Mimoza Dervishi
…për mandatin e tretë dhe të fundit të Edi Ramës
Për njerëzit me karriera të suksesshme, ajo që lënë pas është shumë e rendësishme. Momenti i ikjes, për nga rëndësia, është thuajse i barazvlefshëm me gjithë karrierën: ose të mban në piedestalin ku je ngritur, ose zhbën gjithcka ke arritur.
Në Shqipëri deri më sot, kemi parë ata, që nuk ikin kur humbasin, jemi ngazëllyer kur dikush ka bërë sikur ka ikur, nuk jemi habitur kur kanë ardhur përsëri. Kemi shkuar edhe më keq, duke brohoritur riciklimin e fosileve të korruptuara dhe kriminale, a thua se ky vend është shuar për njerëz!
Tani, pothuaj një vit nga zgjedhjet e fundit, ka ardhur momenti të flitet për ikjen e radhës dhe a do kemi fatin të shohim një ikje me dinjitet.
Partia Socialiste sot, është e gjitha një parti e Ramës, ku nuk ka mbetur asnjë gjurmë e paraardhësve të tij. Rama duhet të besojë, që ka ngritur një parti konkuruese, që mund të hyjë në zgjedhje dhe fitojë, edhe pa atë në krye. Pavarësisht protagonizmit të tij, fuqisë që sistemi politik i jep liderit, Rama thellë, thellë, e di që politika është një sport kolektiv, dhe nuk besoj se i është mbushur mendja, që vetëm ai di të bëjë dhe mund të bëjë gjithcka. Ky iluzion nuk do t’i shkonte për shtat inteligjencës së tij!
Ai, gjithashtu, më shumë se kushdo tjetër e di, që, një mandat i tretë është një mandat i vështirë, sidomos në një vend si Shqipëria. Zgjedhjet e fundit i fitoi për meritë të tij dhe krizave që kishin kaplluar jetën e viteve të fundit, por edhe për shkak se, në krahun tjetër ishte përballë Meta dhe Berisha, para se të ishte Basha, gjithësesi i paaftë.
Lëvizja e Bashës në prag të sezonit të ri parlamentar me përjashtimin e Berishës, habiti të madh e të vogël, si një lëvizje jashtë karakterit të Bashës, që deri në atë moment, i kishte gjetur të gjitha gati. Në të njejtën kohë, kjo lëvizje, hapi, jo vetëm një dritare të re për Partinë Demokratike, ku ngërci i liderit kishte 30 vjet që nuk kapërcehej, por ishte dhe fillimi i ndryshimit të skenës politike shqiptare në mënyrë të paimagjinueshme në momentin kur ndodhi. Sepse të gjithëve, në atë moment, u ra damllaja për Berishën. Lëvizja e Bashës, cliroi amerikanët, të cilët qëllim primar në politikën tyre të jashtme me Shqipërinë, kanë sistemin dhe demokracinë e shëndetshme, e cila kurrë s’mund të jetë e tille pa një opozitë funskionale. Ata kanë dhënë mesazhe të forta dhe të qarta, që do ta mbështesin Bashën dhe opozitën në këtë rrugëtim të ri.
Ndërkohë, për Ramën tre mandate duhet të jenë më shumë se të mjaftueshme, për të realizuar projektet që ka. Rama duhet t’a dijë, që ky mandat është jo vetëm i sforcuar, por edhe delikat në kufijtë e rrezikshmërisë. Sforcimi duket sheshit, si në politikat e brendshme, edhe ato të jashtme. Brenda vendit, Rama, është në kërkim të krizave të ngjashme me ato, që i dhanë një dorë në zgjedhjet e fundit, të atilla, që t’i japin një shtysë rutinllëkut dhe mërzisë, që shkakton qëndresa e gjatë në pushtet.
Kur kalon kufirin, po ta vini re, ai përsërit të njejtin mesazh, të njejtën fabul. Aty ku flet për harmoninë fetare shqiptare, duke sjellë si shembull familjen e tij multifetare, flet dhe për afganët dhe shqiptarët, që sipas tij ishin dikur afganë. Tani, shqiptarët dhe Shqipëria, kanë, c’kanë, (por jo, faleminderit shumë), as në ditët më të vështira, nuk kanë qenë ndonjëherë, as Lindje e Mesme, as afganë. Luftrat e asaj bote, prej shekujsh, kanë në thelb ekstremizmin fetar, që solli terrorizmin, që tmerroi botën, ku dhe gratë e fëmijët visheshin me bomba, në përpjekje për të hedhur në erë civilizimin. Ajo e tyre, është luftë mes civilizimesh. Ne kemi hallet tona plot, por halle fetare nuk kemi, sic dhe me të drejtë Kryeministri e reklamon në pjesën e parë të rrëfimit ndërkombëtar. Aq më pak kemi dilema civilizimesh. Jo c’do histori refugjatësh ngjan me tonën, jo c’do dramë e botës duhet bërë jona, apo shfrytëzuar për protagonizëm ndërkombëtar. Por mesaduket, kur rri gjatë në pushtet, shterimi, është i pashmangshëm. Sidomos në një vend si Shqipëria, e cila nuk prodhon shumë. Fabula më interesante, ajo për të cilën gjithë kombi mban frymën për tre muaj, është Big Brother (edhe kjo, e kopjuar nga jashtë, e për rrjedhojë, nuk shitet dot jashtë).
Takimet ndërkombëtare të Ramës janë pa entuziazëm (po të mos kemi parasysh kuajt e Erdoganit). Entuziazmi mungon nga të dyja palët, secila për arsyet e veta. Entuziazmi i ndërkombëtarëve dhe vecanërisht i amerikanëve mungon, sepse e shohin këtë mandat të Ramës, si të fundit, në termat e tyre; “lame duck”, një mandat për t’u konsumuar. Entuziazmi i Ramës mungon, sepse ka kuptuar, atë, që ata, nuk e shprehin. Amerikanët flasin dhe me heshtje. Pasi u kërkoi me zor një “thank you” për afganët, (për të cilët u vetëofrua), më në fund, e mori.
Ndërkohë, pavarësisht valës histerike antiamerikane në Shqipëri, që frymëzimin e merr nga komunisti Berisha, Amerika vazhdon të mbështesë Shqipërinë, në tërësinë e saj. Ata bashkëpunojnë me qeverinë, që ka në krye Ramën, dhe duan një opozitë të shëndetshme, që i qëlloi të ketë në krye Bashën. Pozicioni i tyre krejt i parehatshëm, kur në krahun opozitar ishte Berisha dhe Meta, u keqkuptua si një mbështetje e fuqishme për Kryeministrin, sepse kështu i interesonte Berishës dhe Metës, por dhe Ramës padyshim. E gjitha është një keqkuptim naiv i atyre, që s’kanë kuptuar asgjë sesi fuksionon një vend i fuqishëm, ku demokracia është mbi individin. Dhe demokraci pa drejtësi dhe pa opozitë, nuk ka!
Ndaj lëvizja e Bashës me përjashtimin e Berishës, atëherë kur s’ja priste mendja njeriu, cliroi amerikanët, kur në fakt, më shumë duhet të kishte cliruar shqiptarët. Sepse, është fillimi i riformulimit të politikës shqiptare. E pabesueshme, që erdhi nga Basha! I cili deri më tani ka treguar që është një kostum i zbrazur, por, me shumë fat!!! Në Shqipëri, as që u kuptua sa domethënëse ishte kjo lëvizje. Sepse, halli më i madh ishte Berisha. Në mënyrë qesharake i kërkoheshin Amerikës fakte, nga ata, që janë dëshmitarë të karrierës së njeriut që vazhdoi luftën e klasave në Shqipëri edhe pas rënies së komunizmit, si arkitekt i vjedhjes se zgjedhjeve, si përcarës i shoqërisë dhe partisë, si urdhravrasës të pafajshmish, si persekutor dhe kërcënues opozitash, dhe në fund, si hajdut për veten, pjellat dhe ata që kishte rrotull. Por sindroma e Enverit tek analistët do të jetoi gjatë, bashkë me paturpësinë për të qenë gjithë jetën në krahun e gabuar të historisë. Tani i kanë m’veshur edhe pafytyrësinë, se mes dy bandash, janë krenarë të përkrahin njërën bandë.
Megjithatë analistët nuk kanë fuqi të ndëshkojnë kriminelët dhe të korruptuarit. Dhe shyqyr që nuk kanë. Ajo është detyrë e drejtësise, e cila që nga 19 maji i vitit të kaluar e deri më tani, s’ka bërë asgjë për të cuar Berishën dhe fëmijët e tij, aty ku e kanë vendin. Mesaduket, SPAK, nuk është gati.
Ndaj i takon Edi Ramës, të bëjë shërbimin e fundit politik dhe patriotik në këtë histori tranzicioni. Duke hequr veten nga ekuacioni politik, duke deklaruar se ky është mandati i tij i fundit, ai jo vetëm i hap rrugën asaj që nisi Basha me pahir, një konfigurimi të ri të klasës politike shqiptare, por i heq nga dora Metës dhe Berishës të vetmen alibi, që po i mban ende rrotull: se Basha është i shitur tek Rama. Hapja a zgjedhjeve në Partinë Socialiste për kryetarin e ri, të paktën dy vjet para zgjedhjeve të ardhshme, do të ishte hapi i duhur për ti cliruar të gjithë, opozitën, shoqërinë civile, ndërkombëtarët, dhe sidomos vetë socialistët. Secili për hallet e veta, që të gjitha, halle legjitime. Kjo do t’i jepte kohë kryetarit të ri të bënte fushatën e tij, me ekipin e tij. Sot, Basha ka më shumë gjasa të fitojë kundër një qeverie 12 vjecare, sesa një të reje. Por, në këtë moment, humbjet dhe fitoret individuale, nuk janë të rëndësishme. Fillimi i një cikli të ri politik, pa liderët e tranzicionit, është i domosdoshëm dhe shkon përtej Ramës dhe Bashës.
Vlen të theksohet se nuk ka informacione se në Uashington përflitet shpallja e Ramës non-grata. (Por e njejta gjë, nuk mund të thuhet për Metën dhe disa prej figurave kryesore të kabinetit të sotëm qeveritar). Gjithësesi, shpëtimi, jo për të gjitha, vjen nga Amerika. Secili duhet të bëjë pjesën e tij.
Pjesa që i ka mbetur Ramës tani, është të kujdeset për trashëgiminë e tij politike. Dhe nuk ka pasuri më të madhe për trashëgiminë, sesa të jesh patriot.
Duhet të jetë gjë e rrallë të ikësh si fitues! Shqipëria deri më sot, ka parë vetëm humbës, që ikin të qurravitur, por kurrë, fitues, që ikin kokëlartë.
Vetem nje figure e pakrimunaluzuar mund te bi opoziten ne pushtet ,por Basha jo .