Të përndjekur politikë që kanë vuajtur dënimin në burgjet më famëkeqe të komunizmit kërkojnë çdo javë të drejtat e tyre para parlamentit, por dje ata nuk u bënë pjesë e tubimit të organizuar nga Partia Demokratike. As nuk morën mjete të forta për të prishur bunkerin, që më së shumti u kujton vitet e burgut.
Siç shprehen edhe vetë dy prej më aktivëve të së enjteve, nuk deshën të bëhen palë me partitë politike. Agim Kollçaku e Agron Talo shprehen për “Gazeta Shqiptare” se edhe në qeverinë e shkuar jo shumë u bë për ta, por “në emër të tyre bëhet çdo gjë”.
Dy ish-të përndjekurit politikë tregojnë, se u kontaktuan nga opozita për t’u bërë pjesë e protestës, por pasi u konsultuan edhe me pjesën tjetër të grupit, vendosën të mos bashkoheshin me ta në 8 dhjetorin e vitit 2015.