SHKODËR
Taulant Balla, numri dy i Partisë Socialiste ka akuzuar drejtpërdrejt nga Shkodra për sulmin e sotëm mbi selinë e PS-së, ish-kryeministrin Sali Berisha, Presidentin Ilir Meta, kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi. Ai tha se nga nesër selia e PS do jetë gati përsëri për rolin e vet dhe se nuk ka asnjë dyshim që do fitojë më 25 prill.
Jemi bashkë për të denoncuar këtë skenar dhune, e cila nisi duke vjedhur një protestë paqësore për një humbje jete. Ne socialistët shqiptarë i kemi shprehur dhe do vazhdojmë t’i shprehim ngushëllimet tona familjes sepse ne besojmë që nuk mund të përfaqësojë policinë e shtetit një punonjës policie i vetëm sepse ka bërë një krim dhe për krimin është në proces ndëshkimi nga drejtësia. Ky është standardi dhe ndryshimi ynë nga ata”, deklaroi Balla.
Ai tha më tej se sot policia është e distancuar dhe ndërkohë ajo që është më e rëndësishme, drejtësia po bën punën e vet. “Nga selia e PS në Shkodër i bëj thirrje popullit të Shkodrës, aktet e ndodhura këto ditë janë grabitje e protestës. Basha e kupton fare mirë degradimin ku po shkon PD dhe LSI. Kryemadhi që është një rekrutuese e minorenëve i bëj thirrje të heqë dorë nga pagesa e minorenëve dhe i bëj thirrje prindërve të mbajnë nën kontroll fëmijët e tyre.
Prokuroria dhe institucionet e tjera kanë bërë verifikimet e tyre. I nxisim t’i shkojnë deri në fund”, u shpreh Balla.
Sipas tij, protesta në Shkodër sot ishte e organizuar nga Voltana Ademi, PD dhe LSI, teksa nuk mungoi dhe një thirrje për qytetarët të zbatojnë masat kundër pandemisë.
Si ka mundësi që shërbimi zjarrfikës që varet nga bashkia nuk erdhi në asnjë moment deri sa u dogjën të gjitha materialet”, u shpreh ai.
Në përfundim Balla pati dhe një paralajmërim. “Harrojeni se mund të përdorni degën e PS për skenarë që Shkodra i di dhe i kupton mjaft mirë. Popullin e Shkodrës nuk e merr askush për budalla”, deklaroi Balla.