Nga Blendi Kajsiu
Çdokush që nxjerr në pah degradimin e sistemit tonë politik, si majtas edhe djathtas, përballet me akuzën se nuk ofron alternativë. Mbështetësit e PS-së e refuzojnë barazimin e saj me PD-në dhe LSI-në duke theksuar se PS-ja dhe qeveria e Ramës është shumë më e mirë se ajo e Berishës apo Metës. Ndaj sipas tyre alternativa ekziston, ajo është PS-ja.
Të dyja kritikat e mësipërme bazohen në supozimin se nuk ka alternativa politike jashtë partive tradicionale, PS, PD dhe LSI. Sipas kësaj llogjike shqiptarët mund të votojnë vetëm për njërën nga këto “tre banda” dhe satelitët e tyre politik. Çdo votë jashtë këtij sistemi nuk ka as peshë dhe as llogjikë. Ndaj refuzimin në bllok të partive tradicionale e denoncojnë si eleminim të alternativës politike.
Në fakt krejt e kundërta është e vërtetë. Refuzimi i partive tradicionale është e vetmja alternativë reale në skenën tonë politike. Rotacioni brenda tyre është pseudo-alternativë sepse ofron të njëjtin model qeverisës, të njëjtin nivel korrupsioni dhe kapje shteti thjesht duke ndryshuar emrat. Madje shpesh as emrat nuk ndryshojnë sepse shkojmë nga qeveria Berisha-Meta tek qeveria Meta-Rama për tu kthyer përsëri tek Meta-Berisha.
Natyrshëm në këtë pikë lexuesi do pyes: Po për kë duhet votuar? Përgjigja në fakt është shumë e thjeshtë: Për këdo përveç partive tradicionale që kanë 30 vite që qeverisin, abuzojnë me pushtetin dhe që e kanë varrosur shpresën dhe ëndrrat e qytetarëve shqiptarë për një të ardhme më të mirë. Partitë tradicionale janë PS, PD dhe satelitët e tyre, si LSI-ja e Metajt, PR-ja e Fatmir Mediut, Partia Demokristiane e Nard Ndokës apo Partia Social Demokrate e Tom Doshit, që janë ndërtuar thjesht për pasurimin e pronarëve të tyre.
Ndërkohë në çdo palë zgjedhje shfaqen parti alternative që mediat dhe politikanët kryesore bëjnë çmos ti injorojnë dhe delegjitimojnë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2021 u shafqën të paktën tre të tilla, Lëvizja Vetvendosja, Nisma Thurja dhe Lëvizja e Re (LRE), pa përmendur një numër kandidatësh të pavarur. Natyrisht secilës prej këtyre partive mund ti gjesh bishta, pasi bishtologjia është disiplinë e konsoliduar tek ne. Dikush mund të jetë skeptik për Boiken Abazin e Vetvendosjes, Endrit Shabanin e Nismës Thurja apo Arian Galdinin e LRE-së, apo për kandidatët e pavarur Filan Fisteku dhe Fistek Filani.
Ajo që të habit është se të njëtët persona që i gjejnë bishta partive apo kandidatëve jo-tradicional votojnë për Ramën, Berishën dhe Metën, a thua se këta nuk na kanë zhgënjyer mjaftueshëm. Nëse tek alternativa politike kërkohet perfeksioni tek partitë ekzistuese tolerohet korrupsioni më i thellë. Është ky standart i dyfishtë që prodhon iluzionin se s´ka alternativë, se nuk ka kush ta zëvendësojë Ramën, Berishën apo Metën. Edhe pse këta të fundit e kanë kthyer korrupsionin në monument kulture të mbrojtur nga shteti.
Është e njëjta llogjikë që u përdor për rizgjedhjen e Bashës në krye të PD-së menjëherë pasi humbi zgjedhjet. Demokratëve iu tha se nuk kish alternativë më të mirë se ai edhe pse ishte humbës serial. Ndërkohë që e vërteta e thjeshtë ishte se pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 çdo anëtar i PD-së nga më i thjeshti deri tek më i komplikuari ishte më i mirë se Basha për kryetar të PD-së.
