• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, December 7, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Të bashkëjetosh me gjenocidin

by Veton Surroi
06/08/2025 12:52
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Veton Surroi

Javën e kaluar David Grossman tronditi veten, opinionin publik dhe diplomacinë botërore. Në të njëjtën javë Franca dhe Britania shpallën se do të njihnin shtetin e pavarur të Palestinës gjatë sesionit vjetor të OKB-së dhe këtij paralajmërimi iu bashkëngjitën menjëherë Kanadaja e Finlanda me gjasa të mëdha që lista vazhdon e përditësohet deri në shtator. Në të njëjtën javë u shtuan komunikatat e diplomacive e diplomatëve perëndimorë që dënonin veprimet e Izraelit. Toni i shteteve ishte më i ashpër se deri më tani, madje edhe paralajmërimi për njohjen e Palestinës ishte një akt i paprecedent, por asnjëra prej këtyre nuk e ndalën vrasjen e përditshme të palestinezëve në Gazë a në Bregun Perëndimor, asnjëra prej këtyre nuk shuan urinë e përgjithshme të Gazës të krijuar nga autoritetet izraelite si mjet lufte. Pushteti i Izraelit tashmë tradicionalisht për më shumë se gjysmë shekulli është mësuar që të marrë vërejtje dhe kritika nga Perëndimi për veprimet e veta: kritikat shkojnë e vijnë, realiteti në terren, ai i ngushtimit të hapësirës jetësore të palestinezëve dhe zgjerimit kolonist izraelit mbetet. Pjesë e këtij realiteti është ndihma ushtarake e SHBA-së për Izraelin, të identifikuar si partner strategjik në një regjion të rëndësisë madhore gjeopolitike. Për Izraelin, përderisa vazhdon ndihma ushtarake (prej sulmit të Hamasit në tetor 2023 deri në nëntor të vitit 2024 Izraeli ka marrë 12.5 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, sipas revistës “Foreign Affairs”) ka pak rëndësi thirrja për vetëpërmbajtje e respekt të të drejtave të njeriut.

Një fuqie të militarizuar si Izraeli, me idenë e kodifikuar si ligj se ky është shteti kombëtar i të gjithë hebrenjve të botës (të cilët marrin automatikisht shtetësinë izraelite nga kudo të jenë dhe kurdo të duan), nuk i bën shumë përshtypje kërcënimi politik nga jashtë. Deri tani nuk i ka bërë përshtypje as kritika e brendshme, madje as ajo që e bën tradicionalisht David Grossman si intelektual i së majtës, por mbase java e kaluar mund të bëjë ndonjë ndryshim, ngase shkrimtari i njohur izraelit deklaroi në “La Repubblica” se “me zemër të thyer më duhet të them se kjo që po ndodh në Gazë është gjenocid”.

Grossman nuk ishte i vetëm në Izrael. Në të njëjtën javë u botuan dy raporte nga dy organizata izraelite të respektuara të të drejtave të njeriut, B’Tselem dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut dhe në raportet e që të dyjave Izraeli akuzohet për ushtrim të gjenocidit në Gazë. Raporti i Mjekëve pa Kufi i përmbledhur në disa rreshta duket kështu: “Kjo nuk është një krizë e përkohshme. Është një strategji për të eliminuar kushtet e nevojshme për jetën. Edhe nëse Izraeli e ndal ofensivën sot, shkatërrimi që ka shkaktuar garanton se vdekjet e parandalueshme – nga uria, infeksionet dhe sëmundjet kronike – do të vazhdojnë për vite me radhë. Ky nuk është dëm kolateral. Ky nuk është një efekt anësor i luftës. Është krijimi sistematik i kushteve të pajetueshme. Është mohimi i mbijetesës. Është një gjenocid”.
Kështu disi duhet të ketë arritur në përfundimin e vet edhe David Grossman. Shifrat e shkatërrimit – Mjekët për të Drejtat e Njeriut: “Izraeli ka zhvendosur 9 nga 10 banorë të Gazës, ka shkatërruar ose dëmtuar 92% të shtëpive dhe ka lënë mbi gjysmë milioni fëmijë pa shkolla ose stabilitet. Ka zhdukur shërbimet thelbësore shëndetësore, duke përfshirë dializën, kujdesin ndaj nënës, trajtimin e kancerit dhe menaxhimin e diabetit”, 60 mijë palestinezë, prej të cilëve 30 për qind janë fëmijë, pamjet e përditshme të foshnjave që vdesin prej urisë – janë një rrëfim kumulativ që sjell një pikë ku heshtja shndërrohet në tumirje. Fjalët e David Grossmanit, kështu, bëhen largim prej bashkëpjesëmarrjes në gjenocid.

