Salvador Kaçaj, i ftuar në emisionin “Sport News” të drejtuar nga Enxhi Biba në “News 24”, shigjetoi FSHF-në. Kaçaj tha se gjykata foli dhe të gjithë duhet të zbatojnë vendimet e saj.
“Është një situatë jo e këndshme për futbollin, dëmton imazhin. Ky sport i bashkon njerëzit dhe nuk është në nderin e tij që të përfundohet në dyert e gjykatave. FSHF po insiston të bëjë zgjedhjet, por vendimet e gjykatës respektohen dhe zbatohen. Unë sot dua të flas si jurist dhe nuk mund të diskutohen vendimet e gjykatës. Kur flasin gjykatat, të gjithë duhet të heshtin.
Kemi rastin e ish-presidentit të Spanjës, Vijar, që u arrestua pas ndërhyrjes së tatim-taksave. Jemi i vetmi vend në botë që nuk kemi gjykatë të Arbitrazhit Sportiv dhe kjo është bërë e qëllimshme për të shmangur ankesat. Komiteti Olimpik duhet ta bëjë sa më shpejt, pasi zgjidh shumë probleme. Parregullsia më e madhe e FSHF-së ka qenë që para 4 viteve, ku u bënë zgjedhje pa u regjistruar shoqatat. Këtë e toleroi edhe shteti në atë kohë.
Tashmë Duka kërkon një mandat të gjashtë, por 20 vite bëhesh i bezdisshëm edhe për shtëpinë tënde. Kur shkon 20 vjeç edhe fëmijët largohen nga familja prej shkollës dhe martohen.
Duhet një frymë e re në krye të FSHF-së, është bërë e bezdisshme të vazhdohet me këta drejtues. 20 vite janë shumë, duhet ndryshuar gjithë sistemi”, – ka thënë fillimisht ish-lojtari kuqezi, i cili ka qenë edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
Jam edhe unë bashkëfajtor, që së bashku me shumë njerëz të tjerë të futbollit, jemi larguar dhe janë afruar pikërisht këta njerëz që kanë penetruar lehtë në kupolë.
Si zgjidhet? Duhet të vendoset një datë tjetër e Asamblesë Zgjedhore, të ngrihet një komision i pavarur, i mbikqyrur nga UEFA dhe gjithçka të jetë fair-play, brenda rregullave të lojës./m.j











