Çlirim Shahini, i cili deri para shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ishte Drejtues i Prokurorisë së Lushnjës, u gjet nga hetimi me kontakte të papërshtatshme dhe me pasuri të fshehur.
Nga Edmond Hoxhaj
Prokurori Çlirim Shahini u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi hetimi zbuloi se ai kishte përdorur makinën e një personi të dënuar dhe të hetuar edhe nga vetë ai dhe se kishte fshehur faktin se një ndërtesë në pronësi të tij në Sarandë përdorej si hotel gjatë sezonit turistik.
Vendimi i zbardhur tregon se Shahini nuk e kishte deklaruar asnjëherë funksionin e ndërtesës, ndërsa biznesi nuk ishte rregjistruar as në Qendrën Kombëtare të Bizneseve (QKB). Komisioni po ashtu gjeti se prokurori nuk kishte burime të ligjshme për ndërtimin e godinës.
Prokurori dhe njëkohësisht drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjës Çlirim Shahini u gjet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me probleme edhe në kriterin e pastërtisë së figurës dhe pasurisë, ndërkohë që një denoncim nga publiku nxorri në pah mangësi në kryerjen e hetimeve.
Trupa gjykuese e KPK e përbërë Brunilda Bekteshi kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Suela Xhegu anëtare, identifikuan gjatë hetimit administrativ një kontakt të papërshtatshëm të prokurorit Shahini me një person të proceduar disa herë për vepra të ndryshme penale dhe deklarime të rreme e të pamjaftueshme të pasurisë.
Shahini i kundërshtoi gjetjet e KPK dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë, por më datë 26 mars Komisioni vendosi shkarkimin e tij për cënim të besimit të publikut tek drejtësia.
Çlirim Shahini e ka nisur karrierën në sistemin e Prokurorisë fillimisht si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai është emëruar prokuror në Sarandë në vitin 2004 dhe e ka ushtruar funksionin atje deri në vitin 2016, ku me dekret të Presidentit të Republikës u transferua si drejtues i Prokurorisë së Lushnjës.
Probleme me figurën
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ka konstatuar papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës së drejtuesit të Prokurorisë së Lushnjës, Çlirim Shahini. Konstatimi i DSIK është gjetur i drejtë edhe nga ana e Komisionit, i cili gjeti pas verifikimeve se prokurori Shahini kishte përdorur mjetin e një personi me precedentë penalë të cilin e kishte hetuar edhe vetë më parë.
Në vendim thuhet se prej hetimit ka rezultuar që vetë prokurori Shahini të ketë deklaruar në pyetësorin standard në datën 10 shkurt 2013, se kishte marrë në përdorim mjetin në pronësi të shtetasit A.D., lindur dhe banues në fshatin Mursi, Sarandë, për të lëvizur në Greqi.
Nga hetimet që ka kryer komisioni për shtetasin A.D., ka gjetur se ai ka ndërruar emër, pasi më parë ka mbajtur emrin N.D. . Gjithashtu, KPK ka konstatuar se ky person ka qenë disa herë i proceduar penalisht, konkretisht për; “pastrim të produkteve të veprës penale” më datë 9 dhjetor 2014, akuzë e cila është pushuar më datë 19 qershor 2015 nga Prokuroria e Sarandës.
Ndërsa më datë 29 shtator 2008 është deklaruar fajtor nga gjykata e këtij rrethi për veprën penale “dhënie ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit”. Komisioni ka konstatuar në procesverbalin e arrestimit të këtij personi, se kishte qenë i dënuar më parë në shtetin grek për trafikim të lëndëve narkotike.
Trupa gjykuese e KPK gjeti se prokurori Shahini kishte dijeni për veprimtarinë kriminale të N.D., “pasi në vendimin për bashkimin e procedimit, të datës 15 maj 2008, të marrë prej tij, ka bashkuar dosjet në ngarkim të shtetasit S.M. dhe N.D.”. Sipas KPK-së, ky fakt vërteton dijeninë e prokurorit Shahini për veprimtaritë kriminale të N.D..
