Ata që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë janë nga viset e afërta e deri tek ato më të largëtat, nga fqinjët te vende si Cape Town në Afrikën e Jugut, Melburni i Australisë, madje edhe Singapori apo Maroku. Është natyra ajo që i josh së tepërmi, por edhe ushqimi i freskët dhe me shije të veçantë. Ndërsa kritikojnë në mënyrë të vazhdueshme shërbimin, si dhe komunikimin jo në nivelin e duhur nga ana e atyre që janë në shërbim. “Shuplakat” që komentuesit e TripAdvisor japin për Shqipërinë, në fakt duhet të shihen si “detyra shtëpie” nga të gjithë ata që kanë zgjedhur të bëjnë pjesë në industrinë e turizmit, sepse ndëshkimi më i madh është moskthimi
Nga Elona Bedalli
Paul, një bloger anglez, i shkruan një mikeshës së tij, Alexandra, teksa ajo i kërkon këshilla për destinacione turistike, se këtë herë duhet të “braktisë” Greqinë, e të zgjedhë Shqipërinë pasi është një vend më interesant. “Unë preferoj pa dyshim Shqipërinë. Për herë të parë e kam vizituar në vitin 2008. Kam vizituar Porto Palermon, brigjet joniane dhe Gjirokastrën gjithashtu”. Për të huajt, Shqipëria është një destinacion ekzotik, që ngjall shumë kërshëri, që ia vlen të vizitohet për natyrën, plazhet me ujë të pastër dhe zonat ende të paprekura, me ushqimin e freskët dhe me shije unike, por edhe me shumë gjëra që shkaktojnë habi.
Një turist nga Belgjika, në komentin e tij në një nga faqet më të njohura të turizmit për komentet, TripAdvisor, gjatë udhëtimit nëpër Europë shkruan se një nga gjërat që e kishte habitur ishte numri i madh i pikave të shitjes së karburantit. “Nuk e di pse pjesa më e madhe e tyre ishin bosh. Duket sikur ishin në kërkim të naftës, por pa turistë”, shkruante ai.
Në sytë e të huajve, Shqipëria është “rritur” si vend turistik, rekomandohet më shpesh, ka destinacione “must” ku natyra të lë pa frymë, por vazhdon të zhgënjejë me cilësinë e shërbimeve, “yjet” që ndonjëherë nuk iu përgjigjen realitetit, por edhe me burimet njerëzore jo në nivelin e duhur.
Konsiderohet si një vend i sigurt për turistët, me njerëz mikpritës e të sjellshëm.
Në një koment, një turist nga Australia (Sidnej) iu kërkonte anëtarëve të faqes këshilla mbi Shqipërinë, pasi kishte dëgjuar se nuk ishte një vend i sigurt. Pjesa më e madhe i shkruanin se edhe ata, dikur kishin rënë në kurthin e këtyre perceptimeve tejet të gabuara e që duken të tejkaluara tashmë.
Tirana, kryeson me hotelet dhe restorantet më cilësore
Nuk ka asnjë dyshim që të huajt e vlerësojnë kryeqytetin shqiptar për cilësinë e lartë të hoteleve dhe restoranteve. Një pjesë e tyre rekomandohen në mënyrë të veçantë nga portali i TripAdvisor. Më të vlerësuar janë hotelet në afërsi të qendrës së Tiranës. Elementët që merren në konsideratë janë: mirëmbajtja e dhomave, pastërtia e tualetit, hapësira, komoditeti i shtretërve, shërbimi i internetit Wifi, por edhe stafi. Një turist nga Suedia, teksa shkruan për një nga vilat/hotel në qendër të Tiranës, komenton me pozitivitet edhe afërsinë nga qendra ku gjenden shumë kafe dhe restorante të mira. Ndërsa një tjetër turist nga Afrika e Jugut (Cape Town), qëndrimin në një nga hotelet luksoze të Tiranës e konsideronte një përvojë mjaft interesante, madje i kishte kushtuar jo pak rëndësi edhe historisë së pronarit të hotelit, i cili kishte shpenzuar dhjetë vjet për të ndërtuar hotelin e tij të ëndrrave, që siç e quante “ishte një oaz luksoz në qytetin vibrues të Tiranës”.
Po të njëjtin hotel, një turist nga Izraeli e vlerësonte disi të shtrenjtë për standardin shqiptar. “Stafi ishte profesionist dhe krenar që punonte në këtë hotel. Vendndodhja është e mirë dhe afër tij gjenden një sërë restorantesh. Dhomat të pastra, por pak si shumë me stil francez”, shkruan ai në koment.
