Policia e Fieri ka dhënë detaje për plagosjen me armë zjarri të ndodhur mesditën e kësaj të premteje në Fier. Kështu i plagosur nga kjo ngjarje ka mbetur Dashamir Muça, 50 vjeç. Ai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa autor i dyshuar i ngjarje është, Altin Nika 52 vjeç. Aktualisht policia po punon për kapjen e tij. Dyshohet se shkak për ngjarjen është bërë një konflikt i çastit.
“Plagosi me armë zjarri një shtetas, pas një konflikti të çastit, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika të shumta kontrolli, në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim kapjen e tij. Rreth orës 13:15, në lagjen “11 janari”, dyshohet se pas një konflikti të çastit, Altin Nika 52 vjeç, ka plagosur me armë zjarri, Dashamir Muça 50 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Vijon puna intensive për kapjen e Altin Nikës. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”, tha policia në njoftimin e saj për mediat.
Ishin dëshmitarët okularë që e raportuan fillimisht ngjarjen. Sipas tyre, i plagosuri ishte në shoqërinë e vajzës së tij të vogël kur u qëllua me të paktën 3 plumba. Një prej tyre e preku në pjesën e barkut. Siç shihet edhe në pamje, ngjarja ndodhi në një zonë të populluar.
/s.f