E njëjta gjë ndodh sot në sitemin tonë politik. Qytetarëve u thuhet përditë se askush nuk i qeveris më mirë se Rama, Berisha apo Metaj edhe pse vendi po zbrazet përditë pikërisht prej tyre. Pas një qeverisje tashmë të zhytur në korrupsion, si nga Rama, Berisha dhe Meta, çdo qytetar i thjeshtë shqiptar ka shumë më tepër legjitimitet për të qeverisur se klasa politike aktuale. Vetvendojsa, Nisma Thurja, LRE-ja dhe çdo kandidat i pavarur Filan Fisteku apo Fistek Filani janë të gjithë shumë më legjitim si alternativë qeverisëse se Meta dhe Berisha sepse as kanë vrarë dhe as kanë vjedhur sa këta të fundit.
Berisha, Meta dhe Rama janë nën mestaren e qytetarit më të thjeshtë shqiptar për sa i takon ndershmërisë, besueshmërisë apo moralitetit politik. Asnjë qytetar shqiptar nuk e ka deklaraur Metën hajdut për ta bërë më pas president siç bëri Edi Rama. Asnjë qytetar shqiptar nuk thënë aq gënjeshtra publikisht sa Sali Berisha që dje e quante Metën trafikant dhe kriminel dhe sot e quan demokrat, që dje thoshte se Basha është qelibar dhe sot deklaron së është i qelbur. Pa përmendur Gërdecin dhe 21 Janarin. Asnjë qytetar i thjeshtë shqiptar, asnjë lëvizje apo kandidat i pavarur politik si Boiken Abazi, Endrit Shabani, Arian Galdini apo Filan Fisteku nuk e ka vjedhur dhe abuzuar shtetin shqiptar sa Ilir Meta dhe familja e tij personale dhe politike.
Në këtë pikë lexuesit skeptik me të drejtë do pyesi: çfarë garancie kemi që kur Filan Fisteku të vijë në pushtet nuk do korruptohet si Rama, Berisha apo Meta? E vërteta është që nuk ekziston asnjë garanci. Madje mund të ndodhë që në pushtet Filani Fisteku të korruptohet edhe më shumë se Rama, Berisha dhe Meta (ndonëse t’ia kalosh Metës në korrupsion më duket sfidë e madhe).
Ama nëse diçka e tillë ndodh atëherë është koha që në vend të Filan Fistekut të votojmë Fistek Filanin, sepse vetëm nëpërmjet rifreskimit të vazhdueshëm mund të prodhohet rigjenerimi real i klasës politike, afrimi i kapaciteteve të reja intelektuale dhe njerëzore që largohen dhe dekurajohen nga klasa politike aktuale. Nuk është as e llogjikëshme dhe as e moralshme ti ftosh qyetarët të votojnë për të njëjtët politikanë që u ofrojnë të njëjtën gjellë bajate plot korrupsion, keq-qeverisje dhe zhgënjim.
Nuk ka asnjë llogjikë që votuesit tu mbeten besnik partive tradicionale dhe politikanëve Rama, Berisha dhe Meta që në mënyrë sistematike dhe të përsëritur tradhtojnë shpresat e tyre. E vetmja zgjidhje është votimi për çdo Filan Fistek apo lëvizje filan fistekësh që nuk ka lidhje me klasën politike tradicionale, nga e cila tashmë nuk mund të presësh asgjë. Sot më shumë se kurrë është koha që votuesi t’ia kthejë tradhtinë politikanëve tradicional duke i tradhtuar ata, duke zgjedhur mes filan fitekërve që popullojnë fletën e votimit. Kjo është alternativa e vërtetë, çdo gjë tjetër është riciklim i ujërave të zeza.
Pas skandalit të incerenatorëve, pas abuzimeve kolasale me PPP-të e famshme, pas ndërtimit të një adminístrate publike me shumë korrupsion dhe pak meritokraci, pas reduktimit të Partisë Socialiste në një varrezë të diskutimit dhe karrierës politike dhe pas korruptimit të Republikës Parlamentare në Republikë Kryeministrore, që ka prodhuar qeverisja aktuale, është e pamoralshme ti ftosh shqiptarët të votojnë qeverinë Rama në vitin 2025. Çfarë mund ti ofrojë shqiptarëve një mandat i katërt i Ramës, nëse mandati i tretë tregon shenja të qarta lodhje, humbje vizioni dhe reduktim të qeverisë thjesht tek kryetari i saj?
Është po kaq e pamoralshme dhe a pallogjikëshme që në vitin 2025 ti ftosh shqiptarët të votojën përsëri për Berishën, Metajn, Kryemadhin, Mediun, Dukën apo Ndokën. Çfarë alternative dhe shprese mund ti ofrojnë shqiptarëve këta njerëz që janë lodhur dhe plakur duke i vjedhur dhe vrarë bashkëqytetarët e tyre?
