Incidenti i ndodhur mbrëmjen e 28 nëntorit në Degën e Partisë Demokratike në Kurbin ku u qëllua me armë zjarri, ka sjellë penalite për protagonistët e ngjarjes. Dy kandidatë të primareve për Bashkinë e Kurbinit Alfred Dajçi dhe Edmond Shkoza janë përjashtuar nga gara e 4 dhjetorit.
Vendimi është marrë nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale te Rithemelimi, pas shqyrtimit të fakteve, fotove dhe dëshmive. Sipas PD-së së Rithemelimit aktet e dhunës të papranueshme dhe me veprimet e tyre kandidatet dhe anëtaret e kryesisë së kësaj force politike kanë cenuar rëndë ecurinë e procesit zgjedhor të primareve.
Gjithashtu Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale i kërkon kryesisë së PD-së Kurbin marrjen e masave disiplinore me shkarkim nga çdo funksion në këtë parti të shtetasit Van Rica. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës gjatë një takimi të kandidateve të primareve me kryesinë, ku 53-vjeçari Van Rica i cili mbështeste kandidatin Edmond Shkoza kishte kërkuar anëtarësimin e disa simpatizantëve, por kjo është kundërshtuar nga nënkryetari i degës së Partisë Demokratike të Rithemelimit Kastriot Marku me pretendimin se kishte përfunduar afati i anëtarësimeve.
Në debat e sipër Van Rica ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në korridoret e zyrave të Partisë Demokratike dhe më pas është larguar, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Autori i kësaj ngjarje u arrestua nga policia disa orë më vonë, por pas tre ditësh gjykata vendosi që të hetohet në gjendje të lirë.
/e.d