Nga Ben Andoni
Lajmi i keq është se PD-ja me këtë resurs njerëzor që posedon e me të cilën është e detyruar të drejtojë opozitën parlamentare nuk mund sërish të bëj dot asgjë. Por, më keq akoma, se edhe lëvizja e re, që po zhvillohet për një frymë të re brenda saj, nuk është se ka ndonjë dallim me të. Anëtarët e dy legjislaturave të fundit të parlamentit shqiptar janë nga më të dobëtit që ka paraqitur nga ana e saj PD-ja dhe PS-ja, por më shumë se kaq është performanca e tyre që e ka ulur deri në fund shpresën e njerëzve. Kjo sepse PS po duket qartë se sensin e ndryshimit e ka të vogël, kurse fjalët e mëdha.
Për fat të keq, PD-ja, njësoj si PS-ja e ka të vështirë të ndryshojë vendin ose të inincojë ndryshime radikale sepse në thelb i mungon vizioni dhe predispozita për t’i bërë këto. Masa e madhe e njerëzve, që përcaktoi dhe barometri evropian, që duan të lënë vendin, nuk është aspak gjë e re, por i ri është fakti që edhe prurjet e reja të PD-së, dëgjesat kilometrike të Ramës dhe propaganda e frikshme e tij, nuk i japin dot shtysë vendit në këtë stanjacion të frikshëm.
Aq e qartë është kjo saqë ti e shikon me luftën e shëmtuar që po bëhet për të etiketuar krimin, që në fakt i ka mbërthyer të dy palët; me reformën zgjedhore, që po përdhoset prej fillimi; e më shumë akoma me vazhdimësinë e boshtë të Reformës në Drejtësi. Është e qartë se të dy forcat politike, larg atij debatit shterpë dhe deklamimeve patetike janë të kënaqur që demokracia ka këto nivele. Është e kuptueshme, vetëm në këtë mënyrë, ato arrijnë ta menaxhojnë si duhet masën e njerëzve, që u marrin votat.
E ndërsa PD-ja po vuan paq qindra- mijërat anëtarët e larguar, PS-ja veç tyre po mban përgjegjësinë e dëshirës së ikjes së dyfishit syresh prej shqiptarëve. Presioni me largimet në administratë, që deri në një farë mase mund të justifikohen, por pa e tepruar; deklamimet për trendin rritës së ekonomisë, kur realiteti tregon se vendi është zhytur në varfëri skajore; shërbimet e munguara ndaj njerëzve në shumë nivele dhe të nëpërkëmbura kudo; reformat që nuk gjejnë zbatim, tregojnë se Shqipëria e ka mbërthyer këtë nivel e nuk do t’i ndahet dhe në ditët, muajt, vitet në vazhdim. Kështuqë, si në një qerthull, atë që bëri pak vite më parë PS-ja duke mbledhur të drobiturit dhe të pakënaqurit, atë po bën PD-ja sot duke e mbrojtur dhe me analizën e humbjes.
Dhe, këtë herë PD-ja i është drejtuar biznesit të vogël dhe intelektualëve. Më të zhgënjyerve. Veçse biznesi i vogël njësoj po e pëson me çdo forcë politike që ngërçet e veta të zhvillimit i plas tek fashat më të dobëta të shoqërisë, e sa i përket intelektualëve që po i kërkon me ngulm, ata tashmë po shkrihen me masën e popullit dhe gjithnjë e më shumë po identifikohen me mbijetesën e thjeshtë.
Kështuqë PD-ja megjithë këtë përpjekje dhe energji që po proklamon para auditorit të vet, shtuar me luftën strapacuese për demokraci brenda saj, nuk do mundet kurrë t’i rimarr të 230.000 njerëzit e saj që i ikën, ashtu si PS-ja nuk do mundet kurrë të ngjallë atë besim me të cilin ka fituar vite më parë. Provën e konfirmoi prej këtyre zgjedhjeve me mungesën masive të votuesve, por në mandatin e ri, qoftë qysh prej zgjedhjeve lokale do ta marrë me refuzimin e votës. Dhe, ky është problemi i frikshëm në vend. Nuk ka më shpresë prej askujt dhe as PD por as PS nuk i kthejnë më dot të zhgënjyerit që po formojnë një armatë të frikshme, që i kalon shumë më tepër 230.000 njerëzit e PD-së. (Javanews)