Ky mund të jetë moment kthese. Izraeli është ndërtuar mbi një konsensus të heshtur me të cilin shteti kombëtar i hebrenjve është cak i cili të detyron të mbyllësh sytë, ndonjëherë apo në formë të përhershme, ndaj mënyrës se si arrihet ky cak, përfshirë edhe mbajtjen nën okupim të palestinezëve dhe kolonizimin e tokave të tyre. Shteti i ndërtuar mbi këtë konsensus ka arritur të ndërtojë imunitet ndaj kritikave të Perëndimit dhe në po të njëjtën mënyrë edhe ndaj kritikave të brendshme. Çdokush që ka ngritur çështjen e të drejtave të njeriut të palestinezëve është ndeshur me përgjigje (të pashqiptuar nga fuqitë perëndimore) se siguria e Izraelit është parësore.

Tash ky konsensus po vihet në pyetje. Dhe pyetja është se a është e pranueshme që siguria e Izraelit të ndërtohet mbi zhdukjen fizike të një kombi tjetër? Kjo është pyetje më e vështirë për hebrenjtë se për çdo popull tjetër, sepse në ideologjinë e Adolf Hitlerit prania fizike e hebrenjve është cilësuar si rrezik për shtetin gjerman. Zhdukja fizike e hebrenjve është ngritur si pjesë e një konsensusi shoqëror të asaj kohe, se për hir të sigurisë së shtetit e kombit gjerman do të duhej zhdukur nga territori i Gjermanisë (kudo të jenë kufijtë e saj).

“Tradhtar” do të ishte cilësimi për Grossmanin në situata analoge në Ballkanin Perëndimor, aty ku intelektualët publikë në Kroaci, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë apo Kosovë do të tregonin empati për persona të kombit tjetër, të cilët përndiqen nga kombi a grupacioni më i madh.

Ky fat ka mund të jetë i paevitueshëm për Grossmanin, por Izraeli u lind dhe është ndërtuar me etikë tjetër ndaj kombit dhe shtetit. Duke marrë pjesë në luftëra të pandërprera, me shërbim ushtarak të obliguar dhe shërbim rezervist aktiv, Grossman dhe intelektualët e tjerë kanë qenë pjesë aktive e mbrojtjes e zgjerimit territorial të shtetit. Vetë Grossman ka shërbyer në inteligjencë ushtarak e për më tepër, në njërën prej këtyre luftërave, në një tank në Liban u vra si ushtar i biri i shkrimtarit Uzi.
Ndaj David Grossman mbase simbolizon luftën e brendshme që ka një shtresë e gjerë njerëzish në Izrael, asaj mes besnikërisë ndaj shtetit e idesë së shtetit të hebrenjve dhe çmimit luftarak dhe etik që do paguar për të. Ky çmim etik tashmë ka arritur te njohja se shteti po ndërtohet a mbrohet (apo ashtu është arsyetimi) me gjenocid. Për Grossmanin, B’Tselem dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut ky është një prag moral, pas kapërcimit të të cilit nuk ka kthim prapa. Një shoqëri që është në gjendje të ushtrojë gjenocid ndaj popujve të tjerë ka problem të thellë, i cili nuk zgjidhet as ditën kur ushtrimi i gjenocidit të jetë ndalur. Dhe këto probleme nuk zgjidhen me formula gjeopolitike (Izraeli është aleat, ani pse ushtron gjenocid) siç u pa me Republikën e Afrikës së Jugut (në atë rast qe aparteidi) e as me deklarime ideologjike se Izraeli është demokracia e vetme në regjion. Demokracia dhe gjenocidi nuk shkojnë bashkë ose shkojnë ashtu si me Adolf Hitlerin, i cili po ashtu erdhi në pushtet me zgjedhje demokratike dhe mandatin e tij e shfrytëzoi për, mes tjerash, shfarosje të hebrenjve.

Fjala gjenocid është prag i lartë. Deri më tani ai është shikuar si prag i lartë juridik, ngase në Konventën për ndalimin e gjenocidit fshihet fjala “qëllim”, pra fshihet obligimi që për të dënuar ndonjë shtet për akt gjenocidi duhet dëshmuar se veprimet e tij kanë pasur për “qëllim” dëbimin, vrasjen apo krijimin e kushteve për mosjetesë. Me Grossmanin dhe dy organizata të të drejtave të njeriut ky prag i lartë moral tashmë shndërrohet në përcaktimin etik të qytetarëve të Izraelit. Nëse ajo që po ndodh në Gazë është gjenocid, si mund të bashkëjetohet me të?

Kjo vlen edhe për fuqitë perëndimore. Deklarimi i disa prej tyre se do ta njohin shtetin palestinez nuk po e ndal gjenocidin dhe nëse nuk ka veprim tjetër nuk do ta ndalë në të ardhmen. Mbase këtë nuk do ta bëjë as deklarimi i Grossmanit apo raportet e dy organizatave të të drejtave të njeriut.

Atëbotë Perëndimi do të gjendet para dilemave me veten – të aftësisë që të bashkëjetohet me gjenocidin. Për fëmijët dhe banorët e tjerë të Gazës, këto janë ku në pyetje është ekzistenca fizike e për Perëndimin është në pyetje ekzistenca e normave të saj morale e etike.

Next Post
Mashtronin njerëzit për t’u marrë para, WhatsApp fshin miliona llogari

Mashtronin njerëzit për t’u marrë para, WhatsApp fshin miliona llogari

Comments 1

  1. Anonymous says:
    4 months ago

    Per cilin moral,te perendimit e ke fjalen,per moralin qe po lejon,e ndihmone gjakatarin bibi,te kryej genocide ne GAZA,me armatim qe po i jepe perendimi.Turpi eshte i perendimit,qe po ndihmone te zhduke nji Kombe, te pa mbrojtur,ne shek e XXI.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Burgu si spital, qindra të dënuar vuajnë nga sëmundje të ndryshme në qelitë e mbingarkuara të Shqipërisë

Burgu si spital, qindra të dënuar vuajnë nga sëmundje të ndryshme në qelitë e mbingarkuara të Shqipërisë

December 6, 2025
Shkodra, viktima 30 vjeçare e fanatizmit politik

Buxheti i 2026, pse i vetmi opozitar mbeti Erion Braçe?

December 6, 2025
A kërkon karrigen e Berishës? Përgjigjet Salianji: Rama nuk rrëzohet me muzikë poshtë zyrës

A kërkon karrigen e Berishës? Përgjigjet Salianji: Rama nuk rrëzohet me muzikë poshtë zyrës

December 6, 2025
“Babi eja”/ Qeni kafshoi 2-vjeçarin, babai shqiptar: Im bir më pa, buzëqeshi dhe mbylli sytë përgjithmonë

“Babi eja”/ Qeni kafshoi 2-vjeçarin, babai shqiptar: Im bir më pa, buzëqeshi dhe mbylli sytë përgjithmonë

December 6, 2025
Çfarë synon lëvizja e tij? Ervin Salianji e zbulon vetë: Janë qindra dhe mijëra demokratë që…

Çfarë synon lëvizja e tij? Ervin Salianji e zbulon vetë: Janë qindra dhe mijëra demokratë që…

December 6, 2025
Ndizet për herë të parë që nga fillimi i luftës në Gaza pema e Krishtlindjeve në Betlehem

Ndizet për herë të parë që nga fillimi i luftës në Gaza pema e Krishtlindjeve në Betlehem

December 6, 2025
Fermerët nuk tërhiqen, bllokojnë pikat nevralgjike të rrjetit rrugor në Greqi, kaos në autostrada

Fermerët nuk tërhiqen, bllokojnë pikat nevralgjike të rrjetit rrugor në Greqi, kaos në autostrada

December 6, 2025
Hyri në Itali një muaj më parë vetëm me pasaportën në dorë, 18-vjeçari shqiptar kapet me kokainë

Hyri në Itali një muaj më parë vetëm me pasaportën në dorë, 18-vjeçari shqiptar kapet me kokainë

December 6, 2025
Nuk ka gjumë më 14 qershor, Shqipëria do luajë ndeshjen e parë në orën 04:00 nëse kualifikohet (Kalendari i plotë i Botërorit 2026)

Nuk ka gjumë më 14 qershor, Shqipëria do luajë ndeshjen e parë në orën 04:00 nëse kualifikohet (Kalendari i plotë i Botërorit 2026)

December 6, 2025
Musk reagon ashpër pas gjobës 120 mln euro: BE-ja duhet të shfuqizohet, sovraniteti t’u kthehet shteteve

Musk reagon ashpër pas gjobës 120 mln euro: BE-ja duhet të shfuqizohet, sovraniteti t’u kthehet shteteve

December 6, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In