Ndërsa një turist nga Holanda, teksa tregonte përvojën e tij në një nga hotelet afër qendrës së Tiranës, i kushtonte vëmendje të veçantë prezencës së setit të tualetit, si: xhelit, shampos dhe shkëlqyesit të këpucëve, duke e vlerësuar këtë si detaj të shërbimit.
Vlerësime pozitive kanë marrë edhe restorantet. Pjesa më e madhe e tyre etiketohen me kuzhinë europiane, ku Italia zë vendin e parë.
Në komentin e tij, një turist nga Nevraska (SHBA), shkruan se çmimet janë tepër të ulëta (gati në mënyrë të pabesueshme, siç shprehet ai).
Ndërsa një turist nga Finlanda, për të njëjtin restorant, shkruante se për dy persona, për pjatë kryesore, ëmbëlsirë dhe një shishe verë kishte paguar 25 euro. Një shifër e favorshme sipas tyre.
Edhe pse Tirana nuk është një qytet bregdetar, të huajt vlerësojnë restorantet që servirin gatimet e detit. Ja se çfarë shkruan një turiste italiane: “Erdha këtu në mënyrë të papritur. Në Tiranë mund të gjesh restorante të jashtëzakonshme. Shërbim të mirë, sugjerime shumë të mira për verën, cheesecake…të vërtetë, duhet të vini”.
Ndërsa një tjetër turist po nga Italia shkruan kështu për një restorant në Tiranë: “Unë nuk jam një komentues i rregullt, por stresi që kalova në këtë restorant më detyroi ta bëja. Unë jam një joduhanpirës (madje kam alergji). Mendova se edhe këtu do të ndodhte si në restorante të tjera ku respektohet ligji antiduhan. Por, jo. Stafi i lejoi një tavoline afër meje që të tymoste edhe pse ne me shumë mirësjellje i kërkuan që të mos e lejonte një gjë të tillë. Ata nuk e morën në konsideratë kërkesën tonë dhe të mendosh që është një nga restorantet e shtrenjtë në qytet. Nuk do të rikthehem për shkak të sjelljes jo të denjë të stafit”.
Saranda, destinacioni me çmimet më të “çmendura”
Një nga destinacionet më të preferuara dhe të këshilluara nga të huajt, jo vetëm se është lehtësisht i arritshëm nga Korfuzi (udhëtimi është i lirë), por edhe sepse ofron një sërë atraksionesh, si: detin, brigjet ranore e shkëmbore, por edhe kulturën, traditën e arkeologjinë. Ata që komentojnë për Sarandën, duke e rekomanduar si një destinacion “must”, janë nga Britania e Madhe. Referojnë se akomodimi në natë mesatarisht kushton 40 euro, ndërsa në përgjithësi çmimet i vlerësojnë si të larta për standardet shqiptare.
Një turiste nga Maroku (Casablanca) shkruan kështu për Sarandën: “Kisha më se një vit që planifikoja të vizitoja Sarandën dhe zgjidhja e parë ishte pikërisht ky hotel ku po qëndroja. Në të çdo gjë ishte ashtu siç përshkruhej, i pastër dhe me vendndodhje të favorshme, por nuk kishte kuzhinë. Mëkat sepse ne jemi mësuar që t’i konsumojmë vaktet pikërisht në hotel”…
Ndërsa një tjetër nga Britania komentonte: “Dhoma kishte pjesërisht pamje nga deti. Si dhoma, ashtu edhe tualeti, kishin hapësirë të mjaftueshme. Frigoriferi i vogël punonte më së miri, ndërsa televizori kishte vetëm një stacion në gjuhën angleze. Nga jashtë dëgjoheshin tingujt e fortë të muzikës, ndaj ju sugjeroj që të mbani me vete kufjet”.
Ndërsa një turist nga Cape Town, Afrika e Jugut, i komentonte kështu çmimet në Sarandë: “Hoteli ynë kishte një vendndodhje fantastike, afër portit të peshkimit. Pamja ishte e mrekullueshme. Dhomat ishin të bollshme dhe po kështu, edhe mëngjesi. Stafi ishte miqësor dhe të ndihmonte. Akomodimi ishte 60 euro në natë, një çmim i arsyeshëm për cilësinë që ofrohej”. Por, një turist gjerman, i cili e kishte frekuentuar të njëjtin hotel për pesë apo gjashtë herë nuk do të ngurronte të shkruante: “Vitin e kaluar pagova për një dhomë dyshe 40 euro për natë me mëngjesin e përfshirë. Sot, ata më ofruan të njëjtën dhomë për një person të vetëm me çmim 50 euro. Çmenduri apo jo?”