Në vendim thuhet se subjekti i rivlerësimit sqaroi në pyetësorin standard të deklarimit se më datë 10 shkurt 2013 ka marrë në përdorim mjetin në pronësi të shtetasit A.D., lindur dhe banues në fshatin Mursi, Sarandë, për të lëvizur në Greqi. Ai ka pohuar se me A.D. nuk ka pasur kontakte, por njohje në distancë. Më tej ka shpjeguar se ka qenë duke frekuentuar kafen e mëngjesit në lokalin afër gjykatës dhe prokurorisë Sarandë, lokal të cilin e frekuentonim i gjithë stafi i gjykatës dhe prokurorisë.
Shahini është shprehur se ky lokal është në pronësi të shtetasit L. (V.) S., të cilit i ka kërkuar mjetin e tij për të shkuar në Greqi për një problem familjar. Por, sipas prokurorit Shahini, pronari i lokalit i ka thënë se nuk kishte siguracion për në Greqi dhe i ka ofruar makinën e bashkëfshatarit të tij, A.D., që ishte e pajisur me dokumente të rregullta për të lëvizur jashtë shtetit.
Prokurori Çlirim Shahini ka sqaruar se pa i kushtuar shumë rëndësi, ka bërë aktin noterial dhe ka marrë mjetin e A.D.. Ai ka deklaruar se, kur është kthyer nga Greqia, çelësat e makinës ia ka lënë pronarit të lokalit, ndërsa për të qenë korrekt, të nesërmen e ka falënderuar shtetasin A.D. dhe se nuk i ka lidhur më asnjë lloj kontakti tjetër.
Por KPK e gjeti deklarimin të pamjaftueshëm. “Komisioni vlerëson se prokurori Shahini nuk ka përmbushur detyrimin ligjor të deklarimit të kontaktit të papërshtatshëm me shtetasin N. (A.)D”, thuhet në vendimin e zbardhur.
Strehim falas dhe hotel i padeklaruar
Pavarësisht se Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI e ka konstatuar të saktë dhe në përputhje me ligjin deklarimin e pasurisë nga ana e prokurorit Shahini, KPK e ka gjetur të pamjaftueshëm e të rremë.
Hetimi kryesisht u fokusua në një ndërtesë me sipërfaqe 387 m2 të ndërtuar mbi një objekt ekzistues tre katësh në pronësi të shteasit D.(M.)R., në Sarandë. Ndërtimi, 2 kate plus papafingo, ishte pasqyruar në deklaratën vetting me burim krijimi të ardhura familjare dhe huadhënie.
Komisioni krijoi dyshime dhe hetoi kryesisht marrëdhënien e krijuar midis prokurorit Shahini, shoqërisë ndërtuese dhe shtetasit D.R., i cili është pronari i tokës dhe ndërtesës ekzistuese. Ky i fundit rezultonte që jo vetëm i kishte falur Shahinit sipërfaqen për të ndërtuar, por edhe e kishte strehuar atë dhe nënën e tij pa pagesë për 12 vjet.
“Më ka dhënë një apartament dhe në tjetrin jetonte vetë. Pas disa vitesh, duke qenë se kati i tij përdhes rrinte bosh, i kam kërkuar të jetonte nëna ime, fakt të cilin e ka pranuar dhe ka lejuar që nëna të jetonte në një garsonere me sippërfaqe 30 m2 për disa vjet”, ka deklaruar prokurori Shahini para Komisionit. Ai ka shtuar se në vitin 2011, i ka kërkuar këtij personi ta lejonte të ndërtonte në tokën e tij dhe se D.R. së bashku me familjarët e tij e kanë mirëpritur këtë propozim.
KPK gjeti se D.R. nuk kishte në fakt mundësi për të bërë ndërtimin. Komisioni po ashtu i gjeti pohimet e Shahinit si deklarative dhe “të pa mbështetura në prova”.
Komisioni po ashtu në vendimin e zbardhur bën me dije se nga hetimi administrativ rezultoi që ndryshe nga sa deklarohej nga subjekti i rivlerësimit, e gjithë godina e ndërtuar nga ai dhe D.R. përdorej si hotel.
“Nga fotot e publikuara në internet, të cilat janë shkarkuar dhe janë bërë pjesë e dosjes së hetimit administrativ, rezulton se dhomat janë të mobiluara dhe në gjendje shumë të mirë. Fotot e pasqyruara në disa ëebsite të dhënies me qira të njësive akomoduese për sezonin e verës promovojnë të gjithë ndërtesën, edhe katin e fundit të kësaj ndërtese si njësi akomodimi, duke e emërtuar ‘penthouse’, i cili është i mobiluar në mënyrë moderne dhe është funksional”, thuhet në vendimin e KPK-së.
Sipas Komisionit Shahini solli foto të tjera, që nuk ishin të qarta dhe që nuk tregonin në fakt situatën e godinës. Komisioni vuri në dukje se përdorimi i ndërtesës si hotel “nuk ishte deklaruar asnjëherë”.
Komisioni ka gjetur se ky aktivitet nuk rezulton i regjistruar pranë QKB-së, duke e vënë prokurorin Shahini edhe në kushtet e fshehjes së një aktiviteti tregtar, për të cilin lindin edhe detyrime tatimore.
Komisioni ka gjetur se subjekti i rivlerësimit “ka bërë deklarim të rremë në deklaratën vetting, edhe gjatë hetimit administrativ, në lidhje me apartamentet në pronësi të tij pasi nuk ka deklaruar se ato kanë destinimin të përdoren si njësi akomoduese”.
KPK po ashtu vuri në dyshim kohën e ndërtimit të godinës. Në fund të hetimit dhe analizës ligjore, trupi gjykues arriti në përfundimin se ndërtesa në pronësi të prokurorit Shahini ka qenë e përfunduar që në vitin 2013 dh ejo më vonë siç pretendoi prokurori i shkarkuar. Sipas komisionit prokurori Shahini ka kryer deklarim të rremë në deklaratën vetting dhe gjatë hetimit administrativ, si dhe në deklaratat e interesave private të vitit 2011-2013, në lidhje me kohën e ndërtimit të kësaj banese.
Gjithashtu, në vendim thuhet se prokurori Shahini ka ndërmarrë veprime fiktive, me qëllim fshehjen e ndërtimit të kësaj banese gjatë viteve 2011–2013 dhe se shpjegimet e tij nuk arritën të provojnë të kundërtën. Gjithashtu identifikohet gjetja se prokurori Shahini ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për vlerësimin e pasurisë
Probleme janë identifikuar edhe lidhur me një hua në vlerën e 2.7 milionë lekëve të padeklaruar nga prokurori Shahini. Sipas komisionit, ai nuk ka pasqyruar si burim të krijimit të kësaj shtëpie huan e marrë prej shoqërisë ndërtuese në vlerën e 2.7 milionë lekëve.
Ndërkohë hetimet, pas denoncimit të një personi djali i të cilit ishte plagosur në një përplasje me armë, zbuluan se çështja penale ishte pushuar pa kryer hetime të plota dhe duke i vonuar ato pa arsye.
Komisioni gjeti se një sërë veprimesh hetimore ishin lënë pa kryer përfshi eksperimentimin e njërës prej armëve me të cilën ishte kryer qitje. “Rezulton se prokurori Shahini nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor për të evidentuar se kush ka shtënë me armën e dytë dhe se kujt i përket kjo armë”, thuhet në vendim.
Ndërkohë sipas Komisionit, prokurori i shkarkuar ka zgjatur dy herë afatet e hetimit pa arsye dhe ndërkohë nga ana e tij nuk ishte dërguar kërkesa për ekspertim mjeko-ligjor. Sipas KPK-së në 30 janar 2013 prokurori Shahini ka vendosur pushimin e hetimeve të çështjes në fjalë pasi të dy veprat penale për të cilin akuzohej “plagosjes së rëndë nga pakujdesia” dhe “prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” parashikuar nga nenet 91 dhe 280 ishin të përjashtuara nga ndjekja penale për shkak të amnistisë në vitin 2012.
Trupa gjykuese konstaton se Shahini nuk dha asnjë argument se përse i ka shtyrë dy herë afatet e hetimit me motivacionin si ishte në pritje të aktit të ekspertimit mjekoligjor, pa nxjerrë më parë vendimin për ekspertimin mjekoligjor.(reporter.al)