Ndaj alternatia politike në Shqipëri sot jo vetëm ekziston por ajo tashmë ulëret. Ajo mbytet dhe zhytet në gjurulldi pafund tek pishinat e Irfanit, tek dosja e Ilir Metës dhe deri tek paratë ruse të Bashës. Ky cirk bëhet për të budallepsur votuesit, në mënyrë që të mos kuptojnë se ndryshimi nuk vjen brenda partive tradicionale por nga stilolapsi me të cilin votojnë.
Përpjekja e fundit për të rigjeneruar Partinë Demokratike nëpërmjet largimit të Berishës dështoi në mënyrë spektakolare. Aq sa rikthimi i këtij të fundit u përshëndet si shpëtim i opozitarizmit shqiptar. Mundësia e rigjenirimit politik brenda PS-së po ashtu është pothuajse zero. PD-ja dhe PS-ja prodhojnë tashmë thjesht klone apo zgjatime të kryetarëve të tyre. Zhveshja nga dinjiteti dhe llogjika është e vetmja mundësi karriere brenda tyre, ndaj ato nuk mund të prodhojnë një klasë të re dhe dinjitoze politike.
Për ta fshehur këtë të vërtetë gjithnjë e më të madhe partitë tradicionale duhet të prodhojnë pa pushim një cirk politik ku tamam si prestigjatorë hajdutin e transformojnë në president, kriminelin në mbrojtës të demokracisë, dhe demokratin qelibar në poliagjentin e qelbur. Për të fshehur degradimin politik shpiken teori konspiracioni me miliarderë hebrenj që nga qendrat botërore të pushtetit merren me politikanët tanë pensionistë.
Cirku i duhet jo vetëm qeverisë dhe opozitës por edhe mediave dhe oligarkëve që ushqehen prej tyre si me kapital financiar edhe me kapital politik dhe social. Shumë syresh marrin pjesë në këtë cirk nga halli sepse lidhja me politikën tradicionale i garanton biznesin dhe rrogën. Të tjerë marrin pjesë nga malli sepse në mungesë të gazetarisë së mirëfilltë ndikimi që kanë tek njëra apo tjetra palë politike i ofron kapital politik, financiar dhe social. Ka edhe nga ata që kanë kaq vite që shohin cirk saqë nuk mund ta imagjinojnë jetën jashtë tij.
Mjafton që të dalësh nga tenda e zhurmëshme e cirkut për të kuptuar që alternativa politike ekziston dhe mund të perfeksionohet nëpërmjet rotacionit të vazhdueshëm të elitave politike që bëhet shumë thjesht me votë. Një rotacion jashtë dhe jo brenda llojit. Dhe ky rotacion mund të ndodh pasi fleta e votimit është plot me Filanër dhe Fistekër që nëse votohen masivisht e rrëzojnë sistemin aktual.
Natyrisht që garanci absolute nuk ka. Ekziston rreziku që alternativa të na zhgënjejë, që të biem nga shiu në breshër. Ama edhe breshëri mund të largohet me votë. Ndonëse na thonë pa fund se jetojmë në diktaturë, e vërteta është se sistemi aktual në themel të tij ka votën tonë. Ndaj është koha që shqiptarët të fillojnë të votojnë ndryshe nëse duan të ndryshojnë një sistem politik që bie erë prej vitesh. Alternativa ka!
Ore shoku Blendi Kajsiu fol shkoqur.
Pra që qytetarët të të zgjedhin ty dhe gazetarët e portaleve për ta qeverisur vendin. Ju kini më të mirët.
Kur ti fut në një kallëp Ramën, Bashën dhe Berishan me Metajt , nën nivelin e popullit të thjedhtë, pse nuk thua më mirë që jeni turpi i së vërtetës në këtë republikë që nxini gjithshka.
Si mund që ky popull kaq i zgjuar, mbi nivelin r Ramës , voton vetëm njërin nga të 4-tër për të qeverisur në 3 palë zgjedhje? Ramën,, që është nën nivelin e një qytetari të thjeshtë , sipas teje, sepse në se e krahasojmë me ty që pohon se sa poshtë teje është Rama me shpurën e tij qeverisëse, vaj medet. Keni 9 vjet që përpiqeni me çdo lloj shpifje për ta ndruar këtë qeveri ,sepse e kundërata ndodh me ju , këtë popull vazhdoni ta quani budalla.