Një 31 veçar babai i dy fëmijëve, i ka dhënë fund jetës mbrëmjen e djeshme ku shkak për këtë dyshohet të ketë qenë aksioni i tatimorëve për të pajisur me kasa fiskale çdo biznes. Viktima është Elsjon Nonaj, i cili mësohet se i ka dhënë fund jetës për shkak se inspektorët e Drejtorisë së Tatimeve dhe Policia e Shtetit i kërkonin të mbyllte servisin, pasi nuk ishte i pajisur me kasë fiskale.
Ai u vetëvra duke kapur me duar një kabull elektrik brenda ambienteve të servisit që kishte marrë me qira. Dëshmitarët treguan se ngjarja ka ndodhur në pasditen e 18 shtatorit në orën 18:30 në rrugën “Besim Alla” në zonën e “Misto Mames” Kombinat.
Sipas familjarëve, në biznesin e Elsjon Nonajt, ku lyente dhe rregullonte automjete, kishin shkuar disa inspektorë të tatimeve dhe kjo mendohet se ka shtyrë atë drejt vetëflijimit.
Pas debatit për vendosjen e kasës fiskale, ai mendohet se është mbyllur në servis dhe i ka dhënë fund jetës. 31-vjeçari ishte personi i vetëm që punonte në familje dhe se servisin e kishte marrë me qira.
Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka thënë vetëm se shkaku i vdekjes së tij ka qenë goditja nga rryma elektrike, ndërkohë që po hetohet nëse ka qenë aksidentale apo me qëllim.