Avokati Idajet Beqiri ka lëshuar akuza ndaj Partisë Demokratike dhe liderit të saj, Sali Berisha, gjatë analizës së situatës politike në emisionin “3D” në RTSH. Duke komentuar protestën e fundit, Beqiri e cilësoi aksionin opozitar si një “film i vjetër i parë që nga viti ’91”, që sipas tij, bëhet vetëm për të mbrojtur Berishën nga drejtësia.
Avokati hodhi poshtë pretendimet e opozitës për mbështetje popullore, duke u ndalur te numrat dhe mënyra e organizimit.
“Këto nuk janë protesta qytetare. Tirana ka 1 milion e 200 mijë banorë, në protestë ishin 3 mijë persona të mbledhur nga të gjitha anët me pagesë,” deklaroi Beqiri.
Ai shkoi më tej duke pretenduar se disponon prova nga përvoja e tij si avokat: “Kam mbrojtur njerëz në procese gjyqësore që kanë marrë pjesë në protesta dhe kam dëshmi që janë paguar.”
Sipas Beqirit, shkaku i vërtetë i “përshkallëzimit politik” nuk është keqqeverisja, por avancimi i hetimeve për dy dosjet të bujshme.
“Nuk janë protesta qytetare, këto janë protesta për të mbrojtur Sali Berishën. Po përfundon ’21 Janari’, pas tij është ‘Gërdeci’. I ka ardhur ora, s’ka ku të shkojë,” tha ai, duke shtuar se opozita aktuale e ka lënë vendin pa alternativë.
Në debatin mbi krizën politike, Beqiri bëri një krahasim mes situatës së sotme dhe asaj kur Berisha ishte në pushtet.
“Kriza qëndron në kokat e sëmura. Qenka krizë Tuneli i Llogarasë dhe nuk qenka ’21 Janari’ ku u vranë njerëz, apo ‘Gërdeci’ ku u dogjën njerëz gjallë?” tha avokati.
Në mbyllje, ai kujtoi se pavarësisht dhunës me molotovë, qeveria nuk bie, ndërsa kujtoi se më 21 janar, kur nuk kishte as molotovë e as flakadanë, protestuesit u vranë në Bulevard.
“Të tremb vota e popullit, jo ato 3 mijë veta,” përfundoi Beqiri.











