Me bojkotin që po i bën Kampionatit, futbolli shqiptar do të hyjë në “Librin Guinness”. Kështu u shpreh deputeti socialist Fidel Ylli në studion e emisionit “Java në RTSH” mbrëmjen e se premtes.
Duke marrë shkas nga debati mes FSHF dhe Qeverisë, Ylli th se kjo e fundit nuk e ka inat sportin, por përkundrazi ka treguar seriozitet në investimet e saj. Kjo sipas tij shihet jo vetëm në stadiumin ‘Loro Boriçi’ por në shumë terrene sportive , palestra stërvitjeje dhe parkut olimpik.
“Liga i ka kërkuar kryeministrit dhe Kuvendit një takim dhe dy institucionet më të larta të vendit gjykuan që unë si njeri i sportit të bisedoj me to për kërkesat që parashtronin. Sot Liga ka bojkotuar jo vetëm futbollin, por edhe tryezën që e kërkoi vetë. Në këtë rast, futbolli ka bërë një autogol. Kryeministri Rama sigurisht që nuk mund të ulet në tryezë dhe të diskutojë probleme teknike të fushës” – tha Ylli.
Duke u ndalur te kërkesat e Ligës për faljen e gjobave dhe kamatvonesave, si dhe heqjen e taksave mbi pagat, deputeti Fidel Ylli tha: “Unë nuk jam dakord që t’u falen gjobat vetëm sportistëve. Kjo do të ishte diskriminuese për pjesën tjetër të shoqërisë. Nuk është normale që një sportist të mos paguajë taksa ndërkohë që paguhet me mijëra euro”.
Në studion e emisionit “Java në RTSH” deputeti socialist theksoi se problem mes qeverive dhe sportit mbetet ligji i sponsorizimeve. Nga ana tjetër ai u ndal edhe te tregu i basteve sportive. Sipas Yllit mbyllja e këtij tregu nuk e ka zgjidhur problematikën ndaj ai propozoi një formalizim.
“Në të gjithë botën sheh pika bastesh sportive. I lejon Italia, Britania, Greqia. Janë miliona euro që do i ikin shtetit. Në të gjithë Athinën për shembull mund të jenë 100 pika bastesh. Tek ne ishin 100 pika vetëm në një lagje” – tha ai.











