Një specialist i ESPN ka përpiluar një listë me 10 lojtarët “e fortë” që qarkullojnë aktualisht në futbollin botëror dhe në këtë listë, ka përfshirë edhe kapitenin e përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana. Të cilësuar si futbollistë që bëjnë gjithçka për të siguruar fitoren për ekipin e tyre, këta futbollistë vlerësohen si mëse të domosdoshëm për skuadrat që synojë të fitojnë diçka. Ja si përshkruhen lojtarët e kësaj liste nga ESPN:
- Xhiorxhio Kielini
Mbrojtësi i Juventusit dhe Italisë duket si një lojtar i cili mund të bindë sulmuesin kundërshtar të qëndrojë larg portës thjesht me vështrim kërcënues, duke i dhënë ndjesinë e një dëmtimi të mundshëm fizik nëse afrohet. Një person të cilin do të dëshiroje ta kishe përkrah në çdo moment kur ke opinion të ndryshëm me dikë tjetër.
- Grzegorz Krishoviak
Zakonisht është një shenjë e mirë kur një trajner merr një lojtar me vete në klubin e tij të ri dhe ashtu bëri edhe Unai Emeri me Krishoviak, të cilin e mori nga Sevilja te PSG. Arsyeja është se mesfushori di të bëjë ndërhyrje, shumë të tilla. “Nuk kam drejtuar shumë lojtarë të cilët i thonë trajnerit të tyre se janë gati të kalojnë kufirin e dhimbjes për të”, shpjegoi Emeri për mesfushorin i cili e përshkruan veten si “shumë agresiv”.
- Bruno Alvesh
Për ta përshkruar më mirë Bruno Alvesh mjafton miqësorja para Euro 2016 mes Portugalisë dhe Anglisë. Në një ndeshje pa kurrfarë rëndësie, ai vendosi që mënyra më e mirë për të fituar një duel në ajër ndaj Herri Kein, ishte jo të gjuante topin me kokë, por me këmbë. Dhe nuk përdori këmbën për të gjetur topin, por kokën e Kein. “Ishte një gjest i pakontrolluar. Nuk desha të bëja faull, thjesht përkushtohem shumë”, ishin fjalët e tij pas ndeshjes.
- Najxhëll De Jong
Ndoshta mund të cilësohet fatkeqësi që Najxhëll De Jong do të kujtohet si njeriu që vendosi takat e tij në gjoksin e Ksabi Alonsos gjatë finales së Botërorit 2010, apo që theu këmbën e Ben Arfa me një ndërhyrje të rreptë pak muaj më vonë në të njëjtin vit. Kjo, pasi për një periudhë të gjatë kohe, sidomos te Mançester Siti, ai ishte një mesfushor i spikatur dhe jo një gangster rrugësh. Por reputacioni i tij rreth lojës së ashpër ka baza të forta, siç e kuptoi më së miri mesfushori i Portland TImbers, Darlington Nagbe, i cili u detyrua të largohej nga fusha e lojës me karrocë pas trajtimit që i dha De Jong.
- Diego Godin
Nuk ekziston asnjë mbrojtës që luan aktualisht i cili përkufizon më mirë shprehjen “askush nuk kalon” më shumë sesa Godin. Nuk ka as vena që janë gati të shpërthejnë në ballë, apo ndërhyrje të rënda nga uruguaiani, por nëse e shihni me vëmendje, ka një qetësi prej çeliku që rivalizon çdo futbollist në botë.
- Pepe
Portugezi cilësohet si një njeri shumë i këndshëm jashtë fushe, në intervista është shumë miqësor dhe askush nuk mund të thotë një gjë të keqe për të kur gjendet larg botës së futbollit. Por në fushë është diçka tjetër dhe ka një listë të gjatë provash që e vërtetojnë. Më e famshmja është kjo: në prill 2009, Real Madrid po luante kundër Getafes dhe Pepe u përfshi në një “mosmarrëveshje” me Havier Kaskeron. Ai jo vetëm rrëzoi në tokë kundërshtarin, por edhe e shkelmoi dy herë, të parën në shpinë dhe të dytën në kokë. Dhe pastaj, pasi e nxorën me karton të kuq, ai provoi të godiste një kundërshtar tjetër, Huan Angel Albin.
- Skot Braun
Me sytë që i pulsojnë në çdo moment dhe që kanë një pamje prej të forti, Braun mund të mos jetë futbollisti më i mirë në botë, por ai është një nga më të ashprit. Ndërhyrjet e lojtarit të Sëlltikut e tregojnë më së miri një gjë të tillë.
- Lorik Cana
Gjatë Euro 2016, Canës iu deshën vetëm 37 minuta në ndeshjen e parë të Shqipërisë për të marrë një karton të kuq dhe surpriza e vetme ishte se ndëshkimi ishte për diçka aspak prozaike apo të dhunshme si prekja e topit me dorë. “Nëse topi është mes dy lojtarëve dhe unë mendoj se mund ta fitoj, unë do të përpiqem në çdo mënyrë”, tha ai kur ishte pjesë e Sandërlend.
“Ndërhyrje me dy këmbë? Nuk mendoj se kam bërë ndonjëherë të tilla, por ndonjëherë t’i shtrihesh për të arritur topin me një këmbë dhe këmba tjetër shkëputet nga toka”. Kjo fjali e fundit duket si një kërcënim për çdo mesfushor tjetër në botë. Është e barazvlefshme me një personazh negativ të një filmi i cili i sillet rrotull makinës së dikujt duke thënë “makinë shumë, shumë e bukur kjo këtu… sa keq do të ishte sikur t’i ndodhte ndonjë gjë e keqe…”
- Leonardo Bonuçi
Në vitin 2012, mbrojtësi i Juventusit ishte në një dyqan të Ferrarit pasi dëshironte të blinte një makinë të re, kur dy njerëz erdhën me motor, i drejtuan një pistoletë dhe i kërkuan që t’u jepte orën që kishte në dorë. Në vend që ai t’ua dorëzonte, rruga që do të zgjidhnin të ndiqnin pjesa më e madhe e njerëzve, Bonuçi zgjodhi të godiste me grusht personin e armatosur duke e hedhur në tokë, ndërsa më pas filloi ta ndiqte me vrap atë që po mundohej të largohej. “Çfarë po bën? A je i çmendur? Do të të qëlloj”, thuhet se ishin fjalët e grabitësit që largohej me vrap i tmerruar, ndërsa ndiqej nga futbollisti.
- Gari Medel
Edhe nëse nuk njeh reputacionin e Gari Medel, mjafton të shohësh se është i formuar si një bulldog për të mos e shqetësuar. Më shumë një grup muskujsh se një njeri, të ndërhysh ndaj tij duhet të jetë si të përplasesh me një mur. Ai në fakt është qetësuar pak kohët e fundit, pasi ka marrë vetëm një karton të kuq në tre sezone. Por para kësaj periudhe qetësie, ai kishte koleksionuar 7 kartonë të kuq, në vetëm dy sezone.
Ndëshkimi më i famshëm është ai i vitit 2013, kur mori karton të kuq pasi goditi me shpullë Diego Kostan. U desh që atë ta tërhiqnin me dhunë nga fusha e lojës dhe futbollisti, për të shprehur pakënaqësinë e tij, goditi me shkelm një karrige plastike në cep të fushës. Ajo u thye dhe një copë goditi në fytyrë një polic që gjendej pranë fushës. Kaq mjafton, apo jo?
Panorama Sport/d.i.