Se sa aktori Shia Labeouf e urren që është i famshëm, më së miri e ilustron veprimi i tij në Festivalin e Filmit në Berlin, ku është paraqitur me një qese letre ku kishte futur kokën e ku shkruhej: “Nuk jam më i famshëm”. Është fakt se me talentin e madh dhe rolet e mira filmike vjen edhe deri te fama, sidomos nëse luan në ndonjë film hit të Hollivudit.
Mirëpo, jo të gjitha yjet që ne i adhurojmë janë të lumtur që i njohin në çdo hap dhe që paparacët i ndjekin kudo që shkojnë. Disa prej tyre edhe publikisht kanë deklaruar se e urrejnë që janë të famshëm. Ylli i filmit “Twilight”, Robert Pattinson, ishte vetëm 22 vjeç kur e ka prekur majën e famës botërore. Mirëpo, kjo nuk i ka pëlqyer aq shumë. “Në një moment kam qenë në depresion. Më zemëronte fakti që nuk mund të shkoja në minimarket për të blerë gjërat e nevojshme e që nesër në internet të mos paraqiteshin shkrimet me listën e gjërave që kam blerë”, e ka pranuar ai. Edhe ish e dashura dhe kolegia nga filmi “Twilight”, e Robertit, Kristen Stewart, nuk është aspak e lumtur me popullaritetin e saj. “Mua më pëlqen të xhiroj filma. E dua punën time, por e urrej atë që shkon në pako me këto e kjo është vëmendja e madhe”, ka deklaruar Kristen, e cila disa herë ka pasur përplasje me paparacët që e përcillnin.
Në këtë listë bën pjesë edhe superylli Jennifer Lawrence. “Deri kohë më parë kam shëtitur lirshëm nëpër rrugë dhe nganjëherë edhe u buzëqeshja paparacëve. Ndërsa tani mund të më shihni duke ecur vetëm me kokë të ulur. Më e tmerrshmja është kur në mbrëmje jam me miq, ndërsa njerëzit më pengojnë vazhdimisht gjatë darkës për të bërë foto me mua”, ka deklaruar ajo.
“Disa vajza e pëlqejnë që janë fytyra të famshme. Nuk e kuptoj mënyrën e tyre të të menduarit, por e respektoj. Por unë kurrë nuk mendoj ashtu. Mua më intereson karriera dhe jo fama”, ka deklaruar këngëtarja Avril Lavigne.