Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e delegacionit europian në Shqipëri Silvio Gonzato. Siç shkruan vetë ministri në rrjetet sociale fokusi i këtij takimi ishin zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, përfshirë edhe përgatitjet për vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit në cilësinë e ministrit të jashtëm. Sipas Hoxhës, perspektiva evropiane mbetet drejtimi kryesor strategjik i politikës së jashtme shqiptare.
“Kur bëhet fjalë për çështjet europiane dhe bashkëpunimin me partnerët europianë, nuk ka fundjava, vetëm ditë. Nuk kishte mënyrë më të mirë për të kaluar një mëngjes të shtune sesa takimi me Ambasadorin Gonzato për të diskutuar zhvillimet e fundit në marrëdhënien tonë gjithnjë e më të afërt dhe më të fortë, duke përfshirë përgatitjet për vizitën time të parë zyrtare jashtë vendit në cilësinë aktuale të Ministrit të Jashtëm. Nuk ka nevojë të hamendësosh destinacionin. Për Shqipërinë, të gjitha rrugët të çojnë në Bruksel – në Bashkimin Europian”, shkruan ministri në X.











