Nga Bedri Islami
PD-ja bëri pardje publike një incizim audio mes një njeriu të panjohur, të cilin e quajtën bashkëpunëtori X, i penduari i trafikimit të drogës, i dënuar në Itali, i rikthyer dhe i dëshiruar për të vazhduar punën e tij dhe Agron Xhafës, vëllait të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Videoja ishte paralajmëruar një ditë më parë, bile edhe më herët, por sidomos u bë e qartë se kishte diçka më tepër, pas pyetjes nëse Ministri i Brendshëm ka dijeni apo jo se i vëllai i tij vazhdon trafikun e drogës.
Të dukej një pyetje sugjestionuese, të cilës askush nuk i ktheu përgjigje dhe pas saj, përmes një lajmërimi të bujshëm, u dha edhe lajmi surprizë. Në të vërtetë asgjë nuk ishte surprizë. Ishte vazhdë e një aksioni politik opozitar, të cilët, të mbetur pa asnjë kauzë të vërtetë dhe me ndjenjën e përballjes me Vetingun politik e jo vetëm politik, kanë tashmë problemin Xhafaj.
Është një video audio, pak më shumë se dy minuta, e përgjuar në mjedise të hapura, e cila, më shumë se sa e sjell problemin, hap shumë pikëpyetje e dyshime, jo vetëm për autetincitetin e saj, çka mohohet nga Agron Xhafa, por për vetë ndërtimin e saj. Më shumë se sa gjetje mediokre ajo të ngjan me ngutjen për krijimin domosdo të një afere, e cila synon të devijojë shumë gjëra, të sotme dhe të një dite të ardhshme.
Shumë pyetje të lindin, sidomos pas fazës së parë, disi emocionuese, krijuar nga ajo që dikur në Kembrixh studiohej si “hipnotizimi nga përsëritja”.
Pyetja e parë që të lind:
Është e vërtetë apo është një inskenim i zakonshëm, në të vërtetë i ndyrë, i një klase politike, e cila, mund të ketë dijeni ose ka drojën se në javët e ardhshme mund të ketë rënie të lidhjeve të hershme të saj me botën e krimit?
Të jetë kaq budalla Agron Xhafaj, që, në kohën kur gjithçka e tij ndiqet me lupë të shumëfishtë, të bëjë biseda të tilla, kaq të hapura, apo diçka tjetër fshihet pas saj? Është vetëm punë e opozitës apo ka edhe lidhje të tjera?
Ende pa përfunduar i gjithë përgjimi i dhënë mes një bashkëpunëtori X, që nuk besoj se do të jetë X gjithnjë dhe, nëse PD nuk e dëshmon identitetin e tij bën krim të dyfishtë, pasi fsheh një të dhënë të rëndësishme të një narkomani, por edhe lidhjet e tij të mëtejshme, “juristët politikë” të PD-së deklaruan se “bashkëpunëtori X i ka kërkuar të siguronte një ngarkesë me marijuanë dhe ta punësonte si skafist për të bërë një rrugë se kishte mbetur pa para“.
Në të gjithë përgjimin prej pak më shumë se dy minuta nuk përmendet asnjëherë fjala marijuanë, trafik, ngarkesë, skafist, një rrugë droge etj. Është një njeri që i lutet një tjetri për një ndihmë.
Atëherë nga e dinin “juristët” e Shqup-it se ishte folur në këto terma? Video është vetëm aq sa është dhënë apo ka gjëra të mëtejshme; si për shembull, kush është Ermali, me çfarë merret Ermali, është emër i saktë apo pseudonim, çfarë bëri bashkëpunëtori X pas kësaj marrëveshjeje, a është denoncuar në strukturat e drejtësisë, etj.
Duke e konsideruar, sipas konceptimit të opozitës, se regjistrimi është i saktë, pra ka ndodhur, në asnjërën sekondë nuk dëshmohet se çfarë ndihme kërkohet, lidhja e tyre është e largët, pasi “është e para dhe e fundit herë” që ata kanë të bëjnë me njëri-tjetrin, se njëri shkon për një hall të madh dhe i thotë se nuk do të vij më, etj etj.
Nëse opozita është e zemëruar pasi në dy vetë që përgjohen, njëri mendon se “janë plehra”, kjo nuk është asgjë tjetër veçse perceptimi i një njeriu, i cili, edhe pse mund të jetë i fajshëm, dëgjon gjithë ditën nga opozita një fjalor ku e ku më të pistë se sa fjala “plehra”.
Pyetja e dytë që shtrohet :
Kush është i përfshirë në këtë lojë të rëndë politike dhe a është vetëm lojë?
