Halla dhe vëllai i 8-vjeçarit që u rrëmbye dhe u vra nga fqinji i tij në Fier, kanë mbërritur pasditen e sotme në qytetin e Vlorës, ku kërkojnë mbledhjen e firmave për rikthimin e dënimit me vdekje.
Përmes një prononcimi për media, halla e të ndjerit i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Vlorës që t’i bashkohen peticionit dhe këtë ta bëjnë jo vetëm për Mateon, por për të gjithë fëmijët e vrarë padrejtësisht.
“Vazhdon peticioni. I bëj thirrje qytetit të Vlorës të na bashkohet. Kjo nuk bëhet vetëm për Mateon, por për të gjithë ata fëmijë që i është marrë jeta padrejtësisht. Kështu që bëj thirrje Vlorës çohuni, kudo që jeni, duke fjetur gjumë, duke pirë kafe, ju lutem çohuni dhe na u bashkoni”, tha halla e 8-vjeçarit teksa mbante në dorë një pankartë me mbishkrimin “kërkojmë të kthehet dënimi me vdekje”.
Kujtojmë se ditën e sotme familjarët e 8-vjeçarit zhvilluan një protestë marshim në qendër të qytetit të Fierit, ku nisën dhe mbledhjen e firmave për kthimin e dënimit me vdekje. Protestës së tyre iu bashkuan dhe shumë qytetarë të ndryshëm, të cilët të revoltuar kërkuan drejtësi për 8-vjeçarin./m.j