Një turist italian, nga Emilia Romagna, shkruante se kishte qëndruar në një hotel të Sarandës nga data 27 qershor deri më datë 3 korrik 2015 dhe se e vlerësonte me “pesë yje”. Të njëjtën gjë shkruante edhe një turist grek nga Athina: “Ju nuk mund ta imagjinoni sesa mirë kalova. Unë do të kthehem sërish shumë shpejt. Ushqimi ishte shumë i mirë, plazhi i pastër dhe dhomat gjithashtu”.
Për ushqimin në Sarandë, të huajt shprehen me nota pozitive, vlerësojnë freskinë dhe pjatat e servirura me kujdes, por kjo nuk vlen gjithmonë për shërbimin. Ja sesi komenton një pushues nga Belgjika: “ Ushqimi më i mirë që kisha provuar në Shqipëri. Kostoja e lirë, sa një e treta e asaj që do të të duhej të paguaje në Europë. Por, kjo përvojë u shkatërrua nga 90 minuta pritjeje. Ishim tetë persona dhe dy të fundit iu erdhi pjata me 10 minuta më shumë vonesë. Vajza ime 14-vjeçare iu desh të priste 100 minuta për një pjatë me pene me salcë domateje”.
Ndërsa, një turist nga Kroacia (Dubrovniku) e përshkruante kështu përvojën e tij në restorantin e Sarandës. “Kam qenë në shumë restorante në Shqipëri, por nuk kisha parë kaq shumë pasion në gatim. Ushqimi nuk është i zakonshëm dhe as i mërzitshëm. Do të vija përsëri”.
Ksamilin, të huajt e konsiderojnë si një vend të qetë, me plazhe tipike të vogla joniane. Një turist shqiptar nga Kosova komenton kështu: “Bëni mirë që t’i rezervoni herët në mëngjes çadrat dhe shezlongët pasi në të kundërt nuk do të gjeni vende. Kushtojnë rreth 4 euro, por mund të negociohet nëse do të rrini gjatë”.
Durrësi, aty ku hahet më mirë
Qyteti më i madh bregdetar i vendit vlerësohet nga turistët e huaj për restorantet e mira ku hahet peshk i freskët, por edhe për hotelet luksoze me stafe të trajnuara.
Ankesat më të shpeshta kryesore në faqen e TripAdvisor kanë të bëjnë me “yjet”, të cilat nuk përputhen me ato që të huajt gjejnë në të vërtetë. Natyrisht ata nuk kanë sesi ta dinë që në Shqipëri ato janë vendosur në mënyrë abuzive.
Një turist nga Rumania shkruante kështu pikërisht për këtë çështje: “Hoteli, në disa aspekte, meritonte 3 yje e në disa më pak, ndaj në përgjithësi 2 yje do të ishte më se e mjaftueshme. Mëngjesi ishte i keq, çdo ditë e njëjta meny gjatë gjithë javës. Por, pamja nga dhoma ishte e mrekullueshme, dhoma e pastër dhe po kështu edhe plazhi privat”.
Për të njëjtin hotel, një turist nga Rusia shkruante: Hoteli ka nevojë për riparime urgjente, veçanërisht dhomat. Dyshemeja ishte gjithmonë e lagur. Tualeti ishte i shëmtuar dhe ndenjësja ngjyrë e verdhë. Personeli ndonjëherë i ashpër”.
Mjaft interesant në lidhje me këtë hotel ishte komenti i një lektori amerikan, i cili jepte mësim në një shkollë në Stamboll të Turqisë, i cili shkruante: “Ne sapo kemi kompletuar një modul mbi cilësinë e menaxhimit dhe po trajtojmë edhe çështjet e sektorit të turizmit. I orientova studentët e mi që të shikonin me kujdes hotelin tuaj në faqen e internetit. Ju arrini të monitoroni mjaft mirë komentet dhe i përgjigjeni çdo shkruesi me pozitivitet. Kjo nuk është një sipërmarrje e lehtë, ndaj duhet diplomaci. Ju po njoftoni komentuesit në lidhje me planet tuaja për rinovimin e hotelit dhe kjo është diçka që duhet vlerësuar. Pikërisht kjo ishte ajo që doja t’ju tregoja studentëve të mi, marrëdhënien dhe shkëmbimet e përvojave që duhet të jetë mes stafit menaxherial dhe vizitorëve”.
