi puntorët e shfrytëzimit e përpunimit prej vitesh, ka një dosje penale të pluhurosur prej vitesh e që nuk sillet dot para drejtësisë. Pse nuk sillet, prokuroria e di?! Një kompani tjetër eksperimentone me nëntokën, duke provuar shpërthime të cilat “shkenca” e tyre ua kish këshilluar si zgjidhje për të rritur prodhimin. Dhe përfundimi: ua nxiu jetën atyre që jetonin mbi vendburim. Fillimisht u shkatërruan banesat, më pas ua menderosën ajrin. Nuk vonoi dhe uji u bë i papishëm. Për rrjedhoje tokat bujqesore dolën nga aftësia prodhuese dhe u bënë inproduktive. U shtirën shkaktarët sikur pranonin përgjegjesinë, morën përsipër zhdëmtimet dhe…ikën. Ikën pa shlyer gjë detyrimet. Erdhën shfrytëzues të tjerë.
Pse tani shqiptarët e shohin vëndburimin e ri të naftës si një e keqe? Sa më të varfër janë zonat ku zbulohet nafta, aq më tragjike janë pasojat. Problemet më të vështira e që bëhen të pazgjidhshme ngrenë kryet në çështjet mjedisore. Ato na kanë goditur parreshtur. Ikni shihni Zharrzën. Ikni, por do të ktheheni të dëshpëruar për çka do shihni. Toka e qelbur dhe njerëzit e varfër janë ata që do vuajnë mjediset e shndërruara në të pabanueshme. Në Zharrëz, psh., nuk duan të jetojnë më nga shkaku se ajri është bërë helmues, por për ata ska shumë zgjedhje se ku të jetojnë. Ata janë më të ekspozuar ndaj fatkeqësive të tilla si depozitmet toksike, ajri dhe uji i ndotur. Ndërsa cilësia e jetës së tyre bie dhe shëndeti u përkeqësohet, fitimet e kompanive shfrytëzuese koncesionare rriten.
Degradimi i tokës dhe humbja e biodiversitetit do i prekin pa derman keta njerëz të varfër, ku zbulohet nafta. Atje ku do dalë naftë, nuk ua japin më sigurinë mjedisore. E them këtë se kështu ka ndodhur deri tani. Disa kilometra rreth e përqark, burimet natyrore (toka bujqësor, nevoja për dru zjarri, ushqim dhe material ndërtimi) nga varet drejtpërsëdrejti organizimi i jetës së tyre, do shterin, në mos u shfarofshësin që në krye të herës nga rrugët për mjetet e rënda, nga tubacionet e derdhjet e tyre. Kur degradimi mjedisor shkatërron mundësitë për jetesë, ata që kanë mjetet financiare ikin nga sytë këmbët. Por nuk mund të lëvizin shumica. Të jesh i varfër do të thotë të mos kesh mundësi askund për të shkuar.
Pa le kur është fjala për të drejtat e tyre, psh., e drejta e pronësinë mbi tokën?! Atje në Shpirag, mesa mora vesh, as pronësinë mbi tokën nuk ua kanë dhënë. Qëllimisht apo si, nuk di ta them, por di të them se ku ka patur burime të përbashkëta natyrore, nga të cilat varen njerëzit e fshatit, nuk di të mbrohen me ligj. Nuk di gjithashtu të ekzistojnë politika mjedisore, pavarësisht ç’thonë pushtetarët, për të mbrojtur shëndetin dhe jetesën e njerëzve të varfër. Kur njerëzit nuk mund të mbijetojnë më në vendin e varfëruar për shkak të naftës ose vëndburimit minerar, ata do lëvizin kasolle më kasolle, nga qyteti në qytet, ku shanset për një jetë më të mirë janë gjithashtu të zymta. Turizmin me natyrë, nëse e ka patur zona deri tani, këtej e tutje harrojeni.
Po si paraqitet situata e fitimit nga shteti, nga këto vendburime nafte? Aproiri po them se në opinion ekziston bindja që shqiptarët nuk fitojnë gjë. Shkaku fillon e rrjedh që me ndërtimin e kontratave, ku ndodhet një ministër e disa drejtorë kalimtarë. I qëndrueshëm është përpos se koncesionari, të tjerët shkojnë e vijnë. Sa para do derdhë shfrytëzusi, që e ka fituar këtë të drejtë, për fuçi nafte varet. Po ja psh.: prodhimi dhe investimet në ç’raport do jenë, si do njihen, një metodë e vjetër juridike kjo; po dhe raportet financiare, janë një hile e vjetër sa ç’janë këmbimet portuale që nga koha e Marko Polos. Sa i përket punësimit të banorve të zonës, përmendur kjo si një e ardhme e ndritur nga nxjerrja e naftës, askush nuk e merr seriozisht. Për punëtorë krahu sot ka nevojë vetëm pastrimi i kanaleve dhe ujrave të zeza, përfshi dhe këto kanalet ku koncesionari do derdhë mbetjet.
E fundit, sa i përket fitimit të vendit ku ndodhet e nxirret nafta, do kenë nevojë për dy ilustrime: Venezuela është vëndi prodhues i naftës më i madh i Amerikës Latine; dhe Nigeria, vëndi prodhues i naftës, më i madh i kontinentit të Afrikës. Këto janë dhe shtetet me popullsinë më të varfër në Amerikë Latine dhe Afrikë. Pra, një pasuri kombëtare shndërohet e tillë kur ke një shtet të aftë për ta drejtuar e bërë të dobishme.