Është e kuptueshme se bashkëpunëtori X nuk është asgjë tjetër veçse një i deleguar i opozitës për të ndërtuar grackën, gjithnjë nëse audio është e saktë. Pra, më tepër se sa një njeri i vetëdijshëm për atë që bën, ai merr rolin e kamikazit, përgjuesit dhe pastaj, njërit ndër krijuesve të këtij pokeri të rëndë politik.
Një njeri i vetëm, me kokën e tij, në këtë valë presioni ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, nuk e merr përsipër të bëjë këtë rol, pa marrë garanci të forta. Nga kush? Nga ata që e kanë nisur. Ai duhet të jetë menduar pak dhe të jetë joshur shumë, por duke e ditur se pas Agron Xhafës nuk qëndron asnjë grupim mafioz.
Nëse do të kishte një grupim të tillë dhe Xhafa të ishte kreu i saj, bashkëpunëtori X do të ishte menduar shumë herë, pasi, si ish i dënuar dhe pjesë e bandave të trafikut, ai e di më mirë se sa shqupasit se çfarë mund të ndodhë me gojët që hapen…
Janë disa vetë të përfshirë në këtë lojë. Në bisedën e parë, thirrja e parë, joshja për një takim, si mund të quhet, janë edhe dy të tjerë. Më pas janë futur në lojë të tjerë. Prej këtyre të fundit është bërë manipulimi, shkurtimi, tërheqja e fjalëve dhe tjerrja e frazave, për të paraqitur atë që u dha dy ditë më parë.
Një njeri, i cili ka një hall jete, si shfaqet bashkëpunëtori X, nuk e kryen hallin e tij për 140 sekonda, sepse asgjë e kësaj bote nuk kryhet kaq shpejt.
Njerëzit pas tij janë më të rrezikshëm se sa vetë ai. E kanë nisur për të bërë misionin e tyre, me idenë se nga kjo mund të shpëtojnë çka mund të shpëtohet.
A mundet që prokuroria të bazohet vetëm në një informacion apo duhet të veprojë urgjentisht?
Ajo veproi pa kaluar 24 orë. Krejt ndryshe me prokurorinë, e djeshme dhe të sotme, që edhe pse ka një dëshmitar të gjallë, me emër e mbiemër, si Izet Haxhia, ende nuk ka marrë as më të voglin prononcim të tij për të zbuluar lidhje të rrezikshme të klanit Berisha në jetën e vendit.
Pyetja e tretë do të mund të zbardhet më shpejt se gjithçka tjetër.
“Dëshmitari” i penduar ose bashkëpunëtori X, kush është, nga cila botë vjen, nga ajo e krimit të organizuar apo është një gjetje e rastësishme; kush qëndron pas tij, cilat opsione janë të shtruara për zgjidhje? Çfarë shantazhi është bërë mbi të dhe çfarë i është premtuar? E disponon a jo të gjithë përgjimin apo e ka dorëzuar në “juristët“ pëdëistë, është objekt i sistemit të drejtësisë dhe për cilat vepra?
Nëse Tahiri është në arrest shtëpie për një bisedë mes dy trafikantëve, të cilët mund të flasin çfarë të duan e për cilin të duan, atëherë çfarë duhet bërë kur ke një dëshmitar, sot me zë e nesër me figurë të pjesshme, për një ngjarje që mund të jetë vërtet surprizë. Kush e ndërtoi surprizën me këtë bashkëpunëtor?
Nëse videoja është reale, megjithëse shpejt do të ketë bindje se nuk është e tillë, atëherë Agron Xhafaj duhet të përgjigjet dhe ministri i brendshëm duhet të ketë përgjegjësinë e tij.
Por, nëse nuk del reale, pra e montuar, kush do mbajë përgjegjësinë?
Juristët e PD filluan që në ditën e shpalljes të tërhiqen dalëngadalë nga roli i tyre dhe të kërkojnë, si edhe më parë, rastin Agron Xhafa për çfarë ka ndodhur në Itali, megjithëse këtë problem mund ta kishin zgjidhur vetë, pasi, që kur është marrë vendimi përfundimtar për dënimin e Xhafës dhe deri kur ata qëndruan në pushtet, shkoi më shumë se një vit.
“Juristët” dhanë shenjat e para se videoja mund të mos jetë ashtu si duket. Kjo nuk do të dojë shumë kohë të qartësohet.
Për sqarimin e kësaj nuk është e nevojshme të thirret as FBI, si në një rast tjetër që opozita kur ishte në pushtet ia hodhi poshtë. Njerëzit janë këtu, prokuroria është këtu e, po të duhet, edhe specialistët e huaj, janë këtu.
Dikush duhet të përgjigjet:
Ose Xhafaj ose shantazhuesit.
a.ç