Ndërsa një turist nga Sllovakia, do të komentonte kështu qëndrimin e tij në një nga hotelet në pjesën e plazhit në Durrës në zonën afër Shkëmbit të Kavajës.
“Personeli i hotelit ishte i sjellshëm dhe ndihmues, por jo të gjithë flisnin anglisht. Ushqimi ishte i shijshëm dhe mëngjesi i bollshëm (makineria e kafesë ishte e varfër). Bufeja e darkës ishte e pasur dhe e ndryshme çdo natë, të gjithë mund të gjenin diçka për veten.
Pishina ishte e madhe dhe e pastër. Plazhi që i përkiste hotelit ishte gjithmonë i mirëmbajtur. I këndshëm edhe aspekti i argëtimit me muzikë live çdo mbrëmje.
Dhoma jonë ishte e madhe dhe kishte një krevat të bollshëm. Dhoma ishte e pastër dhe peshqirët ndërroheshin çdo ditë, për dy veta kishte gjashtë copë. Megjithatë disa nga miqtë tanë nuk ishin kaq me fat, pasi dhoma e tyre ishte e vogël dhe nuk ishte vend të mjaftueshëm për vendosjen e bagazheve. Wifi ishte falas dhe recepsioni të jepte fjalëkalimin dhe përdorimin. Shpejtësia e internetit nuk ishte aspak e mirë.
Hoteli ishte disi larg nga qendra e Durrësit. Autobusi mbërrinte në stacion çdo 20 minuta, por vetëm deri në orën 20.00 të mbrëmjes”.
Por, ajo që padyshim shihet si “arma e fortë” e këtij qyteti janë restorantet me ushqimin e freskët.
Një turist nga Çikago shkruante: “Nuk gjej fjalë ta përshkruaj sesa fantastike janë prodhimet e detit këtu, ndërsa çmimet janë të pakonkurrueshme”.
Ndërsa një tjetër turist nga Finlanda shkruante se stafi në restorante është miqësor, por anglishtja nuk flitet nga të gjithë. “Çmimet janë disi të larta për standardet shqiptare. Pjata kryesore kushton rreth 1,000 lekë (ose 7,50 €), megjithatë shumë herë më pak sesa në vendet e Europës Perëndimore”.
Shkodër, aty ku tërheq tradita
Shkodra ka shumë pak hotele të standardit me “4 yje”. Nga turistët e huaj vlerësohen ato me vendndodhje të mirë, hapësira të bollshme dhe pastërti. Të vlerësuara janë edhe akomodimet e tipit “B&B”.
Një turiste nga Kalifornia shkruante kështu për një nga hotelet e njohur në hyrje të qytetit: “Unë dhe bashkëshorti zgjodhëm të qëndronim në këtë hotel gjatë turit tonë në Europën Lindore. Vlerësimet ishin mjaft pozitive, por nuk mund të them të njëjtën gjë për qytetin. Hoteli nuk ishte i stilit modern, por ngjasonte me një muze, ku binin në sy mikpritja dhe historia. Gjithçka ishte miqësore. Mos u lodhni të lexoni menynë, lërjani në dorë stafit dhe ata do t’ju sjellin specialitetet e tyre. Vera e bërë në shtëpi është gjithashtu e mirë. Dhomat ishin të bollshme dhe të dekoruara sipas stilit tradicional të zonës. Shtrati ishte komod. Në Shqipëri, gjatë verës bën shumë nxehtë dhe hoteli nuk kishte ajër të kondicionuar, por të zotët na pajisën me ventilator dhe kjo bënte që të qarkullonte ajri. Shpenzuam shumë kohë në kopsht, mes gjelbërimit. Nëse ju bie rruga, mund ta vizitoni këtë hotel-muze”.
Buxheti i një vizite, destinacioni Krujë
Një grup turistësh të huaj që zgjodhën të vizitonin Krujën me makinë të marrë me qira, për tre net u akomoduan në një hotel me katër yje, si dhe u drejtuan nga një guidë private shpenzuan:
Çmimi për makinë me qira 4 ditë * 50 euro = 200 euro
Çmimi për karburant 800 km = 140 euro
Çmimi për drejtuesin e mjetit 4 ditë * 100 euro = 400 euro
Çmimi për hotel, 3 net, 2 dhoma = 6 dhoma * 60 euro/dhomë = 360 euro
Shpenzimet për guidën = 120 euro
Totali = 1,220 euro