Analisti Preç Zogaj u shpreh se situata për opozitën shqiptare është shumë serioze pasi ka shumë qytetarë që nuk shkojnë të votojnë.
I ftuar në emisionin Opinion në “Tv Klan”, Zogaj u shpreh se sekreti se si opozita të tërheqë drejt kutive të votimit popullin opozitar është që ajo të bëhet më e pëlqyeshme.
Preç Zogaj: Çështja është shumë serioze për opozitën shqiptare. Opozita në Shqipëri është numerikisht më e madhe se përqindja e partive opozitare. Në vend të parë në Shqipëri janë votuesit që nuk e gjejnë veten në partitë politike. Rama është minorancë, por ka një dallim se votat e 37% që ka i ka edhe në kuti ndërsa 60% i opozitës nuk është në kuti. Sekreti është si të bëhet opozita e pëlqyeshme që ky popull opozitar të shkojë në kuti dhe të votojë për opozitën. Vetëm opozita shqiptare nuk bën qarkullim liderësh prej kohësh. Rinia është në distancë shumë të madhe sepse ligjërimi është i ndërtuar me të njëjtat fraza.
Gjithashtu gjatë fjalës së tij Zogaj u shpreh që nevojitet të bëhet institucionalizimi i opozitës ku përfaqësuesit të nënshkruajnë një marrëveshje që të kalojnë nga gjendja e luftës në atë të konkurencës dhe të zgjidhet një kandidat për kryeministër i gjithëpranuar.
Preç Zogaj: Më realistja për mua është kjo që të institucionalizohet një opozitë plurale, pra që subjektet politike që e përbëjnë këtë opozitë bien dakord që ata rriten si subjekte dhe zhvillojnë stilin e tyre. Kur them institucionalizimi them që përfaqësuesit nënshkruajnë një marrëveshje që të pushojnë luftën sepse problemi më i madh është lufta brenda llojit. Biem dakord që të kalojmë nga gjendja e luftës në gjendjen e konkurencës. Biem dakord që për një formulë të dalin dhe të luftojnë për një sistem zgjedhor, gjejmë një formë që votat mos të humbasin. Biem dakord që të bashkohemi për një kandidat për kryeministër të gjithëpranuar. Kjo sjell më shumë vota.
/a.r