Më pak para qarkulluan jashtë bankave në muajin e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, gjatë janarit u regjistruan 481 miliardë lekë në formën e kartëmonedhave jashtë sistemit bankar në Shqipëri, duke shënuar një ulje prej 2 miliardë lekësh krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar.
Kjo rënie e nivelit të cash-it në ekonominë e vendit përkon me vendosjen e tavaneve të pagesave për qytetarët dhe bizneset, të përcaktuara nga Ministria e Financave, me synim uljen e parasë fizike në territorin e Shqipërisë.
Që nga 1 janari i këtij viti, transaksionet mes individëve në formë cash-i lejohen deri në shumën 500 mijë lekë, ndërsa për bizneset nuk lejohen pagesat në dorë që kalojnë pragun prej 100 mijë lekësh, nga 150 mijë lekë që ishte kufiri deri vitin e kaluar.
Vendosja e këtyre tavaneve ka ndikuar në uljen e parasë cash në muajin e parë të vitit, megjithëse bëhet fjalë për një rënie